Një rrugë apo institucion publik në Mitrovicë do të emërtohet “Bajram Rexhepi”
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, së bashku me drejtorë komunalë dhe drejtues të Shoqatave të Dalura nga Lufta, dje ka bërë homazhe te varri i ish-kryeministrit Bajram Rexhepi në 6-vjetorin e vdekjes së tij.
Me këtë rast, kryetari Hamza ka thënë se në 6-vjetorin e kalimit në amshim të Bajram Rexhepit, dëshiroj të vë në pah kontributin e tij të çmuar të dhënë për Kosovën, të cilën e udhëhoqi me përgjegjësin më të lartë si kryeministër i parë i Kosovës dhe në veçanti për angazhimin e tij të dhënë për Mitrovicën si kryetar komune.
Më tutje, kryetari Hamza ka theksuar se Rexhepi ishte një kontribues i madh në shumë rrjedha dhe zhvillime që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës çlirimtare, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Mitrovica dhe e tërë Kosova gjithmonë do të krenohen me punën dhe veprat e ish kryeministrit Bajram Rexhepi, i cili ka dhënë një shembull të mirë si udhëhiqet një shtet dhe se si punohet për interesin e të gjithë qytetarëve. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, është shprehur Hamza.
Me propozim të kryetarit Hamza, në shenjë mirënjohje e falënderimi, një rrugë apo institucion publik do të emërohet “Bajram Rexhepi”.