Një organizatë serbe vendos posterë me hartën e së ashtuquajturës ‘Serbi e Madhe”
Organizata ultra e djathtë “Tanët” nga Arandjelovac njoftoi të hënën se kishte vendosur postera në qendër të Beogradit me figurat e presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump dhe miliarderit Elon Musk me mesazhin “Bëjeni Serbinë përsëri të madhe” dhe një ilustrim të të ashtuquajturës “Serbia e Madhe”.
“Tanët” janë të njohur për publikimin e “Listës së Zezë të Organizatave Joqeveritare” në fund të vitit 2012, e cila përfshinte Komitetin Serb të Helsinkit dhe Amnesty International, dhe listën e “mediave anti-serbe” që përfshinte edhe Radio Evropën e Lirë.
Ata janë autorët e posterit me imazhin e kryeministrit të vrarë të Republikës së Serbisë, Zoran Gjingjiq, ku shkruhej “Agjent i huaj, jo hero”.
Së fundmi, në disa qytete në Serbinë qendrore, ata vendosën postera me imazhin e politikanit kroat Tonin Picula me një kapele ustash në kokë dhe sloganin “Informator për NDH”.
“Me këtë veprim tregojmë nevojën që Serbia të rifitojë pozitën e merituar në Ballkan dhe në botë dhe duam të korrigjojmë padrejtësitë e shumta historike që i janë bërë popullit tonë me dekada – thanë nga kjo organizatë.
“Ne mbështesim Donald Trumpin si një lider që tregoi forcë në luftën për sovranitetin e vendit të tij dhe u shpreh hapur kundër politikave globaliste që kërcënojnë interesat kombëtare. Mesazhi i tij “Make America Great Again” na frymëzoi edhe neve sepse besojmë se Serbia duhet të rikthejë madhështinë dhe forcën e saj” – shtuan ata.
“Populli serb ka vuajtur me shekuj presione, përçarje dhe padrejtësi. Tani është koha për të pohuar identitetin tonë kombëtar, historinë dhe sovranitetin tonë pa frikë dhe hezitim. Ky aksion është thirrje për të gjithë serbët që të mblidhen rreth idealeve të lirisë dhe bashkimit dhe të ngulmojnë në luftën për kthimin e Serbisë në vendin që historikisht i takon”, ka përfunduar organizata e lartpërmendur. Kreu i shtetit nuk ka bërë të ditur asgjë për këtë temë tani për tani.