Një qytet i mbrapshtë
Charles Bukowski
Charles Bukowski ka lindur në Andrenach (Gjermani) më 16 gusht të vitit 1920. Dy vjet pas lindjes së tij e gjithë familja emigron në Amerikë. Vendoset në Los Anxhelos dhe aty Bukowski qëndroi gjithë jetën. E gjithë jeta e tij është e shkruar në libra. Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë e thërrisnin Henk. Ka vdekur më 9 mars të vitit 1994 nga leukemia në San Pedro. Është autor i 34 vëllimeve poetike, i tre romaneve dhe i një skenar filmi. Bukowski njihet si një ndër themeluesit e rrymës “Underground” të shkrimit artistik. Shumë vepra të tij janë përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën shqipe.
Një qytet i mbrapshtë
Frank zbriti shkallëve teposhtë. Nuk i pëlqenin ashensorët. Shumë gjëra nuk i pëlqenin. Më pak i kishte zët shkallët se ashensorët. Sportelisti iu drejtua: “Z. Evans! A mund të vish këtu, të lutem?” Fytyra e sportelistit i ngjante kaçamakut të misrit. Franku mezi përmbahej që të mos i mëshonte. Sportelisti shikoi rreth e rrotull korridorit, pastaj u përkul drejt tij.
“Z. Evans, ju keni qenë në mbikëqyrjen tonë”.
Sportelisti prapë shikoi në korridor dhe, pasi pa që askush nuk ishte në afërsi, atëherë sërish u përkul përpara.
“Z. Evans, ti ke qenë në mbikëqyrjen tonë dhe ne besojmë se ty kanë nisur me të lënë mendtë”.
Pastaj sportelisti u mbështet dhe e shikonte Frankun në sy.
“Po më shkohet në kinema”, Franku tha. “A shfaqet ndonjë film i mirë në qytet?”
“Le t’i përmbahemi temës, z. Evans”.
“Në rregull, kanë nisur me më lënë mend. A ke najsen tjetër?”
“Duam të të ndihmojmë, z. Evans. Besoj se e kemi gjetur një zgjidhje për ty. Deshe ta dëgjosh?”
“Bash mirë, pra, kthemini mendtë!”
Sportelisti u gërmuq përfundi tryezës, më pas nxori diçka të mbështjellë me celofan.
“Ja ku i ke, z. Evans”.
“Të falemnderit!”
Franku e rrasi atë në xhepin e palltos dhe doli jashtë. Ishte natë e freskët vjeshte, ndërsa ai ecte teposhtë rrugës në drejtim të perëndimit. Në rrugicën e parë u ndal, u fut në të. Futi dorën në xhepin e palltos dhe nxori atë sendin e mbështjell, ia hoqi celofanin. I ngjante djathit. E kafshoi një herë. Kishte shije djathi. E hëngri të tërin, pastaj doli nga rrugica dhe prapë ecte rrugës teposhtë.
U kthye në kinemanë e parë që pa, bleu biletën dhe u fut në errësirë. U ul mbrapa. Në sallë nuk kishte shumë njerëz. Vendi kutërbonte në shurrë. Femrat në ekran ishin të veshura si në vitet ’20, ndërsa meshkujt kishin lyer flokët me vazelinë, e të krehura për merak. Hundët e tyre dukeshin goxha të gjata, ndërsa meshkujt dukej se e kishin përdorur rimelin për sy. Bile as nuk ishte film me zë. Fjalët dilnin përfundi filmit: BLANCHE ISHTE E RE NË QYTETIN E MADH. Një tip me flokë të drejtë e të lyera e detyronte Blanchen të pinte me zor nga shishja e xhinit. Me sa dukej, Blanche po dehej. BLANCHES I RA TË FIKËT. PAPRITMAS AI E PUTHI.
Franku shikoi rreth vetes. Dukej se gjithkah meshkujt ia thithnin njëri-tjetrit karin. Në atë vend nuk ishte asnjë femër. Kështu që meshkujt lezetoheshin ndërmjet vete. Dhe as nuk ngurronin e as nuk pushonin. Dukej se nuk lodheshin fare. Meshkujt që ishin vetë dukej se masturbonin. Djathi nuk kishte qenë i keq. Kishte pasur qejf që sportelisti t’i kishte dhënë pak më tepër djathë.
AI FILLOI TA ZHVISHTE BLANCHEN.
Dhe sa herë shikonte rreth vetes njëfarë tipi i afrohej edhe më shumë. Ndërsa kur Franku kthente kokën për ta shikuar filmin, ai farë tipi i avitej për nja 2 a 3 ulëse.
AI ÇOI DASHURI ME BLANCHEN DERISA AJO RRINTE SHTRIRË E HELMUAR DHE E PAMBROJTUR.
Ai prapë shikoi anash. Tipi ishte nja tri ulëse më tej. Mezi merrte frymë. Atëherë tipi u ul pranë ulëses së tij.
“Oh, Zot”, tipi tha. “O Zot, ooo, ooo, oooo, ah… ah! Av, av! Oh!”
KUR TË NESËRMEN U ZGJUA BLANCHE E KISHTE KUPTUAR SE KISHTE QENË E PËRDHUNUAR.
Ky farë tipi kutërbonte sikur të mos e kishte fshirë kurrë bythën. Tipi anohej drejt tij, jargët i rridhnin nga goja.
Franku e preku sustën e thikës:
“Kij kujdes!” i tha tipit. “Po m’u afrove mund të ngulesh keq!”
“O, i madh Zot!” tha tipi. U ngre dhe vrapoi teposhtë rruginës së radhëve të karrigeve, pastaj ecte shpejt rruginës derisa doli në rreshtin e parë. Dy tipa ishin në kulmin e vakisë së tyre. Njëri tip ia tundte karin, tipi tjetër ia thithte. Tipi që e bezdiste Frankun u ul pranë dhe i shikonte.
MENJËHERË PAS KËSAJ VAKIE, BLANCHE U GJEND NË SHTËPINË PUBLIKE.
Atëherë Franku i duhej të pshurrte. U çua dhe u nis drejt shenjës: MESHKUJ. U fut. Goxha shumë kutërbonte aty. Mezi u përmbajt që të mos villte, e hapi derën e nevojtores, u fut brenda. nxori karin dhe nisi të pshurrë. Pastaj i dëgjoi dofarë zërash.
“Ooooooh Zot ooooo Zot ooooh Zot i madh, ky qenka gjarpër, ky qenka kobra, o i madhi Zot, oooh ooooh!”
Ishte një birë në murin që ndante nevojtoret. Ai pa sytë e dikujt. E çoi karucin dhe e shkundi paksa dhe pshurri në syrin e tipit.
“Ooooooh ooooh, o peder i hamamtë!” tha tipi, “ooo ti mut hajvani i përdreqtë!”
Ai dëgjoi se si tipi shqeu një copë letër tualeti dhe fshiu fytyrën. Atëherë ai tipi ia krisi vajit. Franku doli nga nevojtorja, i lau duart. Nuk donte ta shikonte filmin më. Pastaj doli në rrugë, ecte në drejtim të hotelit të tij. Më pas mbërriti në korridor. Sportelisti e përshëndeti me tundje koke.
“Najsen të re?” pyeti Franku.
“Dëgjo, z. Evans, më vjen keq. Sall po tallesha me ty”.
“Për çka e ke fjalën?”
“E di ti”.
“Jo, nuk e di”.
“Paj, në lidhje me atë se kanë nisur me të lënë mendtë. Po pi kohët e fundit, ta dish. Mos i thuaj gjë kujt, se mund ta humbas punën. Ama po pi. E di se nuk kanë nisur me të lënë mendtë. Sall po tallesha me ty”.
“Ama mua përnjëmend kanë nisur me më lënë mendtë”, Franku tha, “e falemnderit për djathë”.
Atëherë u kthye dhe u ngjit shkallëve. Kur u fut në dhomën e vet, u ul në tavolinën e punës. Nxori thikën me sustë, preku pullën, e shikoi tehun. Në njërën anë ishte e mprehur për merak. Kollaj mund të ngulej a të priste. Preku pullën dhe e ktheu në xhep. Franku pastaj gjeti stilolapsin dhe letrën dhe nisi të shkruante:
“E dashur Nënë,
Ky është një qytet i mbrapshtë. Shejtani e ka nën kontroll. Ngado që sillesh ka seks, ama nuk e përdorin atë për shkak të bukurisë, njashtu siç e ka shkruar Zoti, por si mjet të mbrapshtisë. Përnjëmend, është më se e sigurt se ka rënë në duart e shejtanit, në duart e mbrapshtisë. Vajzat e reja janë të detyruara të pinë xhin, pastaj përdhunohen nga hajvanët dhe më pas me zor i çojnë në shtëpi publike. Është hata keq. E pabesueshme. Zemrën ma ka bërë copë e grimë.
Dje shëtita përgjatë bregut të detit. Jo bash përgjatë bregut të detit, por lart pranë shkrepave, pastaj u ndala dhe u ula aty dhe mahnitesha me bukurinë: detin, qiellin, rërën. Më dukej se gjendesha në parajsën e përjetshme. Atëherë gjëja më e mrekullueshme ndodhi. Tre ketra të vegjël më panë nga poshtë dhe filluan të ngjitën përpjetë shkrepave. I pashë fytyrat e tyre të vogla si më shikonin vjedhurazi prapa shkëmbinjve dhe plasave derisa ngjiteshin drejt meje. Në fund arritën te këmbët e mia. Sytë e tyre më shikonin. Kurrë, oj Nënë, nuk kam parë sy më të bukur – të paprekur nga mëkati: qielli e deti reflektoheshin në ata sy si përjetësi. Në fund u çova dhe ato…”
U dëgjua një trokitje në derë. Franku u çua, iu afrua derës, e hapi. Ishte sportelisti.
“Z. Evans, të lutem, më duhet të flas me ty”.
“Në rregull, eja brenda”.
Sportelisti mbylli derën dhe rrinte karshi Frankut. Sportelistit i vinte era verë.
“Z. Evans, të lutem mos u trego drejtuesve për mosmarrëveshjen tonë”.
“Nuk e di se për çka e ke fjalën”.
“Ti je njeri i mirë, zoti Evans. Ti e di, se kam pirë”.
“Je i falur. Ik tash”.
“Z. Evans, më duhet të të them diçka”.
“Epo, mirë. Çfarë halli ke?”
“Jam dashuruar në ty, zoti Evans”.
“Oh, duash të thuash në shpirtin tim, eh, loco?”
“Jo, në trupin tënd, zoti Evans”.
“Çka?”
“Në trupin tënd, zoti Evans. Të lutem mos u ofendo, ama po dua të më qish!”
“Ç’the, ore?”
“DUA TË MË QISH, zoti Evans! Më ka qirë gjysma e marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Ata djem e dinë se çka është mirë, zoti Evans. S’ka send më të mirë se një birë e pastër bythe!”
“Dil menjëherë nga dhoma ime!”
Sportelisti ia hodhi duart Frankut rreth qafe dhe e puthi në gojë. Goja e sportelistit ishte e lagësht dhe e ftohtë, dhe i vinte erë e keqe.
“Mor kopil i krimbur! TI MË PUTHE!”
“Të dua, zoti Evans!”
“Mor derr i fëlliqur!”
Franku nxori thikën, preku pullën, tehu doli jashtë dhe ia nguli sportelistit në bark. Pastaj e tërhoqi thikën.
“Zoti Evans…o i madhi Zot…”
Sportelisti ra në dysheme. Me të dy duart mbante plagën duke u orvatur ta ndalonte gjakderdhjen.
“Mor kopil! TI MË PUTHE!”
Franku u përkul dhe hapi zinxhirin e sportelistit. Pastaj ia nxori penisin, e tërhoqi drejt vetes, ia preu treçerekun në rriska.
“Oh, Zoti im, o Zoti im, o Zoti im, o Zoti im…” bërtiste sportelisti.
Franku shkoi deri në banjë, nxori atë gjëkafshë dhe e hodhi në nevojtore. Pastaj e shkarkoi ujin. Atëherë i lau duart goxha mirë me sapun dhe ujë. Doli nga banja, prapë u ul në tavolinën e punës. Mori stilolapsin.
“…ikën ama unë e pashë përjetësinë.
Nëno, më duhet të largohem nga ky qytet, nga ky hotel – shejtani pothuajse i ka të gjithë nën kontroll. Prapë do të të shkruaj nga ndonjë qytet tjetër, ndoshta nga San Francisko, Portlandi apo Seattle. Më duket se do t’ia mbaj drejt veriut. Vazhdimisht mendoj në ty dhe shpresoj se je mirë me shëndet dhe e lumtur, dhe gjithmonë qoftë me ty i madhi Zot.
Të don,
biri yt,
Frank”
E shkroi adresën në zarf, e mbylli, ia vuri pullën, i bëri do hapa dhe e futi zarfin në xhepin e palltos së vet, e cila varej në dollap. Pastaj mori valixhen nga dollapi, e vuri në shtrat, e hapi dhe nisi t’i paketojë gjërat e veta.
(Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj. Marrë nga revista “Akademia”)