Një poet hebre, me origjinë austriake, flet shqip
Ismet Daci
Erich Fried lindi më 6 maj të vitit 1921 në Vjenë. Filloi të shkruante vjersha dhe tregime në vitin 1930. Pra, sa ishte vetëm nëntë vjeç. Ato që i shkroi atëkohë ishin të nxitura nga ngjarjet politike të asaj kohe: demonstratat e qershorit të 1927-s, përndjekjet dhe përjashtimi nga rrethi shoqëror i hebrenjve në fillim të 1934-s.
Prindërit e Friedit arrestohen në vitin 1938, pas marshimit të trupave të Hitlerit në Austri. Babai i tij vdes si pasojë e torturave që mbi të kishin ushtruar forcat e Gestapos në Vjenë. Ndërkaq, Friedi arrin të emigrojë në Londër. Atje bëri punë të rënda fizike në të zezën. Me paratë e kursyera bleu viza udhëtimi për në Angli për të ëmën dhe për rreth shtatëdhjetë emigrantë të tjerë.
Deri në vitin 1968 Friedi punoi komentator për BBC-në.
Friedi në fund të jetës jetoi në Londër me bashkëshorten e tretë, anglezen Catherine Boswell. Nga Londra e fundviteve ’70 çdo vit botoi pothuajse nga një përmbledhje vjershash. Vjershat e tij të dashurisë korrën sukses të madh. Marrë parasysh numrin e ekzemplarëve të librave me vjersha me motive të dashurisë, të shitura deri në vitin 1994, Freidi ishte poeti më i lexuar bashkëkohor në botë.
Tregimet e shkurtra dhe përkthimet e Shekspirit përbëjnë, gjithashtu, një çast të rëndësishëm në krijimtarinë e tij.
Megjithëse lirika e Friedit, në kuptimin klasik të fjalës, nuk bën pjesë në krijimtari përshkruese por, përkundrazi, është shpesh në kundërthënie me të, shumë motive të angazhimit të tij poetik, nëse jo i tërë dorëshkrimi i tij, kanë në fondamentin e tyre përmbajtje nga përditshmëria.
Në ekzil të përhershëm
Vjershat e mëhershme të Friedit janë konvencionale në formë, ritëm, përzgjedhje pamjesh. Takimi me barokun letrar dhe lirikën angleze, ndikimi i Rilkes, i Kafkës dhe i modernes së hershme e nxitën Friedin të fuste në përdorim një ngjyrë personale në formë të “seriozitetit ndaj fjalës”. Pikërisht kjo bëri të mundshme një “lirikë pas Aushvicit”, e cila i drejton ndjenjat dhe mendjen e lexuesit. Një gjuhë që nuk është vetëm shërbëtore e ngjarjes, por shumë shpesh dirigjuese e saj.
Pas luftës, pra pas vitit 1945, Friedi s’u kthye më në Austri.
Friedi ndiqte zhvillimet politike dhe sociale në Gjermani. Në vitin 1958 dhe më 1960 botohen dy veprat e tij të para: një përmbledhje e titulluar Vjersha dhe romani Një ushtar dhe një vajzë.
Në kuptimin e plotë të fjalës Friedi fitoi popullaritet të gjerë me përmbledhjen Edhe Vietnami e pastaj? botuar në vitin 1966. Përmbajtja e kësaj përmbledhjeje shumë shpejt u kthye në parulla demonstratash e pamfletesh, në tekste këngësh, duke u ribotuar shumë prej tyre në revista studentore. Kjo gjë e shndërroi Friedin në një “zëdhënës politik” të lëvizjeve kundër luftës në Vietnam dhe gjetiu dhe e lidhi emrin e tij me paradigmën “lirikë politike”.
Fakti që Friedi shkroi më vonë lirikë dashurie nuk ndryshoi shumë në këtë drejtim. Ky aspekt është i rëndësishëm dhe paraqet një fushë operative e cila s’mund të përfshihet as në fushëveprimin poetik të cilësuar si “lirikë e pastër”, por as në emërtimin “lirikë politike”.
Kundërvjershat, groteskja, vjershat paralajmëruese
Ribotimin e vjershave të veta në vitin 1968 Friedi e emërtoi Çlirimi nga ikja. Ishte kjo një përmbledhje kundërvjershash shkruar mbi dhe kundër një pjese të madhe të vjershave të veta të botuara më herët. Titulli Çlirimi nga ikja dhe nocioni kundërvjershë flasin për një tezë, për një program; për lirikën e re gjermano-folëse që Friedi, ashtu si edhe Rymkorf dhe Enzesberger, e sheh si një ikje nga realiteti. Ai kritikoi fërkimet e poezisë së vet të mëhershme me folklorin dhe traditën e romantizmit. Lufta e Dytë Botërore, shkretimi i qyteteve, kërcënimi në rritje nga armët bërthamore, kishin ndryshuar çdo gjë në botë. Në rastin e Friedit, temat, formën dhe ritmin e poezisë.
Një shembull për largimin e Friedit nga forma konvencionale e krijimtarisë së mëhershme është, mes të tjerash, edhe vjersha Pasi që, e rishkruar më 1958. Në versionin e parë koha e pasluftës “pikonte helm” në formë të “qyteteve të djegura”. Duke përdorur motive nga natyra, ku era bëhet subjekt, apo mitologjike, ku pema luan rolin e dashnorit… shkëpusim prej kësaj vjershe dy strofat e para:
Atëherë vijnë gocat
Nga qytetet e djegura
Në veshjen e tyre
Ndahet era me shkurret
Dhe ca prej tyre zgjedhin pemën si dashnor
Dhe ca një shtazë
Theren gjallesa
Të çuditshme
Kundërvjersha quhet A po vazhdon jeta? Kjo vjershë nuk e ka strofën e fundit. Friedi e ka fshirë pamjen ngushëlluese (Dhe malet shtrihen prapë deri në det). Në këtë rast groteskja poetike e realitetit është shumë më e fuqishme:
Ndoshta çdo gjë do të jetë ndryshe:
Ato do të mbeten galiç
Me kokërdhokë sysh të shkrirë
Në atë që do të teprojë nga qytetet
Dhe do të harrojnë se çfarë ishte dashuria
Dhe kanë për të blegëritur pas ushqimit
Në rezervat e mbetura
Poshtë kufomave në shpërbërje
Nga impresioni i parapërfytyrimeve të tilla nuk ka kthim mbrapa – drejt lirikës konvencionale. Friedi i krijon këto pamje duke e rikthyer unin lirik. Të jetosh apo të jetosh, ku Friedi vë në përdorim përvojën me Holokaustin, shpalljen sistematike të të qenit i pavlerë për të jetuar, në radhë të parë të hebrenjve, të pasuar nga shkatërrimi po aq sistematik i të gjithë të shpallurve “të huaj”. Nga e kaluara atij i ka mbetur vetëm Diku po vazhdon të jetojë / Derisa të mos ketë vdekur. E ardhmja është e përcaktuar nga Urrejtja kundër vdekjes dhe ndërgjegjësimet se jeta nuk është më si më parë Dhe se nuk po jetoj më fare/ Për sa ajo diku / Jeton… teksti është më i fortë se “uni”. Ai e fut në hije urrejtjen subjektive kundër vdekjes në emër të një të ardhme më njerëzore. Strofa e dytë përfundon si e para: Derisa të mos ketë vdekur, duke i njësuar në një jetë dy llojet e jetës, asaj para dhe asaj pas Aushvicit. Në shumë vjersha Friedi përdor paradoksin duke luajtur me parapërfytyrimin e lexuesit.
Për Friedin është e rëndësishme tendenca e një zgjidhjeje në një kohë që ajo nuk është në dukje. Vjershat e tij paralajmëruese e përpunojnë këtë tendencë edhe nga ana formale. Vjersha Rrugëdalje është e ndërtuar si paradoks, duke e përdorur njëkohësisht formën ciklike (“kyklos”, përsëritja e rreshtit të parë në fund), një formë e mbyllur, që e pamundëson daljen nga vjersha.
Duhet të ketë një rrugëdalje
Nga besëtytnia
Që gjithmonë beson se
Duhet të ketë një rrugëdalje
Shumë vjersha aforistike, për shkak të gjatësisë së tyre (të shkurtër), të quajtura edhe lakonike, përdorin të tilla figura të njohura nga tradita e retorikës. Vjershat paralajmëruese duhen kuptuar si ekzagjerime të vetëdijshme që shpresojnë të kundërshtohen ose të rrëzohen nga jashtë. Lirika e Friedit është pothuajse e flakëruar nga besimi se kjo gjë është e mundur. Sarkazmat dhe ironia e tij janë më shumë një paralajmërim nga vrazhdësia sesa një kapitullim përballë saj.
Kur gurëve
Ju patën thënë
Bëhuni të njerëzishëm
Gurët u përgjigjën
Ne ende nuk jemi
Të fortë sa duhet
Mësimi i jetesës, lirika pas Aushvicit
Të shkruash vjersha pas Aushvicit është barbarizëm kishte deklaruar në vitin 1951 filozofi i madh Theodor von Adorno, pohim të cilin ai e ndryshoi disa vjet më vonë. Këtij diskutimi të lidhur edhe me emrat e Paul Celanit dhe Bertolt Brechtit, nëse pas Aushvicit mund të shkruhen ose jo vjersha, Friedi i shmanget duke e shndërruar në paradoks: Mos më uroni fat / Për fatin / Që po jetoj. Formula qendrore te Faji i pafajësisë përdor paradoksin si një formulë që nuk lejon paqe, që në të njëjtën kohë tërheq e dëbon dhe nga e cila përherë rilind keqkuptimin, pavarësisht se sa herë dhe si është kuptuar përmbajtja. Në një shkrim të titulluar Të vdekurit e mi, Friedi, 24 vjeç, reflekton mbi mbijetesën e vet: E di se shumica prej tyre kanë vdekur. Cili tamam ka vdekur nuk e di, prandaj jam tepër i pasur me të vdekur. Tepër i pasur. (…) Dua që të vdekurve të mi me fjalë t’u ngre një përmendore. E njoh vetëm një numër të vogël varresh dhe shumicën prej tyre nuk kam për ta njohur kurrë. Nuk dua të jetoj me të vdekurit e mi…
Formula e Hijet e jetës, njëkohësisht titull i përmbledhjes së vjershave të botuara në vitin 1981, vë në dyshim thënien se “bota është për të gjallët”. Përmbledhja mbyllet me vjershën Një nxënës i keq. Konsekuenca të cilën Friedi e nxjerrë nga kjo situatë, për të jetuar dhe shkruar poezi edhe pas Aushvicit, është shprehur në titullin e vjershës Ku mësojmë të jetojmë? – pyet Friedi, duke thënë, në të njëjtën kohë, se përpjekjet nuk mund të marrin fund me Të jetuarit e së mësuarës, ku mësojmë. Ky qëndrim i Friedit i bëri të rinjtë adhurues të flaktë të tij.
Angazhimi dhe forma kritike
Aty ku e keqja shndërrohet në të përditshme, aty kundërvënia shndërrohet në obligim – thotë Bibla, por edhe Bertolt Brechti në vjershën Për pasardhësit:
E dimë që:
Fytyra shtrembërohet
Edhe nga urrejtja ndaj së ligës
Edhe hidhërimi për të padrejtën
E bën zërin të çjerrë.
Ah, ne
Që mbi tokë deshëm të mbillnim
Miqësi
Nuk arritëm as vetë të ishim miqësorë
E thotë Bibla dhe e thotë Brechti, por jo edhe Friedi. Qëndrimi i Friedit nuk njeh tolerancë ndaj “dhunës së justifikueshme”. Ai refuzon çdo angazhim që për hir të një ideologjie shndërrohet në dhunë. Në përmbledhjen e tij Në mesin e armiqve anësorë (1970) ai e ironizon luftën e krahëve të djathtë e të majtë politikë, duke e cilësuar barbar çdo formë të programit ortodoks. Përmbledhja hapet me vjershën:
I zënë me luftën time
Kundër armikut kryesor
U vrava nga armiku im
Anësor
Jo befas ose nga pas
Siç pohojnë armiqtë e tij kryesorë
Por nga anash
Ku ai ishte pozicionuar prej kohësh
Me gjithë angazhimin e tij për “jetën”, në vjershat e Friedit nuk ka agjitacion e propagandë për të, siç edhe nuk ka çaste të parashikimit. Tipik është duktusi – (mbyllja e vjershës) Liria e pushtetit, ku Friedi përdor një formë shprehjeje që vetëdenoncohet si gabim ose gënjeshtër. Duke parashtruar si kusht një vetëdije kritike të lexuesit ndaj gjuhës e lë për në fund zgjidhjen: Liria nuk sundon.
Përmbledhja Edhe Vietnami e pastaj? e shndërroi Friedin në sytë e opinionit në një poet politik, në një figurë drejtuese të opozitës joparlamentare, rol të cilin e pranoi. Vjersha Keqësim është shkruar si anamonë, një teknikë lidhëse ku fjala e fundit e një rreshti përsëritet e para në rreshtin pasues. Kjo formë bart në vete dhuntinë e cila atë që në hyrje të vjershës të këndonte donte e kthen në vrasës në fund të saj. Duke parë gjithmonë mbrapa dhe pa lejuar shkëputje, e shkuara ngjyros të tanishmen deri në atë masë sa ato në një çast të caktuar shkrihen në një, nuk dallohen më nga njëra-tjetra. Kundër njëanshmërisë, për hir të së shkuarës, është e drejtuar edhe vjersha Pyetje për Izraelin, një vjershë që atij kurrsesi nuk i ka krijuar vetëm miq dhe duartrokitje, e sidomos jo vetëm në Izrael.
Poet i realitetit gjuhësor
Loja e Friedit, me gjuhën dhe format figurative që përdor në krijimtarinë poetike, përpiqet ta zgjojë vëmendjen kritike të lexuesve. Edhe pretendimi tradicional për përjashtimin e funksionit në art është pjesë e programit të tij. Autonomisë së estetikës Friedi i vë përballë një tekst të shkurtër me titull Mosarritja e kuptimit në art. Në vjershë domethënia has në qorrsokak, tautologjizmi i kësaj fjale nuk krijon gjë tjetër veçse zbrazëtirë.
Erich Frid shumë shpejt largohet nga “kanuni” i formës, duke ndërtuar mostra të reja vjershërimi, të cilat në një masë të madhe janë të frymëzuara nga figurat retorike. Krijimtaria e tij lirike mund të përshkruhet formalisht si “paqe në mes të retorikës dhe poezisë”. Në traditën e lirikës amerikane, p. sh., ky çast paqeje nuk është i rrallë. Ndarja strikte e këtyre dy formave të shprehjes ishte më shumë një veçori e hapësirës gjermano-folëse. Në lirikën e Friedit një vend të rëndësishëm zë edhe bindja se gjuha është një pjesë e madhe e realitetit tonë që shprehet nëpërmjet saj dhe mund të interpretohet në formë teksti. Një lirikë e cila bazohet në Fjalime, Parafjalime, Prapafjalime (siç vërehet në krijimtarinë e Brechtit, Enzesbergerut, Rühmkorfit dhe Friedit) i afrohet shumë më tepër realitetit se çdo parullë partiake, Malli për fjalë.
Duke marrë dialogun si bazë, vjershat e Friedit na bëjnë shumë shpesh të dyshojmë në mostrat të cilat na i ka mësuar realiteti. Këtë çast ai e emëroi Montime, ku subjekti, duke qenë në masë të konsiderueshme i përbërë nga gjuha, në asnjë mënyrë nuk është zot i saj.
Vjershat e dashurisë fitojnë intensitet të madh në vargun Me sy të mbyllur të presësh nga vjersha Stërvitja e mrekullisë duke ndërmjetësuar ndjenjën se jeta ka edhe përbërës të pandërmjetësueshëm nga gjuha. Tautologjia e përdorur nuk mund të kuptohet si gabim, varfëri gjuhësore ose mungesë fantazie, por refuzim nga ana e autorit për ngjarjen në fjalë dhe përpjekje për ta zvogëluar dhimbjen duke e shndërruar atë në “fjalë”. Në këtë mënyrë Friedi i del në mbrojtje pastrimit të emërtimit të së paemërtueshmes, përshkrimit të së papërshkrueshmes. Ndoshta, po ashtu, siç vajza në pikturën e Pikasos Fëmija me pëllumb e mbron shpendin, me brishtësinë e saj. Në formë të ngjashme është shkruar edhe vjersha Ty.
Kjo formë shprehjeje mund të emërtohet me parimin e Friedit për “realitetin gjuhësor” dhe refuzimin e metaforës si mjet përshkrues Ti më je si një gonxhe siç ishte në lirikën tradicionale.
Vjershën e titulluar Biografi, shkruar në prag të vdekjes që po i afrohej, Friedi e shndërron në një nekrologji në kohën e tashme, me përjashtim të fillimit dhe fundit ku përdoret koha e pakryer e thjeshtë dhe koha e ardhme, në të dyja rastet, si formë refuzuese për “duktusin” poetik të përshkrimit: Unë nuk isha as gur as re / as kambanë as zile / Dhe nuk kam për të qenë ndonjëherë gur / as re as kambanë. Ky mohim i praktikës së vjetruar të krahasimit metaforik është një konsekuencë e një morali poetik që, duke u larguar nga pikturimi metaforik i pamjeve dhe duke lënë hapësirë që gjërat mund të jenë edhe ndryshe, paraqet një koncept poetik dhe jetësor të humanistit të angazhuar, moralistit politik, dashuruesit të pakompromis të paqes, barazisë dhe lirisë, njohësit dhe përkthyesit brilant të veprave të Shekspirit dhe, së fundi, pa asnjë dyshim, njërit nga poetët më konsekuent modern, Erich Fried.
Erich Fried vdiq më 22 nëntor të vitit 1988, në moshën 67 vjeçare, nga kanceri. Trupi i tij pushon në varrezat “Cansel Green” në Londër. Trashëgimia e tij letrare administrohet nga Arkivi i Bibliotekës Kombëtare në Vjenë.
(Librin “Njëri nga ata që mbijetuan” e ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni”, kurse e ka përkthyer Ismet Daci)