Një panoramë e aspekteve të jetës shkrirë në vargje poetike

16 tetor 2018 | 11:14

Dr. Rovena Vata

Recension

(Bilall Maliqi, “Ëndrra që më dha gëzim”, Sh. B. “Lena”, Prishtinë, 2018)

Në këtë libër kushtuar botës së pafajshme, pra letërsisë për fëmijë, autori bën pjesë të këtij libri çdo poezi, që lidhet me botëkuptimin e çdo fëmije, duke iu përshtatur zhvillimit të tij psiko-filozofik. Në çdo poezi jep nga një mesazh tepër domethënës autori, kjo si qëllim për të pasur njohuri, mbi jetën, natyrën, historinë, personalitetet kombëtare, që çdo fëmijë duhet t’i marr përmes librave dhe aq më tepër përmes botës së poezisë.
Bilall Maliqi e fillon librin e tij me një poezi të dedikuar mbesës së tij për ditëlindje Klestës, për një vjetorin e lindjes së saj, duke i uruar jetëgjatësi me urimin, që të jetojë sa malet.
Autori jep një panoramë të të gjitha aspekteve të jetës, duke i mësuar fëmijët edhe me stinët e vitit dhe me mjetet që na duhen për tu mbrojtur në çdo stinë, për fëmijët stina më e bukur, por edhe që duhet të kemi më kujdes është ajo e dimrit, pasi bie borë dhe fryn egër veriu, dhe duhet të sigurohemi për të mos pasur ftohtë, këtë autori e pasqyron në poezinë /Më ka humbur dorëza/.
Gjumi është mënyra më e shëndetshme që fëmijët të rriten të bukur dhe të shëndetshëm, prandaj autori i kushton një poezi pikërisht të titulluar “Gjumi”. Ninullat janë tingujt e parë që ushqehet shpirtërisht dhe artistikisht një fëmijë.
Për t’u vlerësuar është edhe fakti se autori nuk harron emrat tipikë shqiptar të fëmijëve, pasi në botën e sotme ka filluar të zhduket ky zakon dhe emrat shqiptarë të zëvendësohen me emrat tipikë të huaj evropiane ose amerikane.
Emrat shqiptar që bien në sy më shumë janë emrat si: Ilir, Trimi, Drini, Yllka, Besa, Lis, Era etj.
Autori jo pa qëllim e bën poezi fjalën ilir, për të treguar përmes fjalës, përmes poezisë dhe përmes ritmit se kush jemi, nga ku i kemi rrënjët, çfarë identiteti kemi dhe kush na përfaqëson.
Fëmijët dihet se në moshën e tyre më të mirë e mësojnë çdo gjë përmes pyetjeve: pse, kush, cili, dhe durimi i çdo njërit prej nesh është tu japim përgjigje sa më të sakta dhe të lehta, që ata ta perceptojnë për atë çka ata pyesin, e kush më mirë se gjyshërit kanë më shumë durim të merren dhe të mësojnë nipërit dhe mbesat e tyre. Kot nuk thotë populli se: “Fëmija i fëmijës është mjalti i mjaltit.
Në një pyetje që fëmija i drejton gjyshit të tij, kush është iliri?
Gjyshi i përgjigjet kështu:

Iliri, ime bijë,
Është prejardhja jonë
Fisit para tij,
Pellazg i thonë!

Ata kanë jetuar ,
Edhe n’këto troje
Dhe kanë pirë ujë,
Në t’maleve kroje!

Ilirët janë gjaku ynë, janë të parët tanë, janë prejardhja jonë arbërore. Gjurmët më të vjetra dihet se janë në libra, dorëshkrime apo në gjërat e moçme, siç janë kalatë, ku gjyshi i sugjeron nipit të tij se hajde shkojmë në kala, atje mund të gjejmë gjurmë ilire, pra duke i mësuar nipit dhe po kështu të gjithë brezit të ri se gjurmët tona duhet kërkuar në rrënojat më të lashta, në lashtësi e kemi origjinën dhe zanafillën të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Autori për të treguar për shenjtoren shqiptare që e njohi mbarë bota dhe shpërndau kudo ku shkela këmba e saj vetëm, mirësi, përkujdesje dhe dashuri, pra Nënë Tereza, ai ia kushtoi këtë poezi: /E kujt është kjo shtatore/.
Për kureshtjen e fëmijëve se e kujt ishte ajo shtatore që i dukej sikur e shikonte, por nuk fliste, gjyshja i përgjigjej:
Ajo është nëna plakë, është nëna e gjithë botës, që ka bërë bamirësi në gjithë rruzullin tokësor.

“Si e ka emrin gjyshe,
Ç’shkruan në atë pllakë
Të mësoj sot dua,
Për këtë Nënë plakë?!

Emrin e ka Gonxhe,
I thonë Nëna Terezë
Ka ndihmuar të varfrit,
Në atë kohë të zezë!”.

Poezia: “E kujt është kjo shtatore”
Loja është mënyra më e mirë për fëmijët për të mësuar çdo gjë në jetë, përmes lojës ai mëson dhe argëtohet shumë, gjithashtu edhe autori na e kujton sesa e rëndësishme është loja për fëmijët dhe sidomos futbolli dhe mënyra e lojës së tij.

“Nuk lëshon gol,
Ky portieri i ri
E mbron portën,
Për mrekulli!
Në shumë lojëra,
Me kundërshtarë
Është zgjedhur,
Gjithmonë i parë!
Ky është Noari,
Përplot krenari
Është me prejardhje,
Nga e jona Malësi!”
Poezia “Portier Noari”

Simbolet kombëtare nuk janë jashtë vëmendjes së këtij autori, siç është flamuri i shtetit të Kosovës, ku i kushtoi poezinë me titull: “Ç’është ky flamur”. Kjo poezi është shkruar me rastin e 10-vjetorit të shtetësisë së Kosovës.
Poezia që në titull fillon me një pyetje habitore, ç’është ky flamur, me gjashtë yje, sikur të ishte marr në ndonjë pyll a mal. Shqiptarët kudo që ndodhen janë mësuar me flamurin e tyre shqiptar, me fushën e kuqe dhe shqiponjën dykrenore, dhe ky flamur i krijuar jashtë dëshirës së shqiptarëve, që jetojnë në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës, ku autori e cilëson faktin se ai është një flamuri i sajuar nga të huajt pa dëshirën e tyre.

“Ky flamur i kaltër,
Është i shtetit tonë
Na kanë krijuar të tjerët,
Jashtë dëshirës sonë!”

Nipi që e njeh flamurin që të parët ia kanë lënë, pyet gjyshin e tij se pse ia zuri vendin ky flamur, flamurit të tyre.

“Ç’u bë gjysh të lutem,
Ku është i yni Flamuri,
Që valonte çdo ditë,
Pse tjetri vendin ia zuri?!”

Dhe gjyshi i përgjigjet nipit:

“E hoqën bir i gjyshit,
Në të dhjetin përvjetor
E ngritën të shtetit,
Deri në të lumin Nëntor!”

Autori nuk harron pa kujtuar brezave të rinj se guri i rëndë peshon në vendin e tij, e jo në vendin e huaj, kështu dhe ai shkruan poezinë me titull: “E dua vendin tim”, duke kujtuar se e do vendin e tij për të mirat që ka dhe për të mirat që ai i ofron.

“Të dua vendi im,
Me kodra përreth
Ke ajër të pastër,
Me të mirin shesh!

Të dua vendi im,
Me lumin gjarpëror
Fushat dhe pyjet,
Gëzim shpirtëror!”

Urimin dhe bekimin më të madh autori e jep përmes poezisë me titull: “Bëhu si lisi”. Simboli i lisit me cilësitë e tij, i lartë, i drejtë, krenar, i bukur, i fortë dhe plisi simbol i identitetit kulturor dhe element i trashëgimisë shpirtërore ndër breza.

“Lis, bëhu si lisi,
I fortë në çdo furtunë
As era e trazuar,
Shtatin mos ta lëkund!

U rritsh e u bëfsh,
I gjatë sikur ai lis
Të shkëlqejë në kokë,
I bardhi ynë plis!

Puno pandërprerë,
Të lutem biri im
Për atdheun tonë,
Merre emrin Trim!”

Ajo çfarë nuk është harruar në këtë libër për fëmijë është sjellja e një poezi edhe për bacë Jasharin (Adem Jasharin-dëshmorin e luftës për liri të Kosovës).

“Sa dua ta shoh,
Atë njeri që s’flet
Rri i heshtur,
Duket porsi mbret!

I fortë si guri,
Rrëfente gjyshi im
S’i trembej dot syri,
Ishte shumë trim!

Nëpër luftëra e beteja,
Gjithmonë i pari
Përballë me armikun,
Ishte legjendari!

Moti kishte humbur,
E shtrenjta liri
E solli kryetrimi,
U fut në histori!”

Te poezia “I shkreti lypsar” autori na ngjan me tregimin e Migjenit “Luli i vocërr”, ku jep pamjen e mjerë të lypsarit që gjendet kudo në rrugë, duke kërkuar lëmoshë.

“Në udhën tonë,
Lypsari duarshtrirë
Kërkon lëmoshë,
E ka jetën e vështirë!

Përditë i njëjti vend,
Të leckosur e pret
Me fytyrë të zverdhur,
Koha ngadalë e vret!

Lypsari i ngratë,
I shkreti fatzi
Me xhepa të zbrazur,
Kthehet në shtëpi!”

Ajo çka ia shton lezetin dhe hijeshinë këtij libri është leksiku, fjalë të gjuhës shqipe që mbartin kuptim dhe autori ua gjen vendin në tekst, fjalë të pasura të fondit të shqipes, që duhet të mësojë çdo fëmijë shqiptar, kudo që të ndodhet, bashkë me kuptimet që fjala mbartë, ku si të tilla mund të përmendim fjalët:
Engjëll, bekon, mbretëreshë, gjysh, gjyshe, dëshirë, plotëson, hare, fytyrë engjëllore, djepi me lula, lulegjaku, fustanverdha faqekuqe etj etj., apo fjalët dhe shprehje tipike shqiptarë të tipit:
Kjo ditë e lume, Të rrojë sa malet, Në gjuhën e vet, Veç me urata e bekon etj.
Ky libër me poezi për fëmijë i shkrimtarit Bilall Maliqi, zë vend me rëndësi në letërsinë për fëmijë, duke u bazuar në vlerën e arrirë artistike të poezive që ka brenda librit dhe me këtë autorit i urojmë frymëzime të reja në fushën e poezisë së këtij ligjërimi dhe në krijimtarinë e gjithëmbarshme të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas ndeshjeve të Kombëtareve në Ligën e Kombeve, rikthehen ndeshjet…