NJË RAPORT KUNDËRSHQIPTAR SI AI I DIK MARTIT! (2)

15 mars 2023 | 12:03

(Disa arsyetime e qëndrime ndaj shkrimit “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, nga kryetari i AShAK-ut, akademik Mehmet Kraja, në dhjetor 2022)

Shkruan: Kudusi Lama

5. Të jemi të kujdesshëm me historinë

Ndërkohë duhet të jemi të kujdesshëm kur shkruajmë se bëjmë lapsuse të tilla, që pastaj na vjen turp nga vetja. Në raport ka një shënim ku deklarohet se ishin ”mbi 170 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Serbia jugore pas Kongresit të Berlinit…;” Pa u marrë me shifrën se për këtë ka të dhëna të ndryshme, por si mund të thuhet nga Serbia jugore, këtë nuk e kuptoj?! Ne kurrë nuk kemi pasur “fatin” të pushtojmë territore serbe. Përkundrazi, serbët kanë pushtuar territoret tona. Por mendoj se duhet të jetë një lapsus, ose një shënim i marrë nga ndonjë literaturë serbe. E ka përdorur këtë term gjenerali Klark, në librin e tij ”Të bësh luftë moderne”, për të cilën edhe i kam thënë se ka gabuar. Por atij i falet se nuk mund të pretendojmë të jetë njohës i historisë dhe i gjeografisë sonë. Ndërsa akademiku Kraja nuk ka vepruar mirë, duke na bërë pushtues të tokave serbe dhe prej të cilave na paskan shpërngulur.

Në raport ka një fjali që më tërheq vëmendjen kur thuhet: ”Marrëdhëniet shqiptaro-serbe shpesh janë përkufizuar si marrëdhëniet më të vështira mes dy popujve të Europës.” Po, përse? A është normale kjo gjuhë vlerësuese? Cilat kanë qenë përgjegjësitë? Cilat kanë qenë përgjegjësitë e shqiptarëve? Përse zotëri na vë në balancë me Serbinë, duke na bërë të barabartë? Unë nuk di të kemi bërë diçka ne shqiptarët për të cenuar serbët. Përkundrazi, jemi masakruar prej tyre historikisht dhe natyrisht kemi luftuar kundër tyre për t’u çliruar, çka nuk e kemi realizuar ende plotësisht. E, këtu nuk ka asnjë barabarësi ndikimi në marrëdhëniet shqiptaro – serbe. Theksoni, zotërinj, çështjet ku shqiptarët janë përgjegjës që paskan krijuar vështirësinë e këtyre marrëdhënieve.

Në Memorandumin e Kishës Serbe për Kosovën thuhet: ”Pasi të lexohet ky Memorandum i Kishës Ortodokse Serbe askush nuk do të mundë t’i përsërisë fjalët keqdashëse të një diplomati të huaj të nivelit më të lartë, i cili para pak kohe ka deklaruar se serbët, me atë që e kanë bërë gjatë dhjetë vjetëve të fundit, e kanë nxitur te shqiptarët dëshirën tejet të madhe për hakmarrje. Nga dokumentet e theksuara këtu, secili lexues do ta shohë se gjithnjë ka pasur dhunë, sa herë që pas dëshirës së shqiptarëve për ta marrë atë që nuk është e tyre ka qëndruar ndonjë nga Fuqitë e Mëdha në botë, prej Perandorisë turke e deri me sot.” Pra, shihet se na mjaftojnë shpifjet e serbëve, edhe të kishës së tyre për të justifikuar veprimet kundër shqiptarëve. Mendoj se nuk kanë nevojë për ndihmë as prej institucioneve tona shkencore e as prej shkencëtarëve tanë, qoftë edhe me tituj akademikësh, sepse vetë kanë bërë programe shumë intensive kundërshqiptare.

Prandaj kur thuhet në raportin në fjalë se marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë përkufizuar të vështira, është pikërisht fjala për atë që thotë kisha serbe në memorandumin e saj, se ka pasur dhunë, sa herë që ka pasur dëshirë të shqiptarëve për ta marrë atë që nuk është e tyre. Duhet qartësuar mirë çka shkruhet, sepse nuk është mirë që punimet tona të jenë kundër nesh, pasi mjaftojnë ato që shkruajnë serbët. Dhe, kam dëshirë të dihet se deri tani janë mbi 28 mijë tituj librash të shkruar nga autorë sllavë për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët kanë shkruar si është më zi. Nëse nuk e dini a besoni këtë shkoni dhe hulumtoni në bibliotekën e Vjenës. Atje do të mësoni edhe se shkencëtarët tanë që bëjnë të diturin këtu në atdhe, nuk kanë asnjë shkrim për të zhvleftësuar ata tituj sllavë librash kundërshqiptar.

6. Nuk jemi bashkëfajtorë me Serbinë, prandaj nuk duhet shpifur shqip

Raporti nuk ndalet këtu. Në vijim thuhet: ”…të dy popujt kanë gabimet dhe fajet e tyre në të shkuarën, se ata kanë histori të përgjakshme dhe se e ardhmja duhet të ndërtohet duke i tejkaluar armiqësitë dhe animozitetet e kohëve të shkuara.” A besoni se ka shqiptarë që mund të pranojë dhe të dakordohet me këtë? Cilat janë gabimet që paskan bërë shqiptarët ndaj serbëve? Çfarë duhet të kishin bërë ndryshe shqiptarët që historia të mos ishte e përgjakshme?

Apo duhet të arsyetohet memorandumi i kishës serbe për Kosovën, ku thuhet: ”Me shqiptarizimin e popullit serb të Kosovës dhe të Rrafshit te Dukagjinit, i cili ishte pa të drejta. Kur Imperia turke ka filluar të dobësohet, atëherë islamizimi i dhunshëm është bërë gjithnjë e më shumë, kurse shqiptarët fatkeqësisht në atë proces janë bërë grusht kryesor goditës otoman dhe kamxhik i përgjakur për banorët e krishterë ortodoksë të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Ballkanit të gjerë.” Besoj se është e qartë që edhe kisha që duhet të merret me punët e qiellit, ka vendosur të rregullojë punët e tokës, por nuk kuptohet përse ne duhet t’i ndihmojmë në këtë mënyrë, duke u përpjekur që të barazojmë historinë tonë me atë të Serbisë.

Ndërkaq se ne duhet t’i kalojmë armiqësitë, pajtohem plotësisht, por pasi të vendoset drejtësia. Tejkalimi i armiqësisë nuk është i njëanshëm dhe nuk bëhet për hatër të askujt. Atë e sjell në mënyrë krejt të natyrshme vendosja e drejtësisë dhe pranimi i të këqijave që janë bërë e kthimi i të drejtave që janë marrë e janë nëpërkëmbur. Nuk mund të ketë tejkalim të armiqësive nga shqiptarët për hatër të askujt. Shqiptarët nuk kanë treguar armiqësi ndaj askujt në gjithë historinë e tyre. Shqiptarët gjithnjë kanë luftuar të mbijetojnë dhe të çlirohen nga pushtimet. Kurse tani na del se ne i kemi shqiptarizuar edhe serbët! Ata që merren me çështjet e kësaj natyre është mirë ta arsyetojnë se si i pushtuari mund të shkombëtarizojë pushtuesin. Kur më tej në këtë memorandum të kishës serbe thuhet: ”Mirëpo, qysh në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit të 18-të, shqiptarët në mënyrë masive kanë zbritur nga malet e veta në vise më pjellore të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës dhe, duke i formuar çetat e njohura për krime, ose duke u paraqitur vullnetarisht si jeniçerë, me çka kanë fituar privilegje të veçanta te turqit, kështu pastaj i kanë plaçkitur dhe i kanë konfiskuar fshatrat e serbëve, kishat dhe manastiret e pastaj aty edhe janë vendosur.” Pra, siç vlerësojnë ata, ne në ato treva kemi ardhur nga malet dhe paskemi ardhur rreth një mijë vjet pas serbëve e, megjithatë, i paskemi shqiptarizuar. Por kjo është gjuha serbe dhe është mjaft e ashpër, nuk kemi pse t’i ndihmojmë në mënyrat siç edhe u theksua më lart në këtë raport të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

A ka nevojë të bëhet përpjekje për një përafrim kriminal ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve? E, po të thuhet se ”shqiptarët dhe serbët nuk kanë histori të njëjtë dhune, nuk kanë histori të njëjtë pushtimesh e aktesh gjenocidale mbi njëri-tjetrin.” Duket qartë që nuk ka njohje të nevojshme të historisë së konfliktit shqiptaro – serb. Kur mendojmë dhe deklarojmë se nuk kanë histori të njëjtë pushtimesh e aktesh gjenocidale, nënkupton që aty diku janë të dy palët njëlloj. Por unë nuk e di se si mund të jenë njëlloj gjyshi im, xhaxhai im, dy kushërinj të parë të babait tim, si dhe 93 burra të Kalisit në Lumë, atje rrëzë Korabi, të cilët as nuk e kanë ditur se ku është Serbia, kur në vitin 1913 janë masakruar në Kalis, vetëm pse në vitin 1912 kanë qenë pjesëmarrës në Luftën e Lumës, për të mos lejuar pushtimin e krahinës nga forcat pushtuese serbe. A mundet akademik Kraja të vërë shenjën e ngjashmërisë midis këtyre dy palëve, meqenëse po thotë se në peshë nuk janë të barabarta, të paktën, të na tregojë ngjashmëritë se unë personalisht nuk gjej asnjë ngjashmëri, e të tilla janë për mua të gjitha përballjet serbo – shqiptare.

7. Nuk është e mundur të ndërrojmë fenë që të na duan nëse ajo është pengesë

Shumë interesant është fakti që akademik Kraja ka edhe një shqetësim tjetër. Dhe shqetësimi i tij vjen kësisoj: ”Të paktë janë ata nga bashkësia ndërkombëtare që arrijnë të kuptojnë se rreth 98% e kosovarëve janë popullsi myslimane jo pse ata e zgjodhën myslimanizmin si besim dhe bindje fetare të kohëve moderne, por nga një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Konvertimi i kosovarëve nga të krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i pushtimit, i detyrimit dhe i dhunës sistematike të Perandorisë Otomane, në njërën anë, kurse më anë tjetër ka ardhur si rezultat i luftës së gjatë mes kishës së Lindjes dhe të Perëndimit, të cilat i lanë besimtarët e tyre në Ballkanin Perëndimor pa udhëheqës shpirtërorë.”

Prej këtej duket se ky shqetësim i akademikut Kraja është shumëplanesh: Së pari duhet bindur opinioni botëror se shqiptarët nuk e zgjodhën vetë fenë islame, por ua diktoi pushtuesi osman. Së dyti, islami nuk qenka fe e kohëve moderne, por një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Dhe, së treti, shqiptarët paskan mbetur në atë kohë pa udhëheqës shpirtërorë nga kisha e krishterë.
Çudia është se nuk e di pse feja Islame nuk qenka fe e kohëve moderne, ndërsa krishterimi qenka e tillë. Pse duhet të ekzistojnë mendime të tilla te intelektualë siç është zotëri Kraja, nuk arrij të kuptoj. Me sa di unë, si feja islame, ashtu edhe ajo e krishterë sot besohen secila prej rreth dy miliardë qytetarëve të kësaj bote. Kështu që më duket një kundërislamizëm primitiv dëshira për të kërkuar modernen te krishterimi dhe të prapambeturën te islami.
Për mua feja nuk ndikon për ta bërë njeriun më të zhvilluar ose më të prapambetur. Unë kam lexuar librin ”Historia botërore dhe qytetërimi”, në dymbëdhjetë vëllime, i cili është botuar edhe në shqip. Vepër e autorit Carl Grimberg, e cila edhe në gjuhën shqipe është konsideruar një vepër madhore, një enciklopedi e vërtetë që i rrok thuajse të gjitha fushat e jetës. Por që kur e lexon të lë shije të hidhur, sepse flet kryesisht për të fuqishmit, se për shqiptarët nuk flet fare, se gjen kohë e vend të shkruajë edhe për të dashurat e Luigjit të 14-të të Francës, por nuk gjen vend të shkruajë për luftën 25-vjeçare të shqiptarëve nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ashtu sikurse të gjithë shqiptarët e shpërngulur e të vendosur në Kalabri e në Sicili të Italisë, i quan grekë, sepse nuk ka asnjë ide se ata janë shqiptarë. Po kështu për këtë autor, që të jesh i ditur, që të jesh trim, që të jesh i zoti, që të jesh i bukur, që të jesh i fortë, duhet patjetër të jesh i krishterë. Ndërsa po je mysliman, duhet patjetër të kesh trup të imët, me fytyrë të shëmtuar, që nuk di as të vishesh, nuk di as të ushqehesh, nuk di as të organizohesh, je frikacak, nuk di të luftosh, nuk je i zgjuar etj.

Kjo histori është përkthyer në shqip nga akademikët shqiptarë, por nuk ka as parathënie prej tyre, nuk ka as një qëndrim për këto pasaktësi vlerësimi, nuk ka as një oponencë a reçencë prej një studiuesi a akademiku për mosqenien e shqiptarëve pjesë e kësaj historie, megjithëse në ato kohë që akademik Kraja i quan të errëta, kombi ynë i ka pasur të ndritura dhe ka mbrojtur Europën nga pushtimi i asaj perandorie “të prapambetur“ osmane.
Prandaj do të këshilloja që akademikët tanë të nderuar, të mos kërkojnë të na e errësojnë historinë, por të tregojnë para botës se ajo ka qenë e ndritur dhe se pa të ndoshta sot Europa do të fliste osmanisht.

Për fund, duhet të pranohet se asnjë komb në Europë nuk ka bërë aq luftë sa shqiptarët kundër pushtimit osman, megjithëse nëpër frontet e luftës përballë osmanëve kanë qenë shqiptarët myslimanë dhe deri edhe hoxhallarët shqiptarë. Për ta sqaruar këtë më mirë, lind pyetja: a e di akademik Kraja se sa dëshmorë hoxhallarë kanë rënë vetëm në Lutën Çlirimtare të Kosovës? Nëse nuk e di, është mirë të jetë i interesuar ta mësojë. Megjithatë, unë mund t’i them atij e kujtdo që mendon si ai, se janë 26 hoxhallarë që kanë rënë dëshmorë të atdheut vetëm gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, duke qenë luftëtarë të asaj ushtrie të lavdishme çlirimtare që barti këtë luftë. Ky është një tregues për të kuptuar se kur zotëri Kraja si kundërislam ikte nga sytë këmbët prej frikës së krismave të luftës, në Kosovë luftonte një popull me mbi 95 për qind i fesë islame bashkë me atë pjesë të shqiptarëve të fesë së krishtere, për çlirimin e Kosovës nga serbët modernë të krishterë.

Më bën përshtypje shumë gjithashtu shprehja e deklaruar në këtë raport të punuar nga akademiku Kraja, kur thotë: ”Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, në Kosovë myslimanizmi tradicional ishte praktikuar gjerësisht, ndërsa pas vitit 1999, për shkak të këtyre fondacioneve dhe të klerit mysliman kosovar që përfitonte prej tyre, situata u përkeqësua ndjeshëm. Në këtë kuadër, veçanërisht u reflektua negativisht në Kosovë qëndrimi i luhatshëm i Turqisë në raport me fundamentalizmin islamik.” Shihet se zotëri Kraja për çudi shqetësohet që qenka përkeqësuar ndjeshëm situata me shtimin e myslimanëve pas vitit 1999. Po pse duhet të shqetësohemi? Siç duket Serbia që na kishte pushtuar deri në vitin 1999, nuk paska lejuar që të shtohen myslimanët në Kosovë dhe paska vepruar mirë. E, largimi i Serbisë i paska lënë rrugë të lirë Turqisë që të na prishë. Këtë besoj nënkupton akademiku Kraja me sa shprehet. Por kjo rrugë është e pakthyeshme. Ne shqiptarët kemi mbijetuar se unitetin tonë e kemi mbështetur te atdheu e kombi dhe jo te feja. Ne kemi mbijetuar dhe kemi fituar se armikun nuk e kemi vlerësuar i çfarë feje është, por e kemi luftuar si pushtues edhe kur kemi qenë në të njëjtën fe me të.

Dhe, çudia nuk përfundon këtu, sepse në vijim thuhet: ”Më anën tjetër, të nxitur nga ideja e kërcënimit nga islamizmi radikal që mund të vinte nga Kosova dhe Bosnja, disa shtete të BE-së, nga fundi i shekullit të kaluar, filluan ta projektonin Serbinë si “vijën e parë të frontit” kundër radikalizmit islamik.” Një monstruozitet, që nuk mund të imagjinohet! Në përfundime të tilla dalin vetëm mendjet e sëmura. Unë nuk kam dëgjuar deri sot që Europa i ka shpallur luftë islamit. Përkundrazi, ajo çdo ditë e më tej po bëhet strehë edhe për të gjithë ata myslimanë që kanë nevojë për të jetuar në Europë. Fakt është që sot Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Anglia, Suedia, Norvegjia e mjaft shtete të tjera të Europës kanë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së tyre të përkatësisë islame, që shkon në 10 për qind e më shumë dhe nuk ndihen as të shqetësuara e as të kërcënuara. Pse, pra, duhet të shpifë zotëri Kraja ndaj Europës, duke e akuzuar se i ka shpallur luftë islamit dhe se paska projektuar Serbinë për të qenë vija e parë e frontit të kësaj lufte? Dhe, pse qenkemi radikalë ne myslimanët?

Radikalizmi sipas fjalorit të terminologjisë së gjuhës shqipe është një rrymë dhe qëndrim politik, që kërkon ndryshime rrënjësore në programin e një partie a të një qeverie. Ashtu sikurse konsiderohet edhe një proces me të cilin individët kalojnë nga mbështetja e pikëpamjeve të moderuara të zakonshme, në mbështetjen e pikëpamjeve ekstreme ideologjike.

Pra, radikalizmi është dukuri shoqërore, jo dukuri islame. Këtë duhet ta kenë të qartë intelektualët. (VIJON)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) ka vazhduar të mërkurën me ditën…