NJË ROMAN PËR TË VËRTETAT RRËQETHËSE NË KOSOVË MË 1999…

24 maj 2024 | 14:52

(Mendime rreth romanit “Dashuri në detin e urrejtjes” të Xhevat Mustafës)

Nga SHPENDI TOPOLLAJ

I afirmuar prej kohësh si njëri nga gazetarët tanë më të mprehtë dhe më me kurajë në thënien e të vërtetave dhe demaskimin e së keqes, Xhevat Mustafa për asnjë çast nuk e ka lënë mënjanë krijimtarinë e mirëfilltë letrare, sidomos shkruarjen e disa romaneve mjaft interesantë. Ata kanë qenë të tillë, jo thjesht për vlerat e larta artistike, por edhe për tematikën me të cilën ky autor merret. Periudha e komunizmit na la si trashëgim një pafundësi ngjarjesh, shpesh me përmasat e krimeve dhe vuajtjeve absurde, për të cilat është shkruar dhe do të vazhdojë të shkruhet me qëllim që e keqja të njihet, të mos harrohet dhe prej saj të nxirren mësimet për të mos u përsëritur më. Por, në kohën tonë dhe sidomos pas shembjes së diktaturës në vendin tonë, ngjarjet e rëndësishme kanë pasuar njëra – tjetrën me shpejtësi marramendëse. Dhe ndofta lufta e popullit të Kosovës dhe ndihma e çmuar që aleatët i dhanë atij për heqjen një herë e përgjithmonë të zgjedhës serbe, natyrisht që është momenti historik, të cilit shkrimtarët, poetët, dramaturgët dhe historianët i detyrohen shumë për ta pasqyruar. Pa tjetër që mësë shumti e kanë këtë detyrim ata që e përjetuan nga afër atë luftë, ku barbaria ndaj shqiptarëve, vrasjet, masakrimet, dëbimet, përdhunimet, djegiet e shkatërrimet u shfaqën me përmasa të tilla, sa tronditën botën mbarë. Duke kryer detyrën diplomatike të zëvendësambasadorit në Kosovë për disa vjet, pra duke e njohur mirë atë gjysmë Shqipëri, Xhevati e ka ndier si detyrim moral së pari, por dhe atdhetar që ta paraqesë atë në planin njerëzor e psikologjik, duke u futur brenda subkonshiencës së tij. Vetë njeriu, si qenia më e sofistikuar e natyrës, është aq i komplikuar sa as Frojdi, Kamyja apo Sartri nuk besoj se e kanë zbërthyer deri në fund. Në bindjet apo veprimet e tij, fare lehtë mund të ndeshësh kontradiksione nga më të çuditshmet dhe më të pabesueshmet. Do të ishte gabim i madh sikur ta shihje njeriun, qoftë ky edhe armiku yt më i egër, vetëm bardh e zi. Ai përveçse prej mishi e gjaku është dhe produkt i ndjenjave dhe emocioneve të tij, ku bota shpirtërore zë vendin e vet të padiskutueshëm. Por shpirti shpesh merr përparësi dhe të shpije në qëndrime sfiduese dhe në kundërshtim me veprimet e turmës. Këtë e kemi quajtur enigmë apo mister, por shpesh kjo enigmë apo mister ka diktuar veprime që kanë lënë mbresa të pashlyera në ndërgjegjen njerëzore apo kujtesën historike. Duke ditur se  njëzetepesë vjet janë shumë pak nga përfundimi asaj lufte që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe kur flakët e armiqësisë mes dy vendeve asqë kanë ndërmend të shuhen, përfshirja në skenën e urrejtjes e një dashurie pasionante mes dy të rinjve, ku njëra, Teuta është një vajzë e re shqiptare dhe Mirosllavi, një toger i ushtrisë serbe, nuk ka qenë e lehtë për autorin Mustafa. Kjo e ka patjetër rrezikun e keqkuptimit brenda, prandaj mendoj se ai ka guxuar, qoftë dhe me sinqeritetin e penës së tij. Autori i vendos ngjarjet në një fshat afër Mitrovicës, ku shqiptarë e serbë jetojnë në harmoni prej shumë kohe. Dhe ata përfaqësohen kryesisht nga dy familje që i kanë shtëpitë pranë njëra – tjetrës: ajo e Hysen Drenicës dhe e Bojko Kovaçeviçit. Fëmijët janë rritur së bashku, kanë luajtur bashkë dhe kanë qenë në të njëjtën shkollë, aq sa mes Teutës dhe Mirosllavit, vëllait të shoqes së ngushtë të saj, Marinës, hedh rrënjë dashuria. Në asnjë mënyrë atë nuk e miratojnë baballarët, te të cilët kur gjendja acarohet dhe nisin ndeshjet me armë mes UÇK – së dhe forcave ushtarake të Millosheviçit, ngrenë kokë mentalitetet e vjetra, ku urrejta shfaqet hapur, sidomos ajo e serbit ndaj shiftarëve. Nën krismat e armëve dhe hijen e bombat e avionëve të aleatëve, personazhet debatojnë, shkëmbejnë të puthura dhe grinden. Më së shumti, ata e kuptojnë kotësinë e luftës që në gojën e Radmillës, e shoqja e Bojkos, ish komandant brigade, dhe dikur e dashura e Hysenit, formulohet kështu: “…do të ishte mirë që të mos kishte asnjë lloj ushtrie… sepse, në qoftë se nuk ka ushtrira nuk ka edhe luftëra”. Sipas saj ato sjellin vetëm vdekje të shumta, plagë, shkatërrime dhe dëme të mëdha. Nga ana e tij edhe togeri i dashuruar që nuk e do këtë luftë, i shprehet Teutës: “…nuk mendon se poshtë asaj uniforme ka edhe zemra, që u dhemb shumë kur shohin edhe një zog të rënë nga foleja?” Prandaj ai i shmanget asaj, aq sa mendon të ikë diku jashtë shtetit. Por kjo nuk është aq e kollajshme në kushtet e asaj lufte, kur në rrëmujën e fshatit, del një palë e hynë pala tjetër. Mes tymit të djegieve të shtëpive dhe pirgjeve me kufoma fëmijësh, grash e pleqsh, dhe ikjeve biblike, ai plagoset, sikurse plagoset edhe vëllai i Teutës, Ardiani që është rreshtuar në radhët e UÇK – së, i cili kapet rob dhe qëndron në të njëjtin spital lëvizës me të. Ngjarjet në atë copë fshat, rrokullisen si në një teatër, ku autori ka dhënë shumë koincidenca në pak personazhe që sëbashku shndërrohen në simbole. Pasi kuptohet se çka ndodh aty, ndodh në gjithë Kosovën. Asgjë nuk i ka shpëtuar vëmendjes së tij. Edhe skenat intime në atmosferën e armiqësisë që duken disi të zgjatura dhe të tepërta, ai na i jep në funksion të asaj që theksova më lart: psikikës së koklavitur dhe karaktereve, qëndrimeve e veprimeve të befasishme të protagonistëve. Lexuesi i ndesh ata në momente të ndryshme, i diferencon, por nuk arrin t`i neverisë deri në fund. Se në fund, ata s`janë tjetër, veçse nën influencën e politikanëve, robër të propagandës dhe demagogjisë së kultivuar me kohë dhe që po i mëshohet së tepëmi aktualisht. Apo dhe të mpleksur, sikurse thotë autori i romanit, në një dashuri që “kishte mbirë e kërkonte të rritej as në kohën dhe as në vendin e duhur”. Në këtë mjedis nuk mungojnë karakteret e dobta, shpifës, intriganë e spiunë si Rrahmani(Kadriu) dhe nga ana tjetër Dejani i shërbimit të fshehtë apo komandant Zdravko, i cili ka bindjen se “Në Kosovë do të mbetemi vetëm ne serbët”. I ashpër është dialogu plot tension midis Bojkos fanatik dhe Hysenit që i ka ardhur shpirti në majë të hundës nga shtypja dhe diskriminimi i politikës serbe. Ata përfaqësojnë dy botë që mesa duket do e vazhdojnë gjatë sherrnajën, të cilën paradoksalisht e paguan me jetët e tyre. Por keq, fare keq, pasojat i vuan përjetësisht Teuta, e cila duke idealizuar dashurinë dhe besnike e nderit, bije pre e epsheve të ushtarëve bisha, të cilët e kishin udhëzimin t`i përdhunonin gratë dhe vajzat shqiptare të Kosovës. Prandaj, kur Mirosllavi i arsyeshëm e quan fatin e tij dramë, ajo të vetin e konsideron tragjedi. Ndofta gjetja më interesante në këtë roman nga ana e autorit është vëmendja që ai u kushton dy budallenjve më të mençur të fshatit, Skënderit dhe Dushanit. Ata shkojnë aq mirë me njëri – tjetrin dhe tregohen humanë deri edhe duke rrezikuar jetët e tyre për të shpëtuar vogëlushët nga djegja e sigurtë, sa fitojnë simpatinë e lexuesve. Por edhe sikur duan të thonë se ja, shihni sa mirë mund të shkojnë njerëzit e racave, kombësive, feve e bindjeve të ndryshme, kur mes tyre nuk futet politika me ligësitë e marritë e veta vrastare. Xhevat Mustafa, edhe pse ashtu shkarazi, ve në gojën e disa personazheve qëndrimin plot ekuivoke të të huajve. Ata sesi e dredhin me fjalë dykuptimëshe dhe shpesh, sidomos tash së fundi, ledhatojnë Vuçiçin dhe penalizojnë Kosovën që vuajti aq shumë, sikurse e shohim edhe te ky roman i të vërtetave të mëdha, ku njerëz krejt të zakonshëm me historitë e tyre luajnë mrekullisht në një nga skenat më makabre të fund shekullit të XX – të. Në atë skenë, ku një gjë është e sigurt: koha e krimeve ndaj një populli të ndershëm dhe të virtytshëm nuk ka për t`u kthyer kurrë. Kurrë!

Autori: Këtë roman, ashtu si atë “Dashuri diktatori”, mund ta gjeni në Tiranë në Librarinë në Rr.“Hoxha Tahsim” ose e Porcelanit, menjëherë pas pikës së karburantit, në krahun e majtë në drejtimin nga mali i Dajtit, rreth 40 metra më tutje “Qendrës Stefan” tek Pazari i Ri e gati përballë me Klinikën “Sulçebe”!  Çmimi 800 lekë! Ndërsa në Prishtinë, në Librarinë “BUZUKU” në Sheshin “Nënë Tereza”, tek Kinema ABC dhe në Librarinë në Sheshin Edit Durham, afër statujës së Joined Facebook June 5, 2009. Çmimi 8 euro!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në fjalën…