Një roman me vlera artistike dhe historike
Dibran Demaku
(Këndvështrim për romanin “Dita tjetër e jetës” të Adem Gashit)
Romani “Dita tjetër e jetës” i autorit Adem Gashi (romansier dhe poet i njohur) në narrativën e vet e ka luftën çlirimtare të Kosovës. Në këtë roman shkrimtari ka arritur t’i inkorporojë me shumë sukses të gjitha (të themi kushtimisht të mirat dhe të ligat që sjell lufta). Është një roman shumë i veçantë, sepse shumë nga personazhet e tij janë njerëz konkretë (me emër e mbiemër), por që në tërësinë romansore, personazhet fitojnë vlerë universale. Themi kështu për arsyen e thjeshtë, sepse lexuesi mund t’i ndryshojë emrat, t’i zëvendësojë me emra të tjerë dhe nuk ndryshon as narrariva e romanit e as vlerat e tij universale.
Personazhi kryesor i romanit është një i ri me emrin Jetullah Gashi, i mërguar në Gjermani. Një i ri i thjeshtë si shumica e moshatarëve të tij që ka mërguar në këtë vend të Evropës perëndimore. Një i ri që kur e thërret zëri i atdheut, lë Gjermaninë dhe kthehet të luftojë për lirinë e vendit të vet! Dhe fati i tij e cakton që të jetë luftëtar pikërisht në frontin më të vështirë të luftës, në frontin e Koshares.
Jetullahu arrin atje dhe me ndershmërinë dhe trimërinë arrin t’i fitojë zemrat e bashkëluftëtarëve, sa të emërohet komandant i njësitit të vet. Sipas përshkrimit të shkrimtarit, ai, pra Jeta, në sytë e bashkëluftëtarëve shndërrohet (të themi kushtimisht) në një komandant të adhuruar.
Jeta dhe bashkëluftëtarët e tij arrijnë që ta fitojnë luftën. Dhe Jeta, pas mbarimit të luftës dhe fitores së lirisë, i kthehet familjes dhe punës në Gjermani, pa pritur që të marrë mirënjohje e dekorata siç bënë disa të tjerë. Ky veprim i Jetës atij ia shton edhe më shumë madhështinë.
Por, ja që nuk qenka e thënë që heronjtë (ata të vërtetët) ta gëzojnë lirinë e atdheut të vet. Jeta bie në një aksident në punë në Gjermani, prandaj edhe titulli i romanit “Dita tjetër e jetës” është gjetje antologjike e shkrimtarit.
Ky roman, përveç të tjerash, na tregon (dhe mëson) se heronjtë janë gjithmonë afër nesh, rreth nesh e në ne. Ata janë vetëm një hap (të themi kushtimisht) para nesh në veprimet e tyre! Prandaj janë heronj!
U tha edhe më herët se shumica e personazheve të këtij romani janë të vërtetë. Autori ka pasur mundësi që në vend të personazheve të vërtetë, të emrave të tyre të merrte emra fiktivë. Por, pastaj romani nuk do të kishte as vlerë historike e as artistike që ka me emrat dhe bëmat e personazheve të vërtetë.
Jetën (kryepersonazhin) e romanit ata që e kanë njohur në jetë tash, kur ai jeton vetëm në kujtimet e tyre, do ta duan e adhurojnë për jetë të jetëve!
Romani, përveç vlerave artistike, ka edhe vlera historike: rrëfen për një kohë të jashtëzakonshme dhe për njerëz të jashtëzakonshëm. Rrëfen për heronj, për ata që na e sollën lirinë.
Jeta ka treguar se në kohë lufte shpërfaqen në mënyrë brutale karakteret njerëzore qofshin ato në kuptimin e mirë të fjalës, e sidomos ato në kuptimin e keq të fjalës. Dhe këto karaktere njerëzore do t’i gjeni të skalitura në mënyrë mjeshtërore nga pena e Gashit. Lexuesve si dhe krijuesve u mbetet që ta lexojnë librin e Gashit këtë shkrim.