NJË RAPORT KUNDËRSHQIPTAR SI AI I DIK MARTIT! (4)

17 mars 2023 | 10:58

(Disa arsyetime e qëndrime ndaj shkrimit “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, nga kryetari i AShAK-ut, akademik Mehmet Kraja, në dhjetor 2022)

Shkruan: Kudusi Lama

11. Një raport kundërshqiptar, më i rëndë se raporti i Dik Matit

Realisht unë kam kuptuar që ky është një raport kundërshqiptar, më i rëndë se raporti i Dik Matit, i cili merret me një periudhë të caktuar dhe të shkurtër akuzash kundërshqiptare dhe kryesisht kundër Luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurse ky raport i dytë, që për fat të keq shkruhet nga një shqiptar në emër të institucionit më të lartë shkencor të Republikës së Kosovës, përpiqet të na e përbaltë gjithë historinë nga kohët e hershme deri në ditët tona. Nuk kishim nevojë për këtë raport alla Dik Marti, që e shumëfishon fuqinë goditëse kundërshqiptare!
Dhe, më tej, pa asnjë argument vijohet të thellohet pa kurrfarë nevoje hendeku imagjinar i zotëri Krajës për ndarjen e shqiptarëve nëpërmjet këtij paragrafi: ”Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit është shoqëri pa ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si majtizëm ekstrem, si lidhje klanesh, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje më e ngushtë botëkuptimore me Serbinë dhe me proveniencën lindore.” Kjo vjen thjesht si një cikël shpifjesh të nivelit më të ulët të mundshëm. Sepse nëse do të kishte argumente, që zakonisht përbëjnë një analizë të mirëfilltë shkencore, siç pretendon të jetë ky raport, do ta kishim duartrokitur. Por kjo mënyrë e ulët shpifjeje më çudit deri në atë masë, sa të pyes veten se si mund e duhet të jetë portreti i një akademie të shkencave a e një akademiku? Sikur edhe thjesht të ishte bërë shpjegimi i termave që janë përdorur, ky raport do të ishte më funksional. Por aty vetëm sa janë renditur me shumicë elemente të negativitetit shoqëror, politik, mjedisor dhe gjeopolitik, por që në asnjë mënyrë nuk mund të jenë askund në botë elemente të një kombi siç janë shqiptarët, të cilët zotëri Kraja paska alergji t’i shikojë bashkë, të mos themi për t’i parë të bashkuar që nuk di çfarë do të kishte bërë për t’i ndarë e copëtuar.
Madje arrihet deri në ekstrem: ”Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për marrëdhëniet miqësore me Serbinë dhe me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga këto marrëdhënie, po të mos ishte problemi i Kosovës, do të ishin shumëfish më të mëdha, veçmas në fushën e turizmit dhe të transportit. Prandaj, që 20 vjet e këndej, çështja e Kosovës për Shqipërinë politike dhe ekonomike kundrohet si sakrificë, të cilën ajo e bën në dobi të një ideje tashmë të vjetruar nacionaliste/” O zot, deri ku shkon mendja e sëmurë njerëzore?! Vetëm kjo besoj se nuk i ka shkuar në mendje askujt përveç raportshkruesit. Mos mor zotëri, na lë more të bëjmë jetën tonë kombëtare siç dimë ta bëjmë ne shqiptarët. A ke parë ndonjë ëndërr zotëri që Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës kanë dërguar ushtritë e tyre në kufi përballë njëra-tjetrës? Se vetëm këtë ke lënë mangut pa e thënë në këtë raport!?

12. Raport i zi për shqiptarët, që nuk duhet marrë seriozisht

Nuk mjafton që në këtë raport bëhet thirrje që Republika e Kosovës të bëjë kujdes e të ruhet nga rreziqet e kërcënimet që i vijnë nga Republika e Shqipërisë, por shkohet edhe më tej, duke vajtuar se Republika e Shqipërisë paska prishur edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe e paska bërë të vajtueshme gjendjen e saj, madje deri edhe kundërshtare të Republikës së Kosovës prej kur nga ky shtet është larguar Gruevski. Vlerësoni çfarë thotë raportshkruesi: ”Rëndësia e pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve në jetën politike të Shkupit, që mund të konsiderohej si një lloj katalizatori i stabilitetit, duke ruajtur balancat politike të brendshme dhe të jashtme të vendit, përnjëherësh u përmbys dhe u zhvlerësua. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë më faktorë relevantë, as në politikat e brendshme, as në politikat e jashtme të këtij shteti, sepse peshën e tyre qeveria e Shkupit e ka zëvendësuar, ose synon ta zëvendësojë me një afrim të drejtpërdrejtë me Tiranën, duke e anashkaluar ose duke e bërë të parëndësishëm faktorin e brendshëm shqiptar. Pranimi në NATO i Maqedonisë së Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim i sigurisë dhe i pozitës ndërkombëtare të këtij shtetit, por më shumë si mundësi për të bërë ndryshime strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i konfigurimit politik të vendit. Në të vërtetë, që me largimin e Gruevskit nga Maqedonia përmes një marrëveshjeje Zajev – Ahmeti – Rama dhe më pas Vuçiq, u pa qartë se ky koalicion në të ardhmen do të forcohet edhe më shumë, duke e kthyer faktorin shqiptar të Maqedonisë së Veriut në shërbyes të tij.” Ndërkaq, unë që mendoj se e njoh gjendjen edhe në Maqedoninë e Veriut, mund t’u them me siguri të plotë jo vetëm shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por të gjithë shqiptarëve në Ballkan dhe kudo ku jetojnë në mbarë botën, se shqiptarët më të fuqishëm se sot për të qenë me dinjitet dhe të sigurt në trojet e tyre nuk kanë qenë kurrë. Pavarësisht se nuk pretendohet se janë arritur majat, mund të them se shqiptarët në Ballkan, të cilët kanë një histori të pasur e dinamike, ndryshe nga errësira që përhap akademiku Kraja; në këtë kohë që jetojmë, historisë së tyre i kanë vënë kurora lavdie. Dhe, lavdi historike konsideroj Luftën Çlirimtare të Kosovës, që krijoi shtetin e Kosovës, duke i bërë të lirë dy milionë shqiptarë dhe duke bërë që Kosova të jetë një shtet i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës. Po ashtu një kurorë lavdie konsiderohet sakrifica e burrave të Kosovës Lindore, që bënë Luftën për Çlirimin e Kosovës Lindore dhe nëpërmjet së cilës bënë që bota të kuptojë përfundimisht se ato treva janë treva të banuara prej shqiptarëve historikisht. Kurora tjetër është Lufta Çlirimtare në Maqedoninë e Veriut, e cila i bëri shqiptarët autoritet në atë shtet, që deri dje i vriste vetëm pse protestonin për universitet. Prandaj, duhet të bëjmë vlerësime reale për zhvillimet historike dhe është madhështi t’u themi faleminderit të gjithë atyre që ndërmorën dhe udhëhoqën këto luftëra, që i bënë shqiptarët më të autoritetshëm se asnjëherë më parë.

Unë nuk mund të justifikoj faktin që zotëri Kraja, duke luajtur me modelin serb të viktimës, po përpiqet ta bëjë Kosovën viktimë të politikës shqiptare në Maqedoni, sepse sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk e do Kosovën, mbasi ajo paska mundësi ta emancipojë kundërfetarisht, por që Maqedonia e Veriut qenka e interesuar t’i manipulojë me islamin, duke mos e lënë Kosovën të shkojë dhe t’i zhvillojë ata që të bëhen të pa fe. Por cila është arsyeja që ky zotëri mendon se Kosova është e pa fe nuk e kuptoj, dhe shteti i Maqedonisë së Veriut qenka shumë i interesuar ”…iv) të shmangë Kosovën nga agjenda politike, duke e identifikuar atë si burim të nacionalizmit, për ta relativizuar peshën e saj te faktori shqiptar i Maqedonisë së Veriut; dhe v) të shmangë lëvizjet emancipuese nga Kosova, që ushtrojnë ndikim te shqiptarët, në mënyrë që t’i krijohet hapësirë e patrazuar manipulimit fetar islamist, duke vazhduar traditën e hershme të kohës së ish-Jugosllavisë.” Por zotëri Kraja nuk na thotë se në cilën kohë jeton, pasi mendon se ende është koha dhe mendësia politike e Jugosllavisë. Për ta fuqizuar shkëputjen e Kosovës nga Maqedonia, duke i bërë shqiptarët në këtë shtet të çorientuar, të cilët duke u lidhur me Tiranën, siç shprehet akademiku, e paskan lënë anash Kosovën. Çudi! Por, për këtë të shohim më poshtë në këtë raport të zi: ”Mirëpo, shkëputja e lidhjeve tradicionale të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Kosovën do të shkaktojë pashmangshëm disa pasoja të rënda dhe do t’i sjellë dëme të mëdha jo vetëm komunitetit shqiptar, por edhe vetë shtetit maqedonas, siç është shtrirja më agresive e radikalizmit islamik, i pabaraspeshuar dhe “i pakontrolluar” nga ndikimi emancipues i Kosovës; radikalizimi i një pjese të faktorit politik shqiptar, i cili nuk do të ndihet mirë nën ombrellën anacionale të Tiranës; përçarjet e brendshme të faktorit politik shqiptar (sipas modelit të Tiranës), që mund të çojnë deri te destabilizimi i Maqedonisë së Veriut etj. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë lidhje shpirtërore, që nuk mund të minimizohet, aq më pak të mënjanohet tërësisht.” O zot, çfarë terroristi është ky zotëri, akademik shqiptar? Nuk di se si mund ta shprehë urrejtjen më rreptë një njeri. Nuk di se pse e sheh të keqen e shqiptarëve te shteti i Shqipërisë, pasi deri me gjithë informacionin që ekziston, me gjithë dokumentet historike, me gjithë veprimtarinë praktike, Shqipëria, pavarësisht nga problemet që ka pasur e ka brenda vetes, pavarësisht nga gjendja e saj edhe ekonomike, mbasi demokracia i ka sjellë disa pështjellime, Shqipëria për trojet shqiptare jashtë kufijve të saj dhe për shqiptarët që i banojnë ato, historikisht ka punuar dhe punon me përkushtim dhe deri tash, veç të mirave, asnjë të keqe nuk u ka sjellë as Kosovës, as Maqedonisë e as Malit të Zi dhe as Kosovës Lindore. A ka bërë sa duhet të bënte, nuk mund ta them po, por mund të them se edhe rrethanat nuk kanë qenë gjithnjë të favorshme. Por të bëhet thirrje publikisht që Kosova dhe Maqedonia nëse duan të shpëtojnë, duhet të shkëpusin çdo kontakt me Shqipërinë, këtë e bën vetëm zotëri Kraja nga pozita e kryetarit të Akademisë së Kosovës. Veprim i tmerrshëm, i turpshëm dhe kundërshqiptar!
Megjithatë, kam dëshirë që për të gjithë ata që kanë kuriozitetin të jenë të qartë ku mbështetet politika e shtetit të Republikës së Shqipërisë, dua të citoj preambulën e kushtetutës së këtij shteti të miratuar me referendum popullor në vitin 1998, ku thuhet: ”Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit.” Vetëm këtë po të kishte lexuar e vlerësuar zotëri Kraja nuk do të kishte guxuar të fliste, të deklaronte e të shpifte aq ndyrë dhe armiqësisht ndaj Republikës së Shqipërisë.

13. Njohjet nga shtetet dhe territoret e Kosovës, një shqetësim pa bazë

Zotëri Kraja edhe çështjen e njohjeve nga shtetet e tjera të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur e vë në dyshim, pasi thekson se ”… zhvillimet brenda vetë Kosovës ndikuan negativisht në njohjet ndërkombëtare, veçmas qeverisja e keqe, korrupsioni dhe krimi i organizuar bënë që shumë shtete ta shikojnë me skepticizëm të ardhmen e Kosovës, ndërsa Serbisë i krijuan argumente lehtësisht të përdorshme për propagandën e saj kundër njohjeve…” Nuk e kuptoj vërtet ky zotëri ende mendon se mund të kthehet Kosova në Serbi? Nëse ka këtë mendim, gabon rëndë dhe ia largoj unë merakun, se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë sa të ketë shqiptarë në këto hapësira shqiptare.
Kurse për këto që thekson në vijim, se ”… hapja e çështjeve territoriale në dialog me Serbinë, që u pranua si opsion nga një pjesë e elitës politike të Prishtinës, ishte dëmi më i pariparueshëm për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, sepse nga një “çështje e mbyllur”, e bëri Kosovën “çështje të hapur”, posaçërisht për një numër shtetesh ende të pavendosura …” Unë dua të shtroj një çështje për të gjithë ata që nuk di si e kuptojnë këtë proces. Por di se Kosova me Shqipërinë ka një kufi të njohur ndërkombëtarisht, me Maqedoninë e Veriut, mbas bisedimesh e debatesh të gjera, duke humbur një hapësirë tokësore, Kosova përfundimisht ka përcaktuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht; po kështu ka vepruar edhe me Malin e Zi, ku përsëri ka humbur hapësira tokësore, por ka vendosur kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Ndërsa me Serbinë ende nuk e ka bërë këtë, së pari se ende nuk është arritur në atë shkallë, por që do të shkohet edhe në këtë aspekt. Pas kësaj panorame, duhet bërë pyetja: Kur të fillojnë bisedimet me Serbinë për këto çështje, a do të fillohet përsëri të bëhet shaka nga zotëri Kraja e ndonjë tufë politikanësh?
Po kështu, duke folur për njohjet e shtetit të Kosovës prej shteteve të tjera, është befasuese akuza e akademikut Kraja, pasi ai shkurt e shqip thotë: ”Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive…” Sinqerisht më duket se të bësh akuza të tilla për shtetin tonë, që jo vetëm nuk ka ditur e nuk di se si mund të korruptojë shtetet e tjera, por as nuk ka fuqi ta bëjë këtë, sepse nëse ekziston ky lloj korrupsioni, është korrupsion i rëndë, nuk kalohet me një kafe. Por këtë e di akademiku e do të ishte mirë ta bënte publike mënyrën se si korruptohen shtetet.
Ndërsa për sa i përket asaj që akademiku Kraja e quan ndarje të Kosovës, unë nuk e kam dëgjuar kurrë të dokumentuar këtë term, përveç në debatet politike dhe analizat mediatike, ku secili flet si i pëlqen dhe i jep vetes të drejtë.
Por unë kam dëgjuar qysh para çlirimit të Kosovës dhe pas çlirimit për ndryshim të kufijve të Kosovës për të kaluar në atë të ndryshuar nga Beogradi në vitin 1953, kur edhe Kosova Lindore ishte pjesë e Kosovës, dhe unë me dëshirë që nesër do ta bëja këtë ndryshim kufijsh, pa më shkuar fare në mendje se po gaboj kombëtarisht.
Por të deklarosh se është kërkuar e pranuar që të ndahet Kosova, duke thënë ”…u paraqitën ide, të cilat kishin synim ta zgjidhnin çështjen e Kosovës me një “prerje” radikale, duke e ndarë territorin e saj dhe duke e “pajtuar” Serbinë me humbjen e paevitueshme të Kosovës…” Kjo më jep shije të hidhur. Dhe, është interesant, se këtë veprim kundër atdheut të tyre, po e bëkan luftëtarët që e kanë çliruar me armë, të gatshëm të japin edhe jetën për ta parë të lirë. Po e mbron zotëri Kraja, i cili kur në Kosovë luftonin ata që ky i akuzon, nuk dihet ku ishte, por vetëm në luftë e në Kosovë nuk ishte. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin…