
Një proces historik i pambyllur!
Shkruan: Hisen Berisha
Më 1 dhe 2 mars, po bëhen 33 vite që kur shqiptarët e Kosovës Lindore dhe viset tjera shqiptare në Serbi, Malësinë e Ulqinit në Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi, votuan në një referendum historik për Autonomi Territoriale-Politike. Ky akt plebishitar i vitit 1992 shënoi një moment të rëndësishëm në rrugën e vetëvendosjes kombëtare dhe mbeti një udhërrëfyes për të ardhmen politike të shqiptarëve në këto troje.
Megjithatë, 33 vjet pas këtij referendumi, statusi politik i shqiptarëve etnikë në trevat e tyre autoktone mbetet i pazgjidhur.
Në Kosovën Lindore, lufta e UÇPMB-së e ndërkombëtarizoi çështjen e shqiptarëve atje, duke kulmuar me Marrëveshjen e Konçulit, por ajo nuk e përmbylli tërësisht procesin politik të nisur me referendumin e datës 1 dhe 2 mars 1992.
Për më tepër, partitë autonomiste që organizuan këtë referendum dhe që ndërtuan identitetin politik të shqiptarëve të këtyre trevave, si dhe vizionin për pavarësi, janë diskriminuar dhe margjinalizuar.
Gjendja e shqiptarëve në këtë rajon është përkeqësuar ndër vite. Kosova Lindore mbetet rajoni më i pazhvilluar dhe më i diskriminuar në Evropë.
Diskriminimi me elemente gjenocidi – zhdukjes sistematike përmes politikave diskriminuese – po vazhdon me metoda të sofistikuara, si pasivizimi i adresave, diskriminimi sistematik, mohimi i statusit të shtetësisë, spastrimi etnik dhe shkelja e të drejtave individuale dhe kolektive, të cilat janë bërë përditshmëri.
Kësaj kauze serbe po i shërbejnë edhe politikat zyrtare të Kosovës, duke vepruar gabimisht, ashtu siç bëri qëllimshëm Partia Komuniste e Shqipërisë, me kërkesën e Partisë Komuniste Greke, në vitin 1951, duke u dhënë me procedura të lehtësuara statusin e shtetësisë çamëve të shpërngulur nga dhuna gjenocidiale greke në vitin 1945, me çka edhe u zhbënë çamët.
U bë një përpjekje për asanimin e situatës, por tashmë ishte vonë.
Me Ligjin për statusin e shtetësisë të Republikës së Kosovës po veprohet njësoj, në emër të pseudopatriotizmit dhe diskriminimit pozitiv, duke ua lehtësuar – shkurtojnë procedurat për dhënien e statusit të shtetësisë së Kosovës shqiptarëve nga Kosova Lindore, dhe kështu do ta kenë fatin e çamëve.
Jugu i Serbisë, Kosova Lindore, Sanxhaku, Nishi, Rashka e Prokuplja, të gjitha këto zona shqiptare, dikur me popullatë shumicë, sot janë viktima të asimilimit dhe represionit dhe gjenocidit shtetëror serb.
Ndërkohë, Serbia nuk mund t’i shmanget lëvizjeve për autonomi në rajonet e jugut dhe veriut, përfshirë Vojvodinën, ku narracioni për Republikën e Vojvodinës nuk është tabu më.
Në këtë kontekst, shqiptarët e Kosovës Lindore duhet të kërkojnë me vendosmëri të drejtat e tyre, me fjalë dhe, kur është e nevojshme, me vendosmëri e përkushtim, duke mbajtur të gjallë vizionin politik të referendumit të 1992-së.
Një shembull i qartë i përpjekjeve për të mbajtur të gjallë këtë frymë ishte angazhimi i shqiptarëve në Greqi e diasporë (çamë e arvanitas).
Prijësi i çamëve, Festim Lato, shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Çamërisë në Kuvendin gjithëçam që u mbajt më 30 tetor 2016, në Hagë të Holandës, ku e kishte selinë qeveria e tyre në ekzil.
Ata ndërmorën shumë nisma politike, diplomatike dhe lëvizje demonstrative për ndërkombëtarizimin e çështjes çame. Në rrugën drejt zbardhjes së çështjes çame, ai u eliminua nga shërbimi grek pikërisht sepse guxoi të sfidonte politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve në Greqi.
Ky rast tregon se shtypja e aspiratave shqiptare mbetet një realitet i hidhur në rajon.
Në këtë përvjetor të referendumit mbarëshqiptar të vitit 1992, kjo çështje nuk duhet parë si një kapitull i mbyllur, por si një proces që duhet të vazhdojë deri në realizimin e plotë të të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve në gjashtë shtete përreth Shqipërisë Londineze, që portretizohen si amanet i historisë në gjashtë yjet e flamurit të Kosovës.
Në vend që qeveria e Kosovës të diskutojë reciprocitetin për serbët në Veri, produkt i politikës kolonizuese të Rankoviçit, duhet të kërkojë me të njëjtën forcë të drejtat e shqiptarëve autoktonë në Kosovën Lindore.
Me po këtë mision, nga Tirana zyrtare duhet mbrojtur statusi i popullit shtetformues autokton të shqiptarëve në trevat e tyre në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, ku ata edhe e garantojnë ekzistencën e këtyre dy shteteve.
Çdo tendencë për mostrajtimin e tyre me këtë status do të vërë në pikëpyetje vetë ekzistencën e këtyre shteteve, përkundër faktit që emrat kushtetues i kanë trashëguar nga toponimia onomastike shqiptare.
Me po këtë dimension Tirana zyrtare duhet t’i çaset çështjes shqiptare në trevat autoktone në Greqi.
Në vend që qeveria e Tiranës të diskutojë reciprocitetin për grekët në Jug, duhet të kërkojë me të njëjtën forcë të drejtat e shqiptarëve autoktonë, çamëve dhe arvanitasve, në Greqi.
Prandaj, ky përvjetor duhet të shërbejë si një thirrje për angazhim të ri politik dhe diplomatik, për Prishtinën dhe, me theks, për Tiranën (si detyrim kushtetues), për të mos lënë në harresë një proces që mbetet jetik për të ardhmen e shqiptarëve në rajon.