Një pronë e APK-së, afër objektit të qeverisë, i kthehet Ministrisë së Bujqësisë
Pas më shumë se 20 vitesh, prona e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës e cila gjendet në qendër të Prishtinës, në afërsi të objektit të Qeverisë, i kthehet titullarit të saj, pra Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Me përkushtim dhe vendosmëri të të gjithë akterëve dhe me iniciativën e vazhdueshme të ministrit të BPZhR-së, Faton Peci dhe përpjekjet e tij që të mbajë premtimin e dhënë për rikthimin e pronave të MBPZHR-së edhe kjo pronë iu kthye pronarit legjitim të saj, për t’u shfrytëzuar për nevojat e institucionit.
“Jemi të angazhuar për të siguruar që të gjitha pronat që i takojnë ligjërisht MBPZHR-APK të merren në posedim dhe të menaxhohen në mënyrë efektive dhe nuk do të ndalemi deri në rikthimin e të gjitha pronave të tjetërsuara”, tha ministri Peci.
APK pas identifikimit ka rikthyer në posedim të saj pronën/objektin prej 138 m² në Prishtinë, e cila sipas Ligjit për Pyjet i aprovuar vitin e kaluar, është pasuri shoqërore që i takon dhe i kalon për menaxhim Agjencisë Pyjore të Kosovës.