NJË RAPORT KUNDËRSHQIPTAR SI AI I DIK MARTIT! (5)

20 mars 2023 | 14:39

(Disa arsyetime e qëndrime ndaj shkrimit “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, nga kryetari i AShAK-ut, akademik Mehmet Kraja, në dhjetor 2022)

Shkruan: Kudusi Lama

  1. A qëndron mendimi, që, sipas këtij raporti, është krijuar një grup armiqësor kundërshqiptar?

Ajo që të befason është fakti se akademiku ka aq guxim, sa të krijojë një grup kundër-Kosovë, në të cilin ndër të tjerë janë Çubriloviqi, Qosiqi dhe Hashim Thaçi. Se me çfarë logjike është folur në këtë çështje, nuk arrij të bindem se një njeri normal mund ta bëjë një vlerësim të tillë nëse nuk është nën ndonjë trysni të papërballueshme ose përballë ndonjë rreziku fatal.

Dhe, për ta korrigjuar raportin e tij, akademiku Kraja, meqenëse iu duk pak vetëm Hashim Thaçi në grupin kundër-Kosovë, pas disa ditësh që e publikoi këtë raport, do të shkruante: ”Pasi u kuptua se ish-liderët e UÇK-së mund të ishin objekt i Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket e emisarëve “diplomatikë”, të cilët filluan të lëviznin me një shpejtësi në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim.”  Pra, tashmë në këtë grup armiqësor kundër-Kosovë nuk është vetëm Hashim Thaçi, por të gjithë udhëheqësit e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Mbetet vetëm për të bërë evidencën, por nuk e di deri në çfarë niveli do të zbresë zotëri akademik Kraja. A do të përfshihen edhe komandantët e zonave e brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo do të mjaftohet vetëm me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, nuk mund ta di. Të shpresojmë të mos i shkojë mendja për ndonjë ndryshim të ri, se mund të të akuzojë ndoshta edhe të gjithë luftëtarët e UÇK-së. Por nuk më vjen çudi, pasi e di se Serbia na ka dënuar edhe dëshmorët me nga njëzet vjet burg në mungesë, një vit pas rënies së tyre në altarin e kombit. Shikoni aktgjykimet e Serbisë.

Po e njëjta gjë ndodh edhe me pjesën tjetër, atë të Maqedonisë së Veriut, pasi në variantin e parë ngarkon me përgjegjësi vetëm zotëri Ali Ahmetin, në variantin e korrigjuar nuk e lë as atë vetëm, prandaj thotë: ”Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një agjendë të këtillë nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në Maqedoninë e Veriut.”  Pra, edhe atje u duk pak vetëm Aliu dhe duheshin përfshirë edhe të tjerë, megjithëse ndoshta jo të gjithë. Kështu duket se në Maqedoninë e Veriut paska ndonjë që Akademiku nuk dëshiron ta akuzojë si pjesë e grupit armiqësor kundër-Kosovë.

Megjithatë, unë kam dëshirë t’ia heq merakun akademikut Kraja se Maqedonia e Veriut kurrë nuk do të shpërbëhet. Shqiptarët nuk do të jenë për asnjë arsye kërkues të shpërbërjes së Maqedonisë dhe nuk do të jenë shtojcë as të Shqipërisë, as të Kosovës. Ata kanë aq forcë dhe guxim sa ta shohin Maqedoninë e Veriut si shtetin e tyre dhe të kontribuojnë për ta zhvilluar atë sepse janë në tokën e tyre, në të drejtën e tyre dhe ndërtojnë shtetin e tyre. As mos u merr më me këtë çështjen e shpërbërjes së Maqedonisë së Veriut se nuk të dëgjojnë edhe sikur të jesh shumë i interesuar për këtë.

  1. Raport që tenton të ligjërojë akuzat kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës

Qëndrimi që i vë vulën gjithë kundërshqiptarizmit të këtij raporti është fakti që akademiku Kraja, nuk e di për çfarë arsyesh ligjëron akuzat ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës, në nivelin që i ngre ato raporti i Dick Marty-t. Dhe këtë akademiku Kraja e shpreh kështu: ”Megjithatë, sido që të ishte sistemi gjyqësor i Kosovës dhe pavarësisht nga fakti se në mënyrë jo të drejtë u vendos një shenjë barazimi midis agresorit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), në periudhën e luftës dhe menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilëve mund të kualifikoheshin si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një pjesë e mirë e krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë.”  Duhet marrë në konsideratë se të gjitha këto që akademiku Kraja i ligjëron si krimet të luftës e krime kundër njerëzimit, në aktakuzën e gjykatës kanë rënë thuajse të gjitha, për arsyen e thjeshtë se ishin të montuara e të përpunuara nga prokuroria serbe në Beograd së bashku me ligjërues të tillë si akademiku Kraja. Tashmë, meqenëse këto akuza të formuluara nga Dik Marti kanë rënë, siç duket doli një dëshmitar i ri, i cili realisht duhet të shkojë në Hagë ta vërtetojë akuzën e tij. Ky është zotëri Kraja, i cili ndoshta ka informacione më të thelluara se prokuroria e Serbisë.

Po kështu, thuajse i vjen në ndihmë Memorandumit 2 të Akademisë së Shkencave të Serbisë, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se synimi i këtij dokumenti: ”- Zvogëlimi i përgjegjësisë së Serbisë për krimet dhe shkatërrimet, akuzat, ndjekjet dhe proceset e montuara kundër shtetasve të BiH, Kroacisë dhe Kosovës dhe vendosja në pozitën e barabartë me shtetet përreth.

– Destabilizimi i qeverive të vendeve fqinje, provokimi i pakënaqësive të brendshme dhe trazirave dhe dobësimi i mprehtësisë se akuzave kundër Serbisë.

– Me aksione pendese vendosja e Serbisë në pozitën e njëjtë me të vuajturit dhe të dëmtuarit.”  Dhe, besoj për gjithkënd është e qartë se sa mirë bën përpjekje raporti i akademikut Kraja për t’i barazuar krimet, duke deklaruar se edhe Kosova, më saktë Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime si Serbia.

Ndërsa në vijim akademiku Kraja thekson: ”Po ashtu, tashmë është krijuar bindja se Gjykata Speciale, e themeluar nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, as do të formohej dhe as do të niste nga puna, …sikur nomenklatura politike e Kosovës, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të mos e uzurponte pushtetin dhe institucionet vendore.”  Nuk e di përse partitë politike në Kosovë nuk janë distancuar nga qëndrime të tilla, mbasi sistemi politik në Kosovë prej çlirimit është sistem demokratik dhe nuk kam asnjë informacion se në Kosovë është bërë grushtshteti, por, përkundrazi, luftëtarët kur kanë mbetur në opozitë si rrjedhojë e votës së popullit, kanë qëndruar mjaft mirë në opozitë. Prandaj, mendoj se ky vlerësim në raportin e akademikut Kraja përbën precedent për të sotmen dhe të ardhmen që kush merr pushtetin të quhet ose hajdut votash ose puçist. Partitë politike nuk duhet të pajtohen me këtë raport se do të dëmtojnë veten dhe pushtetin e tyre në të ardhmen.

Ndërsa në një paragraf më poshtë të raportit të tij, akademiku Kraja bën një vlerësim të çuditshëm: ”Më anë tjetër, ish-krerët e UÇK-së u përpoqën disa herë ta zhbënin Gjykatën Speciale, synuan të përdornin fuqinë e tyre të votës në Parlament dhe, mbi të gjitha, të nxitnin opinionin publik kundër Gjykatës, duke u mbështetur te ndjeshmëria e popullit të Kosovës ndaj vlerave të UÇK-së dhe të luftës për liri.”  Dua t’i kujtoj zotëri Krajës se ajo gjykatë speciale u ngrit me votat e atyre që ai i akuzon se nuk deshën ta lejonin e se deshën ta zhbënin atë gjykatë.

Ndërsa dua të qartësoj për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjithë shqiptarët kudo që janë dhe të gjithë qytetarët e botës, që janë të interesuar të dinë se luftëtarët në politikë e në Parlamentin e Kosovës, që votuan themelimin e kësaj gjykate speciale, që në fillimet e veprimtarisë së kësaj praktike e kanë ditur se do të jenë të akuzuar prej saj. Por për hatër të pastrimit të historisë së Kosovës e të luftës që ka bërë për t’u çliruar, kanë pranuar të përballen me këto akuza dhe për ta pastruar veten dhe gjithë Kosovën nga llumi që përpiqen t’ua lëshojnë në shpinë të gjithë ata që u është prishur interesi duke u çliruar Kosova e duke u bërë shtet sovran dhe i pavarur.

Uroj që akademiku Kraja të mos e ketë deklaruar këtë raport të rëndë kundërhistorik për Kosovën dhe gjithë shqiptarinë i nxitur a i detyruar.

  1. Reagime ndaj këtij raporti nga intelektualë e politikanë shqiptarë

Duke lexuar disa nga reagimet ndaj këtij raporti alla Dik Marti, më tërheqin vëmendjen me mençurinë dhe kthjelltësinë e tyre disa intelektualë e politikanë, reagimet e të cilëve arrita t’i lexoj për të krijuar një ide të qëndrimeve që mbahen. Dhe, fillimisht u ndala te reagimi i prof. dr. Sabit Syla, në Institutin e Historisë, në Prishtinë, të titulluar: “Reagim lidhur me analizën politike të Mehmet Krajës, “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”. Këtë reagim, pasi e lexova, evidencova disa çështje të ngritura prej tij, me të cilat jam plotësisht dakord dhe nuk besoj se ka nevojë për komente shtesë. Në fillim të këtij reagimi realisht shkencor thuhet: ”… Mehmet Kraja do të duhej të synonte në bashkimin e kërkuesve dhe studiuesve të shkencave të disiplinave albanologjike, për të diskutuar, vlerësuar dhe ridimensionuar studimet tona të përbashkëta, që me argumente shkencore, të pavarura e neutrale, të dalim para botës me teoritë për vijimësinë iliro-shqiptare, trashëgiminë etnike dhe kulturore të shqiptarëve në hapësirat ballkanike, për studimet letrare, antropologjike, kulturore e muzikore, e hartimin e objektivave dhe platformave për zgjidhjen e çështjes kombëtare, apo të paktën me platformë për punën me shqiptarët jashtë atdheut gjatë periudhës së ardhshme.”  Sa mirë do të ishte të kishim një angazhim të tillë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, por nuk lë mundësi akademiku Kraja, sepse ”…ai del me analiza politike tejet të dëmshme, siç është e ashtuquajtura analizë “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”. Sikurse dëfton emri i këtij dokumenti, qëllimi primar në thelb del ulja e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, e në linjë me këtë edhe të asaj politike e atdhetare.”.  Kjo është superabsurde. Një qëndrim të tillë nuk e gjejmë në asnjë dokument të shkruar diku për interesat kombëtare të një kombi.

Dhe në vijim profesor Syla thotë: ”Analiza politike e akademik Krajës, për Ilirët, Mesjetën e për shqiptarët në përgjithësi që flet prej shekullit XVIII e këndej, ka sjellë shumë pasaktësi në shkencë dhe në opinionin publik. Madje ka vazhduar t’i kultivojë e përterijë edhe disa nga teoritë historiko-politike të fushës së historiografisë serbe …”.  Dhe mund të them se për këtë jam plotësisht i bindur, pasi librin e Konstandin Jeriçek “Historia e Serbëve” e kam lexuar, sepse është i përkthyer edhe shqip pa asnjë lloj oponence pikërisht nga shkencëtarët që e kanë përkthyer, mbasi siç duket ka akoma të tillë që duan të instalojnë në memorien e shqiptarëve ato që thonë e deklarojnë serbët për shqiptarët.

Po kështu, profesor Syla qartëson dhe orienton, për paraqitjen e këtij raporti e vlerat e tij edhe kur vjen te vlerësimi në këtë raport i Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë që e bëri atë. Për këto lexojmë arsyetimet: ”Nga përmbajtja e materialit shikohet qëndrim mjaft i ashpër ndaj ish-drejtuesve të luftës çlirimtare. Tërheq vëmendjen edhe fakti, që analiza e Krajës del në momentet që siç dihet pritet gjykimi i drejtuesve të luftës çlirimtare. Andaj jo pa qëllim filloi kjo fushatë e ndërmarrë në këtë drejtim për të intensifikuar më tej, të gjitha veprimtaritë antishqiptare, për gjykimin e liderëve të luftës. Në vend që z. Kraja të punonte për të frenuar një proces të tillë, mbi bazën e fakteve dhe argumenteve shkencore, pasi në zhvillimet historike, në rrjedhën e viteve dhe shekujve, ka ngjarje që për domethënien e tyre, qëndrojnë si udhërrëfyese në udhëkryqet e mëdha të historisë e ajo që zë vend nderi në histori është Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja pavarësisht lëkundjeve nëpër kundërthëniet e kohës tashmë 23 vite me radhë, ka ngel projekti themeltar i shtetit modern shqiptar në Kosovë, shkëlqimi i së cilës nuk shuhet kurrë”.  Nuk besoj se gjendet dikush ndër shqiptarët e të gjitha kategorive që mund të arsyetojë të kundërtën e këtij qëndrimi, përveç shkruesit të raportit që merret në analizë.

Dhe, në vijim profesor Syla thotë: ”Mobilizimi dhe armatosja e serbëve vendorë kishte karakter masiv. Një raport nga mbledhja e Shtabit të MPB të mbajtur me datë 28 korrik 1998 thuhej se ishin formuar 243 njësi të policisë rezervë në të cilat bënin pjesë banorët e fshatrave/qyteteve përkatëse dhe ishin armatosur rreth 54.683 njerëz, 12.170 prej të cilëve u armatosën nga MPB kurse 34.716 nga UJ, derisa 7.797 ishin armatosur qysh më herët. Për më tepër raporti theksonte se në Kosovë kishin arritur edhe 5.070 armë shpërndarja e të cilave ishte duke vazhduar. U vlerësua se në këtë proces duhej të armatoseshin rreth 60.000 persona.[66] Kjo shifër prej 60.000 serbësh vendorë jep të kuptohet se ishin mobilizuar pothuaj të gjithë meshkujt serbë të aftë për armë. Këto të dhëna të mësipërme janë nga pala serbe, andaj për çfarë civilësh flisni, pasi ata ishin të armatosur?”  Është krejt e vërtetë, veçse dua të saktësoj se në numërimin përfundimtar, në Kosovë gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës kanë qenë 63 mijë civilë serb, banorë të Kosovës të armatosur dhe të organizuar ushtarakisht për luftë. Këta serbë të armatosur u shtoheshin rreth 70 mijë trupave ushtarake, 12 mijë trupave policore, 8 mijë trupave paramilitare dhe 5 mijë trupave kriminale vullnetare të liruara nga burgjet për të luftuar në Kosovë e për të bërë krime me kushtin e lirimit nga burgu pas përfundimit të luftës. Kështu që 158 mijë trupa të armatosura të pushtuesit në Kosovë nuk kanë lënë vend për të bërë UÇK-ja si të dëshironte, por vetëm mund të shfrytëzonte malet për të luftuar kundër pushtuesit e mbrojtur qytetarët që kishin braktisur shtëpitë e tyre dhe ishin strehuar në to për të shpëtuar prej masakrave.

Një tjetër reagues, Mirlind Behluli, shprehet se ”… gjuha e përdorur shpesh është politikisht jo korrekte, duke i ngjarë më shumë një fletërrufeje sesa analizës së mirëfilltë”.  Ky vlerësim më ktheu vërtetë në vitet ’70 në Shqipëri, kur funksiononte sistemi i fletërrufeve, që duke bërë përpjekje të korrigjoheshin të metat nxiheshin portretet e njerëzve dhe të institucioneve me deklarime pikërisht si të këtij raporti. Ashtu edhe akademiku Kraja, nën pretekstin e korrigjimit të të metave në jetën kombëtare shqiptare, e ndynë me sa fuqi ka historinë kombëtare, e nxinë gjithë jetën kombëtare, e pështynë gjithë politikën shqiptare nëpër kohë, e thyen gjithçka me vlerë dhe tenton të krijojë përçarje ekstreme kombëtare shqiptare.

Zoti na ruajt nga akademiku, sepse po të ketë më tepër fuqi nuk di çfarë do të kishte bërë mbi kombin të cilit ndoshta për fatin e tij të keq i përket, mbasi duket se ky komb nuk është i denjë për të pasur të vetin një figurë si e tij.

Se sa të rrepta janë përpjekjet përçarëse në këtë raport e thotë qartë edhe reaguesi në fjalë, kur shprehet: ”Për më shumë, dokumenti ka … gjuhë paranojake e paragjykuese ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Partisë Socialiste e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe fesë islame”.  Çka lë të kuptohet se Kosova vetëm nga shqiptarët nuk duhet t’i kthejë sytë dhe qytetarët e Kosovës duhet të largohen nga feja Islame. Uroj që Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës të distancohet nga mendime e deklarime të tilla të çartura. Sepse, siç thotë reaguesi i mësipërm në këtë raport ”…ASHAK-u i komenton edhe Serbinë, Kishën Ortodokse, BE-në, Planin e Ahtisarit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Edi Ramën, Vetëvendosjen, Ali Ahmetin, BIK-un, Turqinë, fundamentalizmin islamik, Gjykatën Speciale e shumë çështje të tjera. Për më tepër, ASHAK-u e akuzon edhe shtetin e Kosovës se “pranoi” njohje të sponsorizuara të shtetësisë në mënyrë korruptive.”  Gjuha e përdorur është shumë-shumë e rëndë e problematike për historinë shqiptare. Veçse po të kishte të drejtë e të kishte bërë vërtet analizë për të nxjerrë mangësitë dhe sfidat, do të deklaroja me të madhe që ka të drejtë. Por ky punim është thjesht një raport kundërshqiptar.

Vërtet, gjëra nga këto që janë shkruar në këtë raport mund të fliten e përfliten në mjedise kafenesh nëpër Kosovë. Por një analizë shkencore nuk është dhe nuk mund të jetë një përmbledhje e fjalëve që thuhen nëpër kafene. Kështu që, akademiku Kraja mund të ketë evidencuar fjalë kafenesh, por nuk ka bërë një analizë shkencore. Ai thjesht ka bërë një evidencë tip raporti kundërshqiptar, pa e vrarë mendjen për analizë. Sepse aty nuk ka asnjë arsyetim, asnjë ballafaqim, asnjë dokument, asnjë analizë të mëparshme, asnjë pasqyrë debati për këto çështje, asnjë referim mbi debatet politike e diplomatike, asnjë akt gjyqësor të gjykatave të Kosovës a të gjykatave ndërkombëtare etj.

Ndërkaq, Armand Matoshi, në informacionin e tij, tregon qëndrimin e vetë Akademisë ndaj këtij raporti dhe autorit të tij, duke theksuar: ”Me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vetë ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rënda për vetë Akademinë”, thuhet mes të tjerash në komunikatë.”  Evidencimi i kësaj komunikate ka rëndësi të madhe, sepse hedh hapa për ta pastruar institucionin nga qëndrimet personale qoftë edhe të vetë kryetarit të këtij institucioni, pasi e konsideron se me ato qëndrime dhe vlerësime Akademisë dhe publikut të gjerë i është shkaktuar dëm.

Ndërsa zotëri Memli Krasniqi këtë publikim do ta quajë një pamflet kundërshqiptar, me qëndrimin e të cilit pajtohem plotësisht. Pasi ai vlerëson se ”me këtë sulm të ulët nga teksti i dalë prej këtij institucioni, të paguar nga taksapaguesit e Kosovës, konfirmohen e noterizohen tezat serbe, duke sulmuar drejtpërdrejt lidershipin e UÇK-së, si dhe duke ushqyer albanofobinë kundrejt kosovacentrizmit ekstremist, por edhe retorikën neokolonialiste kundër aleatëve perëndimorë.”  Ashtu sikurse vë në dukje se ”…teksti sulmon të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm e mbështetës të Kosovës, duke filluar me akuza ndaj SHBA-së, BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, se kinse janë bashkëfajtorë për politikat hegjemoniste aktuale serbe, për të vijuar me akuza ndaj elitës politike të shqiptarëve të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.”  Kjo vërehet plotësisht në raportin e publikuar dhe krijon një atmosferë mbytëse për gjithçka që krijon vlerë kombëtare shqiptare.

Zotëri Behxhet Pacolli shprehet: ”Duke lexuar atë pamflet që ju e publikuat, u habita jashtëzakonisht se si një person që pretendon se e do vendin e vet, përmes një pamfleti politik dhe propagandistik bëhet zëdhënësi më i denjë i propagandës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë.”  Kjo mendoj se del e pasqyruar mjaft mirë në raportin në fjalë të akademikut Kraja, e ku zotëri Pacolli me qëndrimin e tij shkon edhe më tej kur vë në dukje se ”po shihet qartë se ju jeni profesionist në shqiptimin e qëndrimeve të shteteve që sfidojnë dhe luftojnë shtetësinë e Kosovës.”  Është shumë interesant ky qëndrim, pasi dihet se kemi të bëjmë me qëndrimin e ish-Presidentit të Kosovës, ish-zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës. Prandaj mendoj se të vlerësohesh nga një personalitet i tillë, që ka njohje të plota për zhvillimet, me këtë notë negative duhet ulur dhe vënë gishtin kokës, sepse vërtet duket se janë bërë abuzime të rënda me të drejtën e fjalës dhe me funksionin që ushtrohet në emër të Kosovës. Më tej zotëri Pacolli, duke iu drejtuar akademikut Kraja, thotë: ”Është për t’u mërzitur sepse ju flisni pikërisht me narrativën e Beogradit dhe zyrtarëve shtetërorë atje. Njohjet e Kosovës që kanë ardhur bazohen në lobim të mirëfilltë dhe të mirëkoordinuar me partnerët tanë duke paraqitur të vërtetën dhe të drejtën tonë si shtet.”  Ndaj shihet qartë qëndrimi i atij që merret me thashetheme përballë qëndrimit të zotëri Pacollit, që është marrë me këtë çështje prej 15 vjetësh dhe vijon të jetë i angazhuar për të. Më tutje zotëri Pacolli i tërheq vëmendjen akademikut Kraja duke i thënë: ”Nuk kam dëgjuar kryetarin e Akademisë sonë, një institucion që paguhet nga buxheti i Kosovës, të reagojë kur u dëshmua nga ambasadorët perëndimorë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për diplomacinë e korruptuar të Serbisë, apo kur mediet në mbarë botën shkruanin për diplomacinë e korruptuar të Serbisë, përfshirë raportet e Amnesti International për dërgimin e armëve në Afrikë. Nuk kam dëgjuar që ju u keni shkruar homologëve tuaj për diplomacinë e korruptuar të Serbisë, as nuk keni marrë mundimin të shkruani në mediet ndërkombëtare.”  Artikulim më të qartë se çfarë duhet të kishte bërë akademiku Kraja dhe çfarë ka bërë nuk mund të ketë. Kjo është një pasqyrë ku secili duhet të shikojë portretin e tij. Zotëri Pacolli me shumë të drejtë i tërheq vëmendjen akademikut Kraja edhe për këto çështje. Pa folur për pretendimet dhe këshillimet e mëtejshme.

Më bën përshtypje edhe një vlerësim tjetër nga zotëri Behxhet Shala, i cili, ndër të tjera, shprehet: ”Raporti “analitik” i Mehmet Krajës, më i dëmshëm se raporti i Dik Martit! Ky “raport analitik”, sipas një miku tim të mirë është: “fund e krye antievropian”, antiperëndimor, konspirativ dhe pa asnjë argument shkencor, fjalë rrugësh e pallavra kafesh, pa fije turpi, njollosje njerëzish dhe moralizim publik.”.  Dhe, realisht më i dëmshëm se raporti i Dik Martit! Kemi folur më lart për këtë raport dhe përmasat që ka në krahasim me atë të Martit. Prandaj, edhe pajtohem me zotëri Behxhet Shalën kur vlerëson se ”… pamfleti politik që është edhe faqja tjetër e zezë e raportit të Dik Martit – varianti kosovar….”  Një raport ky gjithëpërfshirës kundërshqiptar që e fuqizon raportin e Dik Martit do të arsyetoja unë dhe, siç duket, është punuar si ushqim për të, për të arsyetuar se jo vetëm aq sa thotë ai ne jemi të ndyrë, por e kemi të ndyrë gjithë historinë tonë dhe jetën tonë, se ne nuk mund të jemi një komb i bashkuar dhe se ne rrezikun e kemi nga vetvetja e jo nga pushtuesit e në veçanti nga Serbia.

Dhe në vijim evidencojmë reagimet e një profesionisti të ligjshmërisë, i cili ka dhënë prova se bën vlerësime ligjërisht të sakta për çdo qëndrim individual a kolektiv, di dhe për veprimet e vendimet e institucioneve. Ky është zotëri Enver Hasani, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili në reagimin e tij shprehet: ”… teksti ka pasaktësi, të cilat prodhojnë një orientim antievropian dhe antiperëndimor të autorit të tekstit.”  Në vijim thekson: ”Interpretimet në esencë të Mehmetit sa i përket historisë aktuale të Kosovës dhe vendeve përreth karakterizohen me dy gjëra: e para, urrejtje e shfrenuar ndaj Shqipërisë si shtet, në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj; dhe, e dyta, në portretizimin e atyre që janë në Hagë si njerëz të padenjë për politikë dhe potencialisht të inkriminuar në vrasje të njerëzve.”  Po kështu juristi i mirënjohur Enver Hasani, që ka bërë emër në atë çfarë quhen vlerësime ligjore në Kosovë e më gjerë, do të saktësojë: ”Ajo që dikton tempon dhe përmbajtjen e politikës së jashtme të shtetit shqiptar nuk është dallimi veri e jug, por arsyeja shtetërore, që formohet dhe diktohet nga dinamikat ndërkombëtare të secilës kohë, e që Mehmeti nuk i merr vesh. Sikur t’i merrte vesh, do kishte një qasje tjetër ndaj interpretimit të idesë dhe praktikës mbi Ballkanin e hapur, që aktualisht përbën orientimin kryesor të politikës së jashtme të shtetit shqiptar”.  Vetvetiu lind një pyetje: Përse akademiku Kraja duke qenë edhe në detyrën e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nuk ndërmori hapa për të thirrur në konsultë personalitete profesioniste të botës akademike siç është zotëri Hasani, për të bërë atë që është më e mira për Kosovën e gjithë kombin shqiptar të cilëve u detyrohet t’u shërbejë, por përpunoi një raport kundërshqiptar në një mënyrë të themi gjysmilegale dhe ta deklarojë, duke krijuar ide edhe që mund ta ketë marrë diku të gatshëm dhe vetëm ta ketë firmosur?

Më tej prof. Hasani vlerëson: ”Pasi konstaton se Hashim Thaçi akuzohet për kohën e të ashtuquajturës Qeveri e Përkohshme në Kosovë, që nuk është e saktë sipas aktakuzës kundër tij, Mehmeti nis e përpunon vetë aktakuzën. Për ata që nuk e dinë sikur Mehmeti, ata në Hagë akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, element i qenësishëm i së cilës është vazhdimësia e veprimtarisë kriminale të të akuzuarve. Kjo do të thotë se, cilësimi i Hashim Thaçit si autoritar dhe si lider efektiv i një strukture qeveritare që nuk njihet ndërkombëtarisht, nënkupton konfirmimin e elementit qenësor të veprës penale për të cilën ai dhe të tjerët akuzohen.”  Duket, pra, keqdashja e akademikut Kraja ndaj heronjve të Luftës Çlirimtare të Kosovës, siç arsyeton zotëri Hasani. Duket sikur ai po hakmerret ndaj këtyre heronjve, por ata ndonjë borxh zotëri Krajës nuk i kanë, prandaj lind edhe një pyetje që realisht kërkon një përgjigje: Në emër të kujt po hakmerret zotëri Kraja dhe për interesat e kujt po i bën të gjitha këto akuza? Unë nuk mund të jap përgjigje për këtë konstatim që bën zotëri Hasani, që zotëri Kraja përpunon vetë aktakuzën.

Është e turpshme nëse vërtet do të ndodhë ajo që paralajmëron zotëri Hasani kur thotë: ”Eseja e Mehmetit, jam shumë i sigurt, do të merret si provë dhe si një dëshmi e prokurorisë për të vërtetuar natyrën autoritare të të akuzuarit kryesor, si dhe për veprimtarinë e tij kriminale në vazhdimësi.”  Kjo do të ishte një vepër shumë e rrezikshme antikombëtare nëse vërtet edhe prokuroria speciale në Hagë do të binte në nivelin e marrjes në konsideratë edhe të një raporti si ai i Dik Martit, por të përpunuar shumë dobët, në interes të Serbisë prej një shqiptari. Më tej përsëri zotëri Hasani tërheq vëmendjen duke arsyetuar: ”E keqja e Mehmetit këtë radhë është se, me përdorim të narracionit konspirativ, ka ndikuar dukshëm në inkriminim të mëtejshëm të atyre që janë në Hagë. Këtë nuk ia ka pasur borxh Kosova Mehmetit, të cilin e ka edukuar, shkolluar dhe mbajtur  që nga dita e parë kur ka shkelur në të, por nuk ia kanë pasur borxh as ata në Hagë dhe familjet e tyre.”  Ngelem pa fjalë pas këtij deklarimi të zotëri Hasanit.

Reaguesi i fundit që kam marrë për të sjellë në këtë qëndrim timin ndaj këtij raporti kundërshqiptar është zotëri Imer Topanica, i cili vë në evidencë se ky raport i akademikut Kraja ”…në veçanti targeton disa entitete, ndoshta më tepër për ta tërhequr vëmendjen nga problemet e mëdha me të cilat ballafaqohemi si shoqëri. Në këtë vazhdë, Turqia dhe myslimanët* janë dy ndër to.”  Për të arsyetuar ky zotëri ndalet me shumë saktësi në të gjithë çështjet e këtij raporti, për të cilin trajton me saktësi dhe ashpërsi çdo element që është evidencuar për të sjellë dëme në arenën kombëtare shqiptare. Por unë po sjell vetëm një qëndrim të tij kur thotë me plot arsye: ”Po pse Turqia nuk është anëtare e NATO-s? Nuk është aleate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Patjetër që po, por, siç e thamë, ASHAK-u ka ngelur në vitet e komunizmit, sepse, si është e mundshme që një Turqi, duke i pasur synimet e njëjta me armiqtë e Perëndimit – Kinën edhe Rusinë, ta njohë Republikën e Kosovës, ta mbështesë atë në kauzën shtetformuese, ta ndihë atë në aspektin politik, ekonomik, ushtarak, shëndetësor, arsimor e kulturor? Mbi 40 marrëveshje të protokolluara janë nënshkruar ndërmjet Turqisë dhe Kosovës. Gatishmëria e saj për ta ndihur Kosovën, kurrë nuk është vënë në dyshim, përveç në raste përjashtuese (sikur ky nga ASHAK-u).”  Kjo është e vërteta dhe ky akt e bën me turp këtë Akademi nëse nuk distancohet nga ky raport famëkeq kundërshqiptar, që e konsideroj vazhdimësi dhe kopje e keqe e Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave të vitit 1986. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vizitë e ish-kryeministrit të Kosovës dhe deputetit të LDK-së,…