Një person vret shtatë anëtarë të familjes së gruas së tij
Një person ka vrarë shtatë anëtarë të familjes së gruas së tij. Rasti ka ndodhur në qytetin Dezful, në jugperëndim të Iranit, raportojnë mediet lokale.
Agjencia shtetërore e lajmeve, “IRNA” ka shkruar se sulmuesi kishte qëlluar me Kallashnikov pesë burra dhe dy gra dhe më pas ka qëlluar edhe veten.
Ndërkaq, agjencia “Mehr” ka raportuar se katër persona të tjerë po ashtu janë plagosur.
Sulmuesi raportohet se i ka mbijetuar plagëve dhe po trajtohet në spital.
Rastet e dhunës me armë zjarri janë të rralla në Iran, pasi qytetarët mund të posedojnë vetëm licencë për pushkë gjuetie.
Në muajin janar të vitit 2017, një sulmues kishte vrarë pesë persona në qytetin Arak.
Një muaj më vonë, një burrë kishte vrarë dhjetë familjarë të tij në një zonë rurale në jug të vendit.