Një rruge në Gjilan i vihet emri ‘Kadri Veseli’
Një rrugë pa dalje në fshatin Llashticë të Gjilanit është emërtuar me emrin Kadri Veseli.
Por, nuk bëhet fjalë për liderin e PDK-së dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Fjala është për një mërgimtar nga ky fshat, i cili ka ndërruar jetë para luftës.
“Propozimi për emrin Kadri Veseli ka ardhur prej një lagje të Llashticës në drejtim të Këshillit të fshatit, e këshilli ia përcjellë Komisionit komunal për shqyrtimin e ankesave, ku edhe është miratuar në Kuvendin Komunal. I ndjeri ka qenë mërgimtar nga Llashtica i cili ka ndërruar jetë para luftës”, ka thënë për portalin “Mediafokus.info”, kryetari i Këshillit të fshatit në Llashticë, Ekrem Hasani.
Ndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e fundit për vitin 2019, ka miratuar, përveç tjerash, edhe raportin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në procesin e emërtimit dhe adresave.