NJË PRESIDENT QË NUK MUND TË ANASHKALOHET
Shkruan: ISMAIL SYLA
1.
Fuqia dhe turri i sulmeve ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në prag të fillimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 7 shtator 2018, ma ndezi një llambë të fjetur në tru dhe më bëri një efekt ndriçues, kur u lidh me ceremoninë modeste të varrimit të Adem Demaçit. Që nga 26 korriku kur ndërroi jetë ky atdhetar idealist deri më datën 28, intuita më thoshte se nuk do të ketë pjesëmarrje të madhe të njerëzve në varrimin e tij. E dija se ata që marrin pjesë, janë puro idealistë, njerëz që pa hile ia bëjnë një argat njeriut që e shkriu tërë jetën për idealin e lirisë së Kosovës.
Adem Demaçi nuk kishte struktura partiake, që kur të aktivizohen nga thirrja publike ose pëshpëritja e nëndheshme dinë ta lëkundin dheun. Varrimi modest i Adem Demaçit nuk shpjegohet me mungesë nxënësish e studentësh në periudhën e pushimeve verore. Ai nuk kishte emëruar as drejtorë, as ministra, as batalione zëvendësministrash, as zyrtarë të tjerë në borde, as kishte rekrutuar njerëz në punë, administratë, kompani fitimprurëse etj.
Varrimi i zbehtë i Adem Demaçit i ka rrënjët më thellë. Te dy shkolla. Shkolla e frymës jugosllave që atë e trajtoi 30 vjet si “armik”, shkolla e vazhdimit jugosllav që e mpirë ende nga hipnoza e përsëritjes vazhdoi ta konsiderojë “armik” edhe në periudhën pas lirimit nga burgu 1990 e tutje. Varrimi modest i Adem Demaçit tregoi më së miri se sa e hollë në përmbajtje është shkolla tjetër, ajo kombëtare, e cila me motive të pastra atdhetare ka sakrifikuar së paku diçka, por edhe shumë për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
2.
Kjo shkollë i përgatiti të gjitha mjetet, thikat, bisturitë, shpatat, intrigat, propagandën dhe të gjitha llojet e etiketimit kundër forcës politike ushtarake që ndërroi kahen e historisë së Kosovës në vitet 1998-1999, pra kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fatbardhësisht, UÇK-ja doli fitimtare, si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet. Doli ngadhënjimtare mbi doktrinën ushtarake jugosllave, mbi diplomacinë qindvjeçare serbe dhe mbi të gjitha arriti, në bashkërendim me botën demokratike, që nga Kosova ta largojë policinë, ushtrinë dhe administratën serbe.
Kjo kthesë historike, natyrisht që prodhoi një lidership të ri politik. Të ri në moshë dhe me energji e potenciale të reja. Ky lidership i ri, e trandi edhe themelin e shkollës jugosllave, por jo edhe mentalitetin e saj, që është një alter-godinë mendore më rezistuese. Lidershipi i UÇK-së hyri në dyert e mëdha të skenës, së cilës nuk iu gëzuan të gjithë dhe nuk e duartrokitën në asnjë çast. Përkundrazi, ky mentalitet që kishte satanizuar Demaçin me vite të tëra me konsistencë të përhershme kultivuan urrejtjen kundër drejtuesve të UÇK-së, duke ia veshur çdo të keqe UÇK-së në periudhën pas luftës. Dhe kjo shkollë tejkaloi çdo lloj të paradoksit. Ajo më shumë kënaqet me kriminalizimin e UÇK-së, duke përgatitur dosje dhe dokumente kundër lidershipit të saj, se me ndëshkimin e mundshëm dhe të domosdoshëm të krimeve serbe në Kosovë.
3
Kontributi historik i personaliteteve kyçe në historinë e kombeve, deshën ose jo ata që pajtohen me ta ose nuk pajtohen në asgjë, në një moment marrin “statusin” e dukurisë natyrore. Ata janë dhe nuk zhbëhen, ashtu si nuk zhbëhet bjeshka, lindja e Diellit, oqeani etj. Sipas kësaj logjike, sot, figura më e sulmuar nga kjo frymë është presidenti Hashim Thaçi. Emri më i përmendur, në tituj portalesh, në gojë të analistëve, në opinione të deputetëve opozitarë, të politikanëve të opozitës. Frekuenca e përdorimit të emrit të tij nga dukuri sociale dhe politike, sikur po bëhet dukuri natyrore. Hashim Thaçi është fajtor edhe kur bubullon dhe bie breshëri në vreshta. Me të lind e perëndon dita e portaleve, me të ngrysen dhe gdhijnë “opinion bërësit” politikë të Kosovës. Ai është e vetmja “fatkeqësi” e Kosovës.
Kundërshtarët e tij jetikë ndoshta nuk kanë faj kur shohin qëndrueshmërinë tij politike. Dhe ai, padyshim ka shumë pika të forta në biografinë e tij, si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë politik e diplomatik, që oponentët i bën të jenë nervozë. Hashim Thaçi u rrit me pozicionim aktiv ndaj realitetit të Kosovës. Në moshën studentore ai diti t’i kundërvihet shtyllave kryesore të sundimit serb të Kosovës, policisë dhe ushtrisë serbe. Ai u dënua në mungesë nga gjykata serbe për veprimet e bëra kundër segmenteve kryesore të sundimit të Kosovës. Me drejtimin politik të UÇK-së, përmes Konferencës së Rambujesë, u mund politikisht dhe ushtarakisht Beogradi, duke e nxjerrë Serbinë jashtë Kosovës. Dhe pas një periudhe tranzitore të Kosovës së lirë dhe demokratike i filloi bisedimet me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve (2011 deri më sot).
Ky qëndrim aktiv dhe pozicionim historik përballë Serbisë Hashim Thaçin e bën njeriun më adekuat, më reprezentativ për ta çuar deri në fund procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Rezervuari i kontributit kombëtar i jep imunitet të mjaftueshëm në ballafaqim me shtetin e Serbisë. Derisa në Kosovë liderë me profil të pa përmbushur patriotik, e kontestojnë Hashim Thaçin, Beogradi është i bindur se pajtimi me Kosovën arrihet pikërisht në marrëveshje me linjën e arrës së fortë, (ish UÇK-ja) ajo që ia theu dhëmbët asaj Serbie që e sundoi Kosovën për një shekull (Millosheviqi, bashkëkohësit e tij dhe pararendësit e tij).
Qëndrueshmëria e tij politike dhe afatgjatë, u tregua që nga 17 nëntori 2007, duke fituar në mënyrë të pastër zgjedhjet, duke bërë koalicion me parti antagoniste për hir të interesit kombëtar, stabilitetit dhe forcimit shtetëror të Kosovës. Hashim Thaçi instaloi guximin e krijimit të koalicioneve me gjithë spektrin politik që është i interesuar t’i forcojë themelet e shtetit të ri të Kosovës. Ky vizion pragmatik bëri që ai ta rris qëndrueshmërinë politike më gjatë se çdo lider tjetër në hapësirat shqiptare.
Kjo qëndrueshmëri ka bërë që Hashim Thaçi, si lider legjitim dhe si burrështetas të ketë të drejtën e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, deshën apo nuk deshën oponentët e tij. Duke kaluar koha, duke u thelluar përvoja dhe barra e përgjegjësive institucionale, në kapacitete të ndryshme (kryeministër, ministër i jashtëm, president) Hashim Thaçi është figurë politike reprezentative e pranuar edhe e vlerësuar lart nga aktorët kryesorë, nëpër të cilët ka kaluar liria dhe pavarësia e Kosovës.
Referencat që vijnë nga këta aktorë mbështeten mbi një bazament historik. Për shembull: ish zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të BE-së për Kosovën Albert Rohan, thotë: “Hashim Thaçin e takova për herë të parë kur bëra një vizitë partisë së tij në shkurt 2000, pas përfundimit të luftës dhe doja ta pyesja se ku qëndronte në spektrin politik partia e tij, apo cilës familje politike të Evropës do t’i bashkohej. Thaçi më tha se partia e tij ishte e qendrës, por ishte e qartë se vëmendja e tij ishte te çështja më e madhe, e që mbi të gjitha ishte pavarësia e Kosovës, e jo detyrimisht pozicionimi ideologjik i partisë së tij… Në atë rast ai më tregoi që po përballej me pyetjen se çfarë mund t’i jepej palës serbe që të bëhej pavarësia e Kosovës e pranueshme? Mendova, ishte e jashtëzakonshme që një lider politik i Kosovës, që kishte kaluar një përvojë shumë tragjike në vitet e mëhershme, po mundohej të vendoste veten në pozicionin e palës tjetër dhe të merrte parasysh interesat e saj. Për mua kjo ishte shenjë e një burrështetasi dhe një urtësie politike” (Vjenë, 30 maj 2018).
Kjo urtësi politike, e vlerësuar nga një mendje evropiane, e shpjegon shumë mirë vizionin universal dhe humanist të presidentit Hashim Thaçi, kur vizitoi pllakat cirilike serbe në Kosovë. Nuk ishte përkulje ndaj atyre, që vdekjen e viktimave serbe e shihnin si pasojë të NATO-s dhe “terroristëve” shqiptarë, por ish bartje e mesazhit se UÇK-ja dhe Kosova ka luftuar në tokës e saj, për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ishte mesazhi i palës që di të ofrojë paqen në vend të luftës, pajtimin në vend të hakmarrjes, miqësinë në vend të krimit. Në fund të fundit ishte tregues se UÇK-ja, dhe lufta e drejtë e Kosovës ishte veprim fisnik, sakrifikim për vlera sipërore, një vetëmbrojtje e atdheut brenda hapësirës së atdheut.
Në planin ndërkombëtar, presidenti Hashim Thaçi mbetet figurë e patejkalueshme e realitetit politik të Kosovës. Sipas diplomatit austriak që në vitet e luftës ishte në kërkim të lidershipit vendimmarrës dhe real të UÇK-së, Wolfgang Petritsch: “Hashim Thaçi shkroi një kapitull të rëndësishëm në historinë bashkëkohore të Evropës përmes dy ngjarjeve kryesore: duke i prirë Kosovës drejt shpalljes së pavarësisë së saj dhe, pesë vjet më pas, drejt marrëveshjes historike mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve midis dy fqinjëve” (Vjenë, 15 janar 2015).
Kjo përmasë evropiane e presidentit Hashim Thaçi, del edhe më e plotë në vlerësimin e gazetarit të famshëm britanik Roger Boyes. Del fryma e tij pro-amerikane. Atlantizmi. “Në Kosovë ne kemi një president atlanticist, një njeri i cili është absolutisht i vendosur që ta shtyjë Kosovën drejt një grupi vlerash perëndimore … Kosova ka edhe një rrugë të gjatë për të bërë dhe mendoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë. Mendoj se Kosova ka gjetur njeriun me durim strategjik për ta përmbyllur rrugëtimin”, thotë Boyes. E, një përmasë e tillë, fillimisht e bazuar tek individi, e tejkalon atë dhe merr shtrirje rajonale: “Ideja e vjetër se Ballkani është i huaj dhe ballkanasit të egër, i takon tashmë të së kaluarës pjesërisht për shkak të atlantizmit të Kosovës, përpjekjeve të saj për t’i dhënë fund konflikteve të vjetra. (Londër, 13 mars 2018).
4.
Në Kosovë, sado vend me histori të trazuar, me robëri të thellë historike, me sundim të gjatë serb dhe jugosllav, pas vitit 1999 e deri më sot megjithatë funksionon mekanizmi i demokracisë. Askush nuk mund të vërë monopol, mbi shtetin, institucionet, mediat. Kontroll diktatorial. Liderët dhe partitë politike nuk vegjetojnë në terren të garantuar politik si në ish vendet e bllokut socialist, me çerek ose gjysmë shekulli mbetje në pushtet. Pararendësi i presidentit Thaçi, Ibrahim Rugova e pati periudhën e artë të tij, pa mekanizma frikësues. Ishte fuqia elektorale ajo që e mbajti në skenë. Sot, po ajo fuqi e verifikuar politike, po ajo klimë demokratike në sa e sa zgjedhje e mban në pozicion politik aktiv presidentin Thaçi.
Por, edhe njëherë të mos e harrojmë çështjen e dy shkollave. Derisa shkolla kombëtare në të shumtën e rasteve di të meket, të bie në letargji, shkolla jugosllave nuk pushon asnjëherë. Ja dy shembuj: Pronarja e Kompanisë KOHA në serinë e shkrimeve të saj gjithmonë ankohej sa herë PDK-ja e drejtuar nga lideri Hashim Thaçi i fitonte zgjedhjet. Sapo përfundonin ato, ajo thërriste për zgjedhje të reja, por kujtohej në një moment, se edhe po u mbajtën sërish i fiton Thaçi, sipas saj “me manipulime”. Por, kompania KOHA nuk mjafton që ta luftojë presidentin Thaçi vetëm me fuqinë e gazetës së përditshme, me gazetarë agresivë që përfillin politikën redaktuese kundër tij. Ajo ka edhe një aset tjetër, botimin e librave nga “shkrimtari” Veton Surroi. Botimi i librave kundër Hashim Thaçit vërteton përmbysjen e rregullave dhe parimeve të estetikës të së shëmtuarës. Ato libra fatkeqësisht nuk janë kurrfarë herezie, janë shëmtim pa estetikë. Janë një seri e artë librash larg frymës njerëzore, që kënaq dhe përmbush kriteret për kolonën e librave antishqiptarë të mendimit të historiografisë, letërsisë dhe publicistikës serbe për shqiptarët si qenie nën-njerëzore (subhumane).
Shkolla jugosllave sot ka shpërthyer me tërë tërbimin e saj. Ajo në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës alarmonte opinionin publik, se një akti i tillë nxit eksodin e serbëve nga Kosova, e sot alarmon se demarkacioni me Serbinë bën që serbët të shpërngulen. Më shumë i preokupon pozicioni serb se interesi nacional i Kosovës.
Por, në tërë këtë betejë joparimore një gjë ka rëndësi. Logjika e çdo veprimi shtetformues të Kosovës i ka nxjerrë të gabuara të gjitha pandehmat e tyre. Rezerva dhe kontestimi që i bëjnë çdo të arriture të Kosovës mbështetet në faktin që nuk janë subjekt i bërjes së historisë së Kosovës Njëqind vjet të inferioritetit gjoja nga supermacia e diplomacisë dhe politikës serbe, i ka vënë vazhdimisht dhe po i vë edhe sot në lajthitje.
5.
Sigmund Frojd me teorinë klinike psikanalitike ka krijuar fenomenin e matjes së pasardhësve me të. Janë tri përballje me të, matja me të dhe pajtimi me të, matja dhe rënia para tij, duke kuptuarit sa je i vogël krahasuar me të dhe kundërshtimi i tij, i Sigmund Frojdit, gjithnjë duke vënë në pah madhështinë e tij.
Hashim Thaçi, po ashtu ka një fat të tillë. Ai është bërë referencë e patejkalueshme, duke u shndërruar në një bukë biblike, ushqim themelor i mbajtjes së shpirtit, bukë e përditshme e titujve të gazetave, e analistëve, e portaleve, e armatës së ziliqarëve. Kështu, ai është bukë metaforike e atyre që janë në linjë me të, për aleatët e përhershëm, për ata të përkohshëm, por edhe ata që nga aleatë i bëhen kundërshtarë. Përpos kundërshtarëve të natyrshëm, edhe ky lloj i kundërvihet, e gjen në krye të artikujve të portaleve e të gazetave, tash me synim për ta rrënuar atë, për ta përmbysur dhe rrëzuar përdhe.
Hashim Thaçi, si çdo qenie njerëzore, nuk është se është i pazëvendësueshëm. Më duket shumë realist mendimi i kryeministrit Haradinaj, njerëzor dhe pa pikë kalkulimi spekulativ kur thotë se në cilësinë e kreut të qeverisë nuk ka kohë të merret me dialogun e Brukselit. Historia ushtarake, politike, diplomatike, Hashim Thaçin e ka bërë një lojtar të domosdoshëm, me energji të pa harxhuar, me imunitet të plotë dhe legjitimitet të natyrshëm për të qenë i pari i Kosovës për dialog me Serbinë, pavarësisht miqve të tij, aleatëve, kundërshtarëve të butë ose të ashpër, çfarëdo që të jenë.
Prishtinë, 3 shtator 2018