“Një puthje prej Jude” del në dritë

15 nëntor 2019 | 15:56

Poetja deçanase Leonora N. Lokaj ka botuar librin e tretë poetik “Një puthje prej Jude”, pas dy të mëparshmëve “Ta zgjoj botën nga mëkati” (2014), “Vrapoj gjurmëve të diellit” (2016). Disa prej këtyre poezive të këtij libri kohë më parë janë botuar në revista, gazeta dhe në vëllime të ndryshme poetike me grup autorësh dhe për ndonjërën poezi është shpërblyer me çmim letrar. Në këtë libër të ri Lokaj ka trajtuar tema dhe motive nga jeta e përditshme e shqiptarit dhe e shqiptares, posaçërisht ka prekur më hollë temën e dashurisë, të tradhtisë, të smirës. Vend në vargjet e saj zë shumë edhe lufta, kujtimet për ndodhitë e vitit 1998 dhe 1999, edhe përkushtimet për personalitete politike, letrare dhe kombëtare si, ta zëmë, për Ibrahim Rugovën, Beg Rizajn etj.

Poezi nga libri i sapobotuar

VOKSH, DRITË E UN-it TIM

Agu i dritës
në kraharorin tënd
duart kryqëzon
hijet e fëmijërisë
vizatuar mbi mure
pikojnë mall

akoma dëgjohet zëri i trisht
i kohëkeqes
mbi dallgë kreshtash
hëna gjinjshtrydhur
gjurmët e gjakut t’i fshinë

Voksh, dritë e unit tim
në këtë vjeshtë thinjedalë
refrenin e mallit këndon
syverbuar si Homeri
rrudhave të ballit
shkruan himnin
për bijtë që do të kthehen
në pranverën e parë

KUJTIMET E ’99-s

Në amfiteatrin e jetës
dramat tragjedi-komike u luajtën
diellin e gjuajtën me plumba
rrezet ia lidhen nyje

nga nënqielli donin ta shkulnin
djersë të ftohta rrokulliseshin ballit
lotpafajësia si ujëvarë zgjatej
gjaku rridhte lumë
kufomat shtriheshin deri mbi vetull
dhe sytë e vdekjes nuk ngopeshin

buka e fundit në magje u gatua
për t’i ushqyer të fundmet shpresa
shpirtëlodhuri u shtri përtokë

në aktin e fundit të tragjedi-komedisë
zogj të fuqishëm fluturuan në qiell
rikthyen ëndrrat e vrara shumëfish
shpresat e kositura miliona herë
sythët e para i qiten në pranverën e ’99-s

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Imer Topanica, poet dhe prozator, ka botuar librin më të…