Një poemë epike në shekullin e njëzetenjëtë
PARATHËNIE DETI I VARRËVE
Nga: Prof. dr. Klara Kodra
Ngjan si anakronizëm, po poeti kosovar Ajet Shala e ka pranuar sfidën.
Si epigraf për këtë poemë epike me temë heroiko-tragjike duhet të ishin vargjet e Alesandro Manxonit:
Vëllezërit kanë vrarë vëllezërit.
Ky është lajmi i tmerrshëm që ju sjell.
Sepse gjenocidi i katërmijë shqiptarëve nuk u krye vetëm prej serbëve, armiqve të lashtë të këtij kombi, po u bashkuan me këtë krim edhe vëllezërit shqiptarë të atdheut mëmë, të tokës së adhuruar dhe të ëndërruar, partizanët komunistë që u bindën se të rinjtë kosovarë, të trajtuar si rob lufte dhe objekt të një urrejtjeje të egër ishin reaksionarë, tradhtarë. Kjo gënjeshtër e tmerrshme mjaftoi që ta bënte ushtrinë “çlirimtare” të Enver Hoxhës të bashkohej me ushtarët serbë për të masakruar vëllezërit e po një gjaku, të bashkuar nga po një “besë” shqiptare, një vëllavrasje e vërtetë kjo.
Pra, kjo është tema e poemës me 303 strofa (është kuptimplotë përdorimi i numrit fatidik “tre”) e shkruar nga Ajet Shala, gjyshi i të cilit bënte pjesë te martirët e Tivarit dhe që i njohu ngjarjet që rrëfehen këtu nga goja e vetë të atit, i cili për një rast fatbardhë shpëtoi nga fati i tmerrshëm që e kositi prindin e tij para kohe, në pranverën tragjike të 1945-ës.
Poema është strukturuar përmes konvencionit të ëndërrës që e bën të mundur që fantazma e gjyshit (e cila të kujton fantazmën e babait të Hamletit, po që dëshmon për një krim më të madh se ai i kryer kundër një individi, qoftë edhe mbret, një krim kundër një bashkësie të tërë) të komunikojë me nipin, vetë Poetin që është edhe ai një zë rrëfimtar në vepër.
Tërë kjo vepër poetike është në fakt një dialog imagjinar , po që ka në vetvete edhe një vërtetësi përmes mallit dhe nderimit të nipit ndaj gjyshit trim.
Përmes këtij dialogu ravizohen karakteret e gjyshit dhe nipit, i pari martir dhe hero, i dyti i përshkuar krejt nga respekti ndaj vlerave njerëzore dhe atdhetare për të cilat u flijuan gjyshërit e tij, dashuria për tokën shqiptare dhe dashuria për gjindjen e vet, vlera që në kohërat e sotme, të karakterizuar nga një krizë e gjithanshme materiale e shpirtërore, po errësohen dalëngadalë.
Në tërë poemën ka vendin e vet edhe një personazh kolektiv, katërmijë shqiptarët, të shndërruar në holokaust nga serbët, një holokaust ky i shkruar me gërma gjaku në histori, po ndryshe nga të tjerët, pak i njohur.
Ky personazh kolektiv, hero dhe martir, kryen si në tragjeditë e lashta një gabim tragjik, besimin e pakushtëzuar te vëllezërit e Shqipërisë mëmë, duke lënë në harresë shkatërrimin moral që përftoi tek ata doktrina komuniste.
Tërë poema është realiste, me detaje të qarta e të vrazhda në maksimum të tragjedisë së të rinjve, të cilat, në fillim përvëlohen në zjarr të ngadalshëm e më në fund flijohen nga serbët, tok me bashkëfajtorët e vet, komunistët shqiptarë, partizanët e Enver Hoxhës që shndërrohen kështu në vëllavrasës.
Në këtë vepër poetike nuk gjejmë një retorikë të zbrazët patriotike, edhe nëse në ligjëratën e gjatë të gjyshit nuk mungon patosi oratorik dhe refreni i dhimbshëm dhe plot ndjenjë “bir” i jep kësaj ligjërate një ngjyrim lirik. Këtu ka imtësi të shumta të shprehura përmes një leksiku të përditshëm e të vrazhdë që të sjellin ndërmend Ferrin e Dantes, por është fjala për një ferr material tokësor dhe i sajuar, jo nga demonë, po nga njerëz (po qe se ata mund të quhen të tillë).
Për një temë të tillë do të duhej një Dante i ri, një Shekspir i ri.
Natyrisht Ajet Shala s’është një gjeni i tillë, po një poet i talentuar që për më tepër shkruan me gjakun e zemrës së vet.
Vepra e tij është një dokument historik, po gjithashtu një poemë heroike, e gjallëruar aty-këtu nga ndërhyrje lirike, shpërthime të pandalshme ndjenjash kontradiktore, dashurie dhe urrejtjeje, zemërimi e llahtare, po edhe respekti e admirimi për forcën e madhe morale të atij grupi martirësh që të sjellin ndërmend kreshnikët e legjendave popullore shqiptare.
Tërë 2424 vargjet e poemës pikojnë gjak, gjak të ngrohtë që shndërrohet në tragjizëm dhe frymë heroike dhe që, si gjaku i Shën Xhenarit në Napoli*, shkrin dhe zien në çdo rresht.
Ndonjë e metë e parëndësishme si proliksiteti që nga ana tjetër lidhet me modelin e këngëve popullore epike që e frymëzuan autorin, shkrihet në zjarrin e lirizmit dhe të forcës shprehëse të lidhur me lakuriqësinë e disa imazheve që i bien në sy lexuesit.
Ajet Shala nuk shkruan me gjakftohtësinë e historianit, edhe po qe se dëshmon për një të vërtetë objektive. Shkruan me dhimbje dhe me një dashuri të thellë.