Një polic i plagosur gjatë operacionit në veri
Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili, deri më tash, ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve.
Të ndaluarit dyshohet se janë të përfshirë në disa vepra penale, përfshirë: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit, tregti e ndaluar e të tjera.
“Përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha për Radion Evropa e Lirë se një zyrtar policor është i plagosur, porse është jashtë rrezikut për jetën.