Një person vdes pasi ra në motorin e një avioni në aeroportin e Amsterdamit
Një person ka mbetur i vdekur pasi ka përfunduar në motorin e një avioni pasagjerësh në aeroportin Schiphol të Amsterdamit.
Vdekja ka ndodhur teksa avioni “KL1341” po bëhej gati për të fluturuar në Billund, Danimarkë, të mërkurën pasdite.
Linja ajrore ka bërë me dije se po kujdesej për pasagjerët dhe punonjësit që ishin dëshmitarë të incidentit dhe se hetimet kishin filluar. Pos kësaj, edhe policia ushtarake e Holandës tha se kishte nisur një hetim.
I ndjeri ende nuk është identifikuar dhe është shumë herët të thuhet nëse ishte një aksident apo një formë vetëvrasjeje, tha një zëdhënës për “Reuters”.
Medie të ndryshme holandeze kanë sugjeruar se viktima mund të jetë një punonjës i përfshirë në shtyrjen e një aeroplani përpara se të fluturonte.
Schiphol është një nga aeroportet më të ngarkuara në Evropë. Ai është bërë kryefjalë javën e kaluar kur reperja Nicki Minaj ishte arrestuar aty.