NJË RAPORT KUNDËRSHQIPTAR SI AI I DIK MARTIT! (3)

16 mars 2023 | 17:38

(Disa arsyetime e qëndrime ndaj shkrimit “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, nga kryetari i AShAK-ut, akademik Mehmet Kraja, në dhjetor 2022)

Shkruan: Kudusi Lama

  1. Serbia kurrë nuk do ta mundë e nuk do ta destabilizojë Kosovën

A është normale t’i ftojmë shqiptarët të kenë frikë nga Serbia? Mendoj se jo. Por, zotëri Kraja duket se edhe për këtë ka menduar, kur shprehet: ”Serbia destabilizon të gjitha shtetet e rajonit me pretekste të ndryshme, por gjithmonë në funksion të hegjemonizmit serbomadh. Ajo e destabilizon Kosovën, sa herë që mund ta përdorë këtë rrethanë për politikat e brendshme, për të nxitur nacionalizmin, ose për t’i bërë obstruksion bashkësisë ndërkombëtare.”  Dëshira mund të ketë shumë Serbia. Por që të destabilizojë Kosovën këtë le ta harrojë se nuk ka për ta arritur e për ta bërë më kurrë. Prandaj, le të thotë akademiku a politikani, le të thotë ushtaraku a spiuni, le të thotë drejtuesi a intelektuali, nuk do të ndodhë. Shqiptarët duhet të jenë të vendosur për të bërë detyrën e tyre ndaj atdheut e jo të tremben se po i ha Serbia!? Kush të trembet, le të shkojë të jetojë e të jetë i qetë në Serbi. Është krejt e palogjikshme të shihet armiku si superior, se tremb qytetarët e vendit tënd. Për një mendim dhe deklarim të tillë ligjërisht duhet të mbahen qëndrime të rrepta.

Le të lexojmë në vijim: ”Pavarësisht ndryshimeve gjeostrategjike që kanë ndodhur në hapësirat ballkanike dhe më gjerë përgjatë tridhjetë vjetëve të fundit, Serbia ka vazhduar e patrazuar përpunimin dhe jetësimin e strategjive politike për dominim rajonal dhe rikthim të agjendave luftënxitëse. Ajo vazhdon të jetë faktor destabilizues në Bosnjë, në Mal të Zi dhe në Kosovë, madje edhe në Maqedoninë e Veriut (siç ishte rasti me zgjedhjet e fundit lokale, ku supozohet se pati ndërhyrje të Serbisë në fitoren e krahut nacionalist proserb të VMRO-së), duke tërhequr në anën e vet, përmes floskulave politike të kamufluara, edhe shtete të tjera të paqëndrueshme të Ballkanit, si Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Përmes nismave dhe aleancave rajonale të llojit “të mini-Shengenit” ose të projektit “Ballkani i hapur”, Serbia synon të  vendosë primatin politik dhe ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë primat ajo nuk mendon ta arrijë përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit, por duke destabilizuar shtetet përreth, duke shantazhuar BE-në dhe NATO-n dhe përmes aleancave subversive ekonomike dhe politike me Rusinë dhe Kinën.”  Edhe në këtë citim shihet se vijon të hiperbolizohet fuqia e Serbisë, duke e bërë atë zot të Ballkanit, pa dhënë asnjë argument për këtë, por veç thjesht se ka frikë akademiku dhe kërkon që frikën e tij ta çojë te shqiptarët dhe të tjerët në Ballkan. Mendoj se politikat e këtyre shteteve ballkanike nuk janë aq në nivel mediokër sa trajtohen në këtë raport, pasi ne jemi dëshmitarë të zhvillimeve dhe bëjmë vlerësime të ngjarjeve. Masat për sigurinë merren në çdo shtet dhe secili prej tyre ka një strategji të sigurisë. Nëse akademik Kraja do të kishte marrë në analizë këto strategji të sigurisë së shteteve ballkanike, duke bërë edhe krahasimet midis tyre e duke treguar se cila prej tyre ka më shumë avantazhe e cila jo dhe të kishte thënë se cila konsiderohet më e arrirë e çfarë duhet shtuar e saktësuar në ato strategji, do t’i bënte një shërbim të mirë shtetit të Kosovës, shteteve të tjera të Ballkanit dhe do të jepte një shembull se si mund të ndihmohet siguria e vendit. Por ai thjesht ka frikë dhe thërret kam frikë! Por unë nuk e di a ka vërtet frikë, apo i bën këto deklarata me porosi. Sepse mënyra si flitet në këtë raport është shumë zhvlerësuese për politikat e shteteve ballkanike krahasuar me politikën e Serbisë, e cila është një politikë që mund të shkatërrojë gjithçka në Ballkan, prandaj ne duhet të dridhemi nga frika e të nënshtrohemi se nuk ka rrugë tjetër.

  1. “Ballkani i hapur” – një çështje që kërkon analizë, jo akuzë

Në vijim kalohet në një fazë kur zotëri Kraja flet për nismën e ”Ballkanit të hapur”, për të cilin thuhet: ”Në këtë kontekst të përgjithshëm duhet parë edhe nismat e Serbisë njëherë për “mini-Shengenin” dhe pastaj për projektin “Ballkani i hapur”, si: i) obstruksion ndaj NATO-s dhe BE-së, ii) hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe të Kinës në Ballkan, iii) fuqizim i mëtejshëm i Serbisë në rajon, dhe iv) anashkalim i Kosovës në të gjitha proceset politike dhe ekonomike rajonale. Për pikën e fundit, pra, për anashkalimin e Kosovës, kërkohet një shqyrtim i veçantë, por me këtë rast mjafton të themi se çështjen e Kosovës, që kur ajo ka marrë atributet e një problemi të mprehtë politik, Serbia është përpjekur ta zgjidhë përmes Shqipërisë, e nxitur nga një traditë e hershme, ashtu siç e ka ndihmuar pacifizimin e saj mbreti Zog përmes marrëveshjeve me Mbretërinë Jugosllave (Pashiqin), apo komunistët shqiptarë dhe jugosllavë përmes përkimeve ideologjike dhe organizimeve të përbashkëta politike. Në të vërtetë, lojaliteti i tanishëm i Shqipërisë ndaj të gjitha nismave rajonale të Serbisë, përveç përfitimeve të tjera, kanë në prapavijë edhe “nostalgjinë ideologjike” të Shqipërisë, e cila, në rrethanat e ndonjë krize të brendshme ose të krizës në marrëdhënie me Perëndimin, i kthehet lindjes ish-komuniste, pavarësisht faktit se Shqipëria që herët është dukur sikur është distancuar nga ky konstelacion politik, kulturor dhe botëkuptimor.”  Është befasues fakti që këtë nismë rajonale ky raport e konsideron si nismë të Serbisë.

Unë e di se Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si: Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë – për t’u mundësuar këtyre vendeve që t’i bashkohen BE-së. Kjo agjendë e lidhshmërisë u fillua si një komponent i rëndësishëm që synonte lidhjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e transportit dhe energjisë, që më vonë u zgjerua në shkëmbime rinore dhe marrëdhënie ekonomike etj.

Po citoj fjalën e Kancelarit të Gjermanisë Sholc në Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, kur thotë: ”Ju, gjashtë vendet e Ballkanit i përkisni Europës së lirë dhe të plotë dhe anëtarësimi juaj në BE është në interesin tonë. Të gjithë ne duhet të shtojmë angazhimin tonë për të përmbushur pritshmëritë e ngritura gati njëzet vjet më parë në Selanik. Premtimi për të ardhmen europiane për qytetarët dhe vendet tuaja është punë jona për ta kthyer premtimin në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë sot. Më vjen mirë që ky vizion ndahet nga të gjithë ju… Së bashku jemi të bindur që procesi i Berlinit jo vetëm që do të ndihmojë në çlirimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do të përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor…”  Duke u mbështetur edhe në arsyetimet e kësaj fjale të kancelarit të Gjermanisë, mendoj se “Ballkani i hapur” dhe Procesi i Berlinit nuk kanë ndonjë ndryshim. Po t’u referohesh marrëveshjeve, duket se thjesht bëhet shtrirja në praktikën e terrenit të atij procesi. Prandaj, do të doja që ky proces të merret si zhvillim. Dhe, të zhvillosh nuk do të thotë të mos kesh kujdes për të avancuar interesat e shtetit tënd. Kjo është normale. Por të shkruash se po të hapet Ballkani na ha Serbia, ky është mentalitet i kohës së luftërave ballkanike a të Perdes së Hekurt. Por ato kohë kanë ikur me gjithë mendësitë e tyre. Mbyllja e dha provën e saj me Shqipërinë e viteve 1980–1990, që solli atë masakërdemokraci, që na shkatërroi me gjithçka kishim. Po në Shqipëri në vitet 1991–1997 ligjin e kanë bërë agjenturat e huaja, edhe UDB-ja e Jugosllavisë dhe Asfalia e Greqisë. Por ata gjetën terren sepse depërtuan deri në çdo qelizë të politikës në kushtet e demokracisë, pasi demokracia u kuptua se mund të bësh çfarë të duash pa i dhënë llogari askujt, pa i dhënë llogari as ligjit. Kjo është arsyeja që edhe sot nuk po e merr fuqinë ligji, që të bëjë ligjin.

  1. Shqipëria kundër Shqipërisë – një shpifje e madhe

Ndërsa të paraqitesh sot me mendimin se Shqipëria qenka me mendësi komuniste dhe nostalgjike për Serbinë, duke anashkaluar Kosovën, do të thotë të jesh armik i tërbuar i shqiptarëve dhe i shqiptarizmit në përgjithësi. Mos qoftë e thënë të kemi të tillë ndër shqiptarët.

Por duket se zotëri Kraja e paraqet veten si kundërshqiptar, veçse për çudi, për të ka dy kategori shqiptarësh. Shqiptarë të Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarë të Republikës së Kosovës, por që ata shqiptarë të Republikës së Shqipërisë historikisht as kanë dashur të dinë për shqiptarët e Republikës së Kosovës. Kështu që zotëri Kraja është kundërshtar i egër dhe përçmues i asaj pjese të shqiptarëve që banojnë në Republikën e Shqipërisë, që i vjen keq për këtë pjesën e shqiptarëve që banojnë në Republikën e Kosovës, por që në fakt duke u përpjekur t’i ndajë, i bën një shërbim të madh Serbisë, se edhe ajo historikisht është përpjekur t’i ndajë në ’Shiftari’ dhe ’Allbanci’. Por le të lexojmë çfarë thotë zotëri Kraja për këtë: ”Në përgjithësi, politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës që nga viti 1912 kanë qenë kontradiktore, jokonsekuente, në shumicën e rasteve të tilla që kanë sakrifikuar idealizmin e Kosovës për pragmatizmin  politik të shtetit shqiptar. Klasa politike e Shqipërisë ka qenë e vetëdijshme se potenciali i këtij shteti është i pamjaftueshëm për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, por as aleancat e mundshme të Shqipërisë me fuqitë botërore nuk e kanë pasur ndonjëherë këtë synim. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta përfshijnë në memorien e tyre historike faktin se gjatë luftërave ballkanike dhe më pas (1913-1915), Serbia do të ushtrojë gjenocid jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe në brendi të Shqipërisë, ta zëmë në fshatrat e Elbasanit, ku, siç thotë Tucoviqi, ushtria serbe dogji njerëz të gjallë. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta kenë të lehtë ta kuptojnë se projektet e Garashaninit, Andriqit dhe Çubriloviqit nuk kishin të bënin në mënyrë specifike vetëm me Kosovën, por me krejt popullin shqiptar.”  Edhe unë nuk do ta kuptoj se cili ka qenë qëllimi i Serbisë, meqenëse jam qytetar i Republikës së Shqipërisë, që Serbia, vetëm pse kanë qenë luftëtarë kundër pushtimit prej saj, më ka vrarë gjyshin, xhaxhain dhe dy kushërinj të parë të babait! Pse këto akuza e fyerje? Zotëri Kraja, shtëpinë time të djegur nga Serbia në vitin 1913, pasi e i kishte vrarë të gjithë burrat e shtëpisë dhe që ishte mbajtur ashtu nga gratë e familjes me riparime të pjesshme, e kam prishur unë pas 53 vjetësh për ta bërë të re. Kjo ka ndodhur në vitin 1966. Kujdes zotëri Kraja, se deklarime të tilla përbëjnë krim kundërkombëtar.

Mendoj se nuk bën të bëhen ndarje të shqiptarëve sipas kufijve shtetërorë, sepse po të vlerësohen ashtu, duhet të ndahen edhe shqiptarët në Maqedoni, edhe shqiptarët në Serbi, edhe shqiptarët në Mal të Zi, edhe shqiptarët në Greqi e edhe shqiptarët në diasporë etj. Na bëhen kështu shtatë hapësira e kategori shqiptarësh. Këtë ka dëshirë zotëri Kraja, t’i copëtojë shqiptarët? Jo, zotëri, mendoj se shqiptarët janë shqiptarë kudo që janë. Nuk e quaj normale të mendohet, jo më të shprehet, se shteti shqiptar prej vitit 1912 e deri sot paska bërë veprime jo konsekuente duke arritur deri atje që të sakrifikojë idealizmin e Kosovës. Nuk mund ta kuptoj një deklarim të tillë të një intelektuali të Kosovës, siç është edhe zotëri Kraja, vetëm nëse këtë e ka shkruar dikush në Beograd.

Mbaj mend se në vitin 2005, kur në Gjenevë të Zvicrës, nën kujdesin e bashkatdhetarëve bëhej përurimi i librit tim ”Kosova dhe Ushtria Çlirimtare”, një nga pjesëmarrësit në promovim, kur unë mora fjalën, më bëri një pyetje: – Ne jemi të njoftuar se Enver Hoxha e ka shitur Kosovën, nga ti ta duash Kosovën e të luftosh për të, kur ti ke lindur dhe je rritur nën pushtetin e Enver Hoxhës?

Kurse përgjigjja ime ishte: – Enver Hoxha nuk dilte shtatëdhjetë herë në ditë në televizion siç dalin këta të sotmit. Ai dilte në televizion jo më shpesh se një herë në gjashtë muaj. Dhe, këto dalje bëheshin ose kur i thoshin duhet të dalësh në televizion se ka dëshirë populli të të shohë ose kur kishte për të dhënë ndonjë mesazh, që kërkohej të jepej drejtpërdrejt nga Enver Hoxha në sytë e popullit. Kështu që edukimi atdhetar nuk ishte detyrë e politikës, por e shkollës. Për këtë ishte i angazhuar gjithë sistemi arsimor që kishte ngritur politika e shtetit. Kështu që, në shkollë, unë kur bëja histori, shteti nuk m’i kishte hequr flamujt e shtrirjes së pushtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe në Ulqin, Tivar, Podgoricë, Plavë e Guci, Nish, Vranjë, Prokuple, Kumanovë, Shkup, Strugë, Ohër, Dibër e Madhe, Manastir e Tetovë, Gostivar e Kërçovë, Kostur, Janinë, Artë e Prevezë. Ashtu si në Tiranë, Durrës, Korçë e Shkodër. Prandaj unë gjithnjë e kam ditur ku është atdheu im dhe çfarë detyrimesh kam ndaj atdheut tim. E, Enver Hoxha kurrë nuk na tha që të shkulim flamurin nga ndonjë pjesë e hapësirës kombëtare se e kam shitur atë. Përkundrazi, me shumë forcë u bënë përpjekje ta dimë mirë deri ku është Shqipëri.

Ndërkaq, sot vjen zotëri Mehmet Kraja nga detyra e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e u thotë shqiptarëve që banojnë në Republikën e Kosovës të bëjnë kujdes e të ruhen nga shqiptarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë se ata e shpërdorojnë idealizmin e tyre dhe përftojnë për interesat e tyre nga ky idealizëm. Sinqerisht, befasohem! Nuk kam menduar se mund të ketë një shqiptar të zakonshëm që të mendojë kështu, jo të kemi një akademik me funksion epror që të deklarojë publikisht e botërisht përfundime të tilla përçarëse për kombin të cilit i përket.

Por të ballafaqohesh me vlerësimet e mëposhtme të këtij raporti, më duket se realisht deklarime të tilla nuk mund të bëhen nga ndonjë shqiptar sadopak i përgjegjshëm për kombin e tij. Të shohim çfarë thuhet tjetër në këtë raport: ”…në memorien historike të Shqipërisë edhe sot do të ushtrojë ndikim të madh fakti se Jugosllavia ishte eksportuesja kryesore e ideve komuniste në Shqipëri. Ajo ishte themeluese e Partisë Komuniste të Shqipërisë, duke e përfshirë lëvizjen komuniste të Shqipërisë në agjenturat e Kominternit dhe duke ia caktuar Shqipërisë vendin në hemisferën lindore të ndarjeve ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse marrëdhëniet me Jugosllavinë u prishën shumë shpejt (1948), komunistët shqiptarë e panë si ideal edhe për shumë kohë (madje me kompleks inferioriteti) Jugosllavinë e Titos dhe socializmin e saj vetëqeverisës. Historikisht është e njohur se afrimi i Shqipërisë në çfarëdo mënyre me Jugosllavinë ose Serbinë, doemos duhet të eklipsonte çështjen e Kosovës, madje shpesh ta sakrifikonte atë.”  Të njohësh historinë e Shqipërisë dhe të mendosh e deklarosh se Jugosllavia ishte eksportuesja kryesore e ideve komuniste në Shqipëri është vërtet për të ardhur keq. Por më keq akoma të deklarosh pa detyrim se Partinë Komuniste të Shqipërisë e kanë themeluar jugosllavët, kur dihet se lëvizja komuniste në Shqipëri ka filluar që në vitin 1925 me krijimin në Vjenë të ”Komitetit Nacional Revolucionar” (KONARE) nga Fan Noli dhe elementë të tjerë revolucionarë, si organizatë që mori kontakte dhe bashkëpunoi me Internacionalen Komuniste. Prandaj, ta quash lëvizjen komuniste shqiptare pjesë të agjenturave të Kominternit, duket sikur jemi duke u marrë me konspiracionizëm të kulluar, ku mund të thuash çfarë të të shkrepet mjafton ta artikulosh në mënyrë bindëse për të kënaqur vetveten pavarësisht nga vërtetësia historike. Për çudi, që sot po zbulojmë edhe diçka shumë interesante, të cilën nuk e paskemi ditur, se shteti – Republika e Shqipërisë paska qenë gjithnjë inferior ndaj Jugosllavisë së Titos dhe socializmit të saj vetëqeverisës. Dhe, më interesant del ”fakti” që Republika e Shqipërisë për hir të afrimit me Jugosllavinë ose Serbinë, paska eklipsuar çështjen e Kosovës e aq më rëndë e paska sakrifikuar atë.

Nuk e kuptoj çfarë interesi ka Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në veçantë kryetari i saj, të flasë me kaq përbuzje për Republikën e Shqipërisë. Përse nuk ka dëshirë ky institucion që të tregohet e vërteta, por shpif në një mënyrë të tillë që do ta kishin zili edhe akademikët serbë! Si ka mundësi të shprehen mendime të tilla sot, kur shqiptarët janë më të fuqishëm se kurrë në historinë e tyre? Pse e pengon këtë Akademi fuqizimi i shqiptarëve në Ballkan? Kurrë nuk kam për ta kuptuar pse deklarohet kështu, nëse këto nuk janë deklarime të formuluara në Beograd?! (Vijon).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Shefik Surdulli Se si erdhi deri këtu, te kjo…