Një përvjetor mes përvjetorësh
Prof. dr. Hysen Matoshi
Kongresi i Manastirit shënon ngjarjen më të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare si prova e parë e një arritjeje kombëtare të kurorëzuar me sukses. Është pika kthesë në zhvillimet e përgjithshme kulturore mbarëkombëtare, por edhe një shenjë e rëndësishme e paralajmëruese për procesin e shtetformimit shqiptar. Kultura shqiptare, ndonëse kishte shënuar arritje në periudhën e Rilindjes, nëpërmjet kombëtarizimit të saj, ende zhvillohej nën ndikimin e konsiderueshëm të qarqeve të veçanta kulturore. Alfabetet e ndryshme që përdoreshin nga autorët e kohës ishin shenja të divergjencave kulturore të këtyre qarqeve, ndërsa mungesa e një alfabeti unik ishte një “argument” i diplomacive fqinje për të dëshmuar se si shqiptarët na qenkëshin fise që nuk përbënin një entitet të qëndrueshëm e homogjen kombëtar.
Intelektualë të shquar shqiptarë të proveniencave të ndryshme kulturore, shoqërore e fetare, e panë si çështje të rëndësishme përzgjedhjen e një alfabeti të përbashkët, me qëllim të krijimit të një njësie unike kulturore, mbi të gjitha funksionale, kombëtare. Tridhjetë vjet pas Lidhjes së Prizrenit, elita e intelektualëve shqiptarë u mblodh në kryeqytetin e Vilajetit të atëhershëm të Manastirit me qëllim që zhvillimet kombëtare t’i vinte hullinë e mbarë të integrimit gjithëkombëtar dhe të përparimit krahas kombeve të tjera të Evropës. Marrë parasysh rrethanat e përgjithshme shoqërore, që ndërlidheshin me perëndimin e një Perandorie shekullore dhe në vijim edhe me apetitet pansllave për zgjerim në hapësirën etnike shqiptare, një hap i tillë ishte sfidë e madhe socio-kulturore në proceset e modernizimit të kombit.
Sfida e unifikimit të alfabetit, si kërkesë imediate e fillimit të shekullit XX bëhej edhe më e vështirë për faktin se ideologët klasikë të Rilindjes Kombëtare tashmë ishin shuar, ndërsa brezi vijues i shkrimtarëve, dijetarëve, publicistëve dhe intelektualëve shqiptarë ishte në formim e sipër. Personalitete të përmasës së De Radës dhe Naimit, në fushën e letërsisë shqipe, nuk kishte, ashtu sikundër që ende nuk kishim as ideologë të përmasës Sami Frashërit dhe Pashko Vasës, të cilët me traktatet e tyre formësuan bazat e një programi për krijimin e shtetit shqiptar.
Në rrethana të tilla kulturore, pra të mungesës së një autoriteti të gjithëpranueshëm që do të vihej në krye të alfabetizimit të shqipes – si një zgjidhje që shkrinte në një individualitetin e një gjeniu kombëtar në ardhje dhe gjenezën e tij, si pinjoll i familjes që i dha kombit tonë emra të shquar në sferën e politikës, artit dhe dijes – u shfaq Mid’hat Frashëri. Secili përvjetor i Kongresit të Manastirit na kujton në mënyrë të pashmangshme kontributin e tij prijatar dhënë përmasës, organizimit, mbarëvajtjes dhe përfundimeve të Kongresit, por na kujton gjithashtu edhe trashëgiminë e rrallë që ia ka lënë kulturës sonë në sfera të ndryshme të veprimtarisë shkencore, letrare, politike, publicistike, enciklopedike etj. Megjithatë, përvjetori i 110 i më të madhes ngjarje kulturore në historinë tonë e risjell disi më ndryshe në vëmendjen tonë Mid’hat Frashërin. Ka shumë arsye që ky përvjetor të ndërlidhet edhe më fuqishëm me emrin e tij. Dimensioni racional i kësaj ndërlidhjeje, në rend të parë, ka të bëjë me botimin e plotë të dy kolanave të revistave të rëndësishme në historikun e publicistikës shqiptare, sikundër janë “Kalendari kombiar” dhe “Diturija”, në të cilat shfaqet qoftë si themelues a drejtues, qoftë si autori identifikues i tyre dhe në rend të dytë me nismën e Institutit “Lumo Skëndo” të Tiranës që të botojë kompletin e tij të veprave të zgjedhura. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ky kolos i letrave shqipe nuk po kthehet zëshëm vetëm me trashëgiminë e tij shkrimore e mendimore ngaqë, pas një mërgimi të gjatë e të pakuptimtë, para pak ditësh, eshtrat e tij, me ceremoni të larta shtetërore, u kthyen në gjirin e Atdheut dhe ky fakt përbën dimensionin emocional të këtij viti kulturor mid’hatian. Uroj që kjo riardhje e tij në jetën tonë të pasohet edhe nga një vlerësim objektiv i historiografisë sonë, nga njohja e plotë e kontributit të tij në rrugëtimin kulturor e dituror të kombit shqiptar drejt niveleve të një shoqërie të përparuar, uroj që trashëgimia e tij shkrimore të na shërbejë edhe në këto kohë të mugëta për të gjetur rrugën e përparimit.
Kur e them këtë kam parasysh faktin se ky personalitet i shquar shqiptar, i njohur për veprimtari të gjithanshme si publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, politikan, nuk gjeti vend në Fjalorin e sapobotuar Enciklopedik të Kosovës, ndonëse rëndësia e veprës dhe e veprimtarisë së Mid’hat Frashërit është me interes edhe për Kosovën dhe përgjithësisht viset veriake shqiptare, pastaj ai ishte edhe njohës i shkëlqyer i raporteve shqiptaro-sllave dhe, mbi të gjitha, përfaqësues i Pejës dhe firmëtar në emër të saj i Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë.
Përvjetori i sivjetmë i Kongresit të Manastirit ka korresponduar me një varg përvjetorësh të rëndësishëm për historinë dhe kulturën tonë kombëtare. Në krye të herës, 2018-ta ishte shpallur nga qeveritë përkatëse të Shqipërisë dhe të Kosovës si vit i Skënderbeut, në nderim të 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, por gjithashtu sivjet u shënua edhe 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që shënonte të parën përpjekje për unifikim politik në rang kombëtar, me qëllim të krijimit të një strukture autonome shtetërore, pa harruar se njëkohshëm ishte edhe përvjetori i 140 i dhimbjes së madhe të zhbërjes etnike të një pjese të madhe të viseve shqiptare, të cilat, me vendimet e Kongresit të Berlinit, iu dhuruan fqinjëve. Në vazhdë të përvjetorëve nuk mund të mos e theksojmë edhe jubileun e 100-të të themelimit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, i cili në historikun e lëvizjes kombëtare shqiptare hyri si një organizatë që motivoi dhe frymëzoi brezat e tërë të shqiptarëve në përpjekjet vijuese për liri, pastaj sivjet u shënua edhe dhjetëvjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës etj.
Megjithatë, simbolika e përvjetorëve koincidon në ndërlidhjen e dy ngjarjeve të rëndësishme jubilare, Kongresit të Manastirit si përpjekje e suksesshme e unifikimit të alfabetit të shqipes dhe Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, e cila mbolli idenë madhore e larghedhëse në jetën e shqiptarëve të përfshirë në sintagmën “një komb – një gjuhë”. Ndaj, e them me bindje se, parë në kontekstin kulturor, Kongresi i Manastirit e ka peshën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e mbajtur para gjysmë shekulli, ka peshën e aktit të pavarësimit të Kosovës dhe që të dyja, si zhvillime historike, janë një kontribut vendimtar për konfirmimin e njësisë kombëtare shqiptare në Ballkan.
Këtë vështrim dua ta përfundoj me disa fjalë të kryetarit të Kongresit të Manastirit, Mit’hat Frashërit, pa asnjë dyshim aristokrat i letrave shqipe, i cili, i entuziazmuar nga arritja e parë e suksesshme kombëtare, sidomos nga fryma e saj përbashkuese, më 1909, në tekstin inicial të revistës “Diturija”, të titulluar “Istori e shkrimit shqip”, theksonte: “Pas kësaj nisje së lumturë, sa do që pak vonë dhe me mundim, e shohëm se gjuha jonë merr një vënt mes të gjuhëvet të tjera, zë rrënjë në kompt tënë. Hovi u-dha, rruga u-çel, edhe përparimi nisi, mendimi u-hap, sa arriti në këtë ditë ku kurrgjë s’munt ta ndalojë dhe ku na duhetë që të punojmë me më të madh kurajo që të fitojmë kohënë që kemi humburë gjer më sot”.
Them se edhe sot, në njëqindedhjetëvjetorin e Kongresit të Alfabetit, kemi nevojë t’i kujtojmë këto fjalë të mençura.