Një përkujtim për heroin tim Bekim Hysenaj

21 mars 2022 | 15:00

Shkruan: Afrim Hysenaj

 

Bekim Hysenaj (21.03.1999 – 21.03.2022)

Sot është përvjetori yt, heroi im. Kam menduar shumë herë të shkruaj për ty, për gjithçka që ka të bëjë me ty që nga mosha rinore e deri në ditën e rilindjes sate.

Sot, më 21 mars, bëhen 23 pranvera që ke rënë dëshmor i atdheut.

Lidhja jonë familjare ishte krijuar herët… që nga gjyshërit tanë, ajo vazhdoi, u fuqizua ndër breza mes nesh.

Fëmijëria jote ishte me plot sfida. Nëna të la në kohën më të duhur, kur më së shumti kishe nevojë për dashurinë, ledhatimet dhe udhëzimet e saj.

U përkujdes për ty motra, e cila dha gjithçka nga vetja që ti mos ta ndije mungesën e nënës. Qysh në vegjëli dalloheshe me gjallërinë e një fëmije energjik, guximtar, i vendosur dhe i pathyeshëm në qëndrimet që i kishe vënë vetes.

Këto virtyte të ndoqën deri në ditën e rënies dëshmor.

Disa njerëz janë të lindur t’u prijnë proceseve për çlirimin e vendit. I tillë ishe ti, heroi im.

Qysh i ri iu bashkëngjite shumë herë demonstratave që organizoheshin në Drenas. Ndër më të ashprat ishin demonstratat e fundshkurtit dhe fillimmarsit të vitit 1998, menjëherë pas përballjes së parë në mes UÇK-së dhe forcave serbe.

Në këtë demonstratë guximi yt e tejkaloi çdo imagjinatë dhe befasoi të gjithë demonstruesit. Në një lëvizje nëpër qytet të një automjeti të rëndë të policisë serbe (autoblindë), ti del nga turma dhe me vrap hipën mbi autoblindë, e heq flamurin serb dhe e vendos flamurin shqiptar. Pavarësisht kërcënimeve të milicëve, që mbanin tytat e armëve drejt teje, ti nuk e ndalove veprimin prej atdhetari.

Nga ajo ditë rruga jote ishte drejt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejt fshatit Kpuz të Klinës. Ta çmoj e njohu trimërinë ajo pjesë e Dukagjinit jashtëzakonisht shumë, veprimtarinë tënde nëpër ato zona, për formimin e shtabeve, për formimin e pikave të UÇK-së dhe për operacionet e luftës që ke zhvilluar në ato pjesë.

Ndërkohë iu ktheve Zonës së Drenicës për të luftuar në vendin që ia njihje çdo pëllëmbë.

Edhe pse ishim në kompani të ndryshme, rastisi që në fillim të marsit 1999, 15 ditë dhe net t’i kalonim së bashku, edhe gjumin e bëmë në të njëjtën dhomë, si kadetë në Shkollën Ushtarake “Hamëz Jashari” në fshatin Negroc të Drenicës.

I kujtoj ditët që i kaluam bashkë gjatë luftës. Takoheshim shpesh, bisedonim për të gjitha temat. Ishe tip i çiltër dhe me plot humor. Me edukatën dhe modestinë që kishe, secilin e thërrisje “bacë”.

E kujtoj dhjetorin e 1998-s, ditën dhe çastin kur të erdhi në jetë Donika, gjaku yt.

Ishim së bashku me një grup shokësh në shtabin e batalionit në fshatin Tërdec. Të gjithë një nga një të përqafuam dhe të uruam për lindjen e vajzës. U ndjeve i ngazëlluar. Po bëheshe baba në kohë lufte. Të gjithëve me këmbëngulje na qerase me pije në shitoren e fshatit për gëzimin që të kishte ardhur në jetë.

Pas 23 vjetësh në sytë e Donikës shoh pamjen tënde. Ajo sot është studente. Të ngjason shumë. Dhe është tepër krenare e bija e kujt është dhe shumë e vetëdijshme për rrugën që duhet ndjekur si bijë dëshmori. Ajo na viziton shpesh e na çmall për ty.

Ende pa rënë dëshmor, kishte 3 apo 4 ditë që u ndamë. Ti po merrje pjesë në frontin e luftës te vendi i quajtur “Ura e Spahisë” në fshatin Tërstenik. Atë ditë u përjetësove, re dëshmor i atdheut. Vetëm 13 ditë më parë sapo i kishe mbushur 25 pranvera. Të nesërmen e asaj dite, me  Qerim Limanin të bënim roje nderi, gjatë kohës që familjarët përshëndeteshin për herë të fundit me ty.

Fytyra të kishte ngelur e buzëqeshur sepse me vullnet e vetëdije të plotë jetën ia dhe çlirimit të Kosovës. Fjalët e secilit familjar ishin të dhimbshme. Edhe bashkëshortja e kishte kuptuar thellë vullnetin tënd, arsyen e rënies dëshmor i kombit.

Me dhimbje të thellë, por shumë krenar për veprën tënde, me pjesëmarrjen e familjarëve, bashkëluftëtarëve,  kushërinjve dhe shumë bashkëfshatarëve, të varrosëm me ceremoni ushtarake.

Vetëm njerëzit e mëdhenj, me kaq pak vite moshë, mbesin të gjallë përjetësisht!

Lavdi heroizmit tënd, Bekim Hysenaj!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa,…