Një rrugë për Enverin
Nga Bedri Islami
Disa ditë më parë, media të ndryshme të Kosovës, pa sjellë asnjë saktësim informacioni, shkruan se një rrugë në qytetin e Gjilanit është emërtuar “Enver Hoxha”. Menjëherë pas tyre reagoi administrata e qytetit dhe saktësoi se asnjë rrugë nuk është emërtuar kështu, duke bërë edhe komentet e saj përse nuk do të ketë një rrugë me këtë emër.
Jo shumë kohë më parë, edhe në Ferizaj, kishte ndodhur e njëjta gjë: Njëra ndër rrugët dytësore ishte emërtuar me emrin e Enver Hoxhës dhe, megjithëse ishte bërë një lojë e gjatë fjalësh, është apo jo e vërtetë, rruga kishte mbajtur gjatë pllakën e saj emërtuese.
Si ndodh gjithnjë, pas lajmeve të tilla, të sakta apo jo, vërshojnë komentet, hidhen argumentet pro dhe kundër, sillen në ndihmë fakte e kundër fakte, përcillet një pjesë e së kaluarës dhe mendësi e së tashmes dhe, më pas, me gjithë heshtjen që bie dhe pret rizgjimin, mbetet pyetja: vërtet ka një rrugë të Enverit në Kosovë; përse rizgjimi i emrit të tij, edhe pas kaq shumë viteve vazhdon të jetë një temë e nxehtë, të cilën, sido që ta kapësh, të përvëlon dhe nuk mund të gjesh asnjë mendim të njëjtë, pavarësisht kohërave që kanë shkuar, historive që janë thënë dhe mendimeve që janë shfaqur.
Nuk e di se sa është i saktë në këtë rast përkufizimi i Fan Nolit në Librin e tij të njohur për Gjergj Kastriotin, për heronjtë e një vendi, të cilët kalojnë përmes tri fazave, glorifikimit në gjallje të tyre, mohimit të plotë pas vdekjes së tyre dhe rikthimit të vlerave nga brezat e shumë kohërave më pas.
Figura e Enver Hoxhës, në kohëra të ndryshme, ka rrjedhur nëpër qëndrime të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trojet e tjera shqiptare. Ka qenë gjithnjë një dyzim ndaj figurës së tij, e cila, sado që mund të kenë qenë enigmatike, e pakapshme, e pashfaqur dhe gjithnjë e papritur, përsëri ka sjellë dukuri dhe përplasje, të cilat, jo vetëm në vete, por edhe në shpërthimet jashtë tyre, kanë qenë gjithnjë befasuese, herë-herë tragjike e herë-herë diçka tjetër lloj, mes besimit dhe pritjes.
Në Shqipëri figura e Enverit ka qenë e dyzuar mes asaj që është thënë dhe asaj që është ditur; përkushtimi ndaj tij, qoftë edhe nga figura të njohura të botës së letrave, më shumë ka qenë diktat i kohës, se sa rrjedhë e besimit; njerëzit e përfshirë në rriten e figurës së tij ndoshta ishin të parët që e braktisën atë, e kjo, si mund të ndodhë shpesh, pasi kishin qenë të parët që donin të shkundnin atë mëkatin e padashur drejt së cilit i kishin joshur për të pasur një fillesë lirie diku tjetër. Ishte, si të thuash, haraçi i domosdoshëm që duhej paguar për të pasur një iluminizëm brenda vetes, të ndjeshëm, për të dhënë një dritësim sado të pakët.
Përmbysja e epokës së tij solli njëkohësisht vlerën edhe antivlerën. Nga qëndrimi mrekullisht i arsyetuar, edhe pse kundër figurës së tij, i figurave të shquara si Dritëro Agolli e Moikom Zeqo, të cilët rrëzimin e mitit e gjetën brenda vetes për t’ua dhënë të tjerëve si kumt i mendimit real, është kaluar në skizofreni politike; nga e sakta në hiperbolë marramendëse, që e bënte edhe më të pabesuar krijimin e antimitit.
Jo rastësisht, që në fillimin e goditjes së një figure politike është përfshirë një periudhë e tërë, e cila, edhe pse nuk ishte e ndritshme, sa ishte thënë, nuk kishte qenë aq e zezë sa do e zezonin. Thirrja në ndihmë e një konfiguracioni politik që vinte nga një shtet tjetër, i hasmëruar ashpërsisht, edhe një herë, në vitin 1948, pas një periudhe gati pesëvjeçare besimi, do të ishte shenja e parë e një rrjedhje politike krejt ndryshe. Të gjitha ato që ishin thënë nga qendrat politike serbe, që nga krijimi i PKSH-së, si një vepër e tyre dhe deri tek organizimi i pushtetit, si një pasojë e riardhjes së modelit serb në këtë vend, do të shfaqen bujshëm, si gjetje t reja, kur në fakt ato ishin vazhdime që nga fundviti 1948, kur ndarja do të ishte më e thellë se kurrë, kur do të kishte shkrirje të vegjël akujsh, por akullnajat do të mbeteshin dhe, megjithëse vitet e miqësisë kishin qenë më të pakta se sa vitet e armiqësimit, do të përmendeshin gjithnjë ata të parat.
Enver Hoxhës do i mjaftonte t’i saktësoheshin dëmet e mëdha që ishin bërë në jetën e vendit për të saktësuar gjithçka. Kalimi në banalitete njerëzore, me kalimin e epshit të shfryrjes politike, do të sillte edhe fillesat e një nostalgjie të pamend, por që duke harruar të shkuarën, do të mund të bëheshin të kapshme, si një lloj rikthimi i një nënshtetësie që nuk duhet ridhënë.
Mjaftoi vetëm një titull medial, se në një qytet shqiptar një rrugë emërohet me emrin e Enverit, dhe do të fillonte edhe një herë debati që nuk është shuar: e meriton ai një nderim, mund të ketë një rrugë emrin e tij; a do të ketë rizgjim të nostalgjisë për një figurë politike e bashkë me të edhe të të tjerëve që u rrinin pranë; përse kjo shfaqet më tepër në Kosovë dhe në vise të tjera, se sa në vendin ku ai drejtoi me dorë të hekurt, si një absolutizëm para historik?
Në Kosovë, mjerisht, ende edhe sot, ka disa rrugë të cilët, edhe pse shkuan kaq vite në pavarësi, ende kanë emërtimin e tyre me emrat e figurave politike sllave, sidomos serbe. Por edhe të shqiptarëve ruajalë, që kanë qenë derivatë të fuqishëm dhe me ndikim të kësaj politike. Disa prej tyre kanë qenë në shumë vite të jetës së tyre politike të afishuar si statura të ashpra të lirisë politike e shoqërore të shqiptarëve në Kosovë, e po ashtu, kanë qenë ashpërsisht kundër bashkimit me shtetin shqiptar, nën çdo regjim të mundshëm.
Ndoshta, më lehtë se kudo tjetër, katarsisi politik në Kosovë ka qenë tepër i sipërfaqshëm; disa nga figurat e pushtetit të mëhershëm të Kosovës, të njohur si tradicionalistë në linjën e tyre pro shtetit serb, pas luftës, kanë marrë edhe tituj të lartë, janë përcjellë në banesat e fundit me nderime të veçanta; ata kanë pasur e ndoshta kanë edhe sot, poste të larta, këshilltarë politikë të shefave të qeverisë apo të ministrave, megjithëse e gjithë veprimtaria e tyre ka qenë thellësisht e linjës titiste dhe mbështetëse e regjimit të instaluar. Dy nga drejtuesit më të lartë të Lidhjes Komuniste të Kosovës, një derivat i Lidhjes Komuniste të Serbisë, ku ishte qendra e tyre, Mahmut Bakalli dhe Azem Vllasi, kanë qenë në kohë të ndryshme këshilltarë politikë të kryeministrit të Kosovës dhe të ministrit të jashtëm të saj. Duke bërë një paralelizëm vulgar kjo është e njëjtë sikur në periudhën e parë të pluralizmit këshilltarë të Berishës apo të Meksit të ishin Ramiz Alia apo Sofo Lazri.
Këmbëngulësit në Kosovë se një rrugë me emrin e Enverit sillen pikërisht në këto pikëtakime: për deri sa rrugë të ndryshme bartin emërtime të një klase politike thellësisht antikombëtare dhe me dëme të ndjeshme në jetën e shoqërisë shqiptare, atëherë pse të mos jetë edhe një rrugë me emrin e liderit shqiptar të një kohe tjetër, Enver Hoxha?
Komuna e Gjilanit vrapoi të theksojë se asnjë rrugë nuk mund të ketë emrin e një diktatori. Nga një çështje administrative ajo e ktheu në një debat politik. Ndoshta, ngutja erdhi për të hequr nga vetja çdo lloj dyshimi që mund të ishte ndaj një vijë sjellje, për më tepër ajo komunë drejtohet nga një figurë e njohur e LDK-së, Lutfi Haziri, babai i të cilit ka qenë dikur pjesë e ndjeshme e lëvizjes çlirimtare që kishte si një nga simbolet e saj edhe figurën e Enver Hoxhës.
Shpesh herë, jo pak njerëz, më kanë pyetur, përse në Kosovë ndjenja pro Enverit është më e ndjeshme se sa në Shqipëri; përse atje organizohen konferenca politike, takime jubilare, botohen libra, janë organizuar shoqata në emrin e tij dhe kjo nuk ndodh edhe në Shqipëri.
Nuk e di mirëfilli se ku është më e ndjeshme rrita e qëndrimit ndaj tij, por e di mirëfilli se njëzet vite më parë, ngritja e një teme të tillë, jo vetëm do të ishte tabu, por do të dukej edhe çmenduri e radhës. Nëse sot ka dalë nga radhët e “çmendurisë, fajtor nuk është një figurë e larguar prej shumë kohe nga jeta, as një lëvizje nostalgjikësh, të cilët, edhe kur shkojnë në varrezat e dëshmorëve tërheqin këmbët zvarrë të lodhur nga mosha. Politika e prapshtë sjell në relievin e kujtesës edhe atë që mendon se e ke mundur përfundimisht.
Në Kosovë janë disa shkaqe që e bëjnë më të ndjeshëm këtë gjendje.
Shumë vetë në Kosovë, ende , edhe sot, e kanë të vështirë të kuptojnë pse shteti shqiptar i tri dekadave të fundit, njerëzit drejtues të politikës atje, ende kanë nostalgji për kohën e Titos kur e krahasojnë atë me regjimin e Enverit. Deklaratat e herë pas hershme, qoftë të Nanos, kur ishte ndër Njëshat e politikës, qoftë të Berishës, kur i a sillnin ngushtë se, qeveria e Titos ishte shumë m liberale se sa ajo e Enverit, janë të pakuptueshme për to.
Ata sjellin shifra dhe këto shifra janë fakte, janë njerëz. Në periudhën e regjimit të Titos në shtetin jugosllav janë rreth 42 mijë shqiptarë të vrarë, që nga viti 1944 e deri në vitin 1981, kuptohet jo me të njëjtën shtrirje në të gjitha vitet. Masakrat e mëdha, publikisht të njohura, si ato të vitit 1945 apo 1946, të aksionit për mbledhjen e armëve etj; goditjet e grupeve të qëndresës, ku është emblemë ajo e Shaban Polluzhës, janë aktet më të mëdha të krimit në pasluftë, që u përsëritën në vitet 1998 -1999.
Që nga paslufta e deri në qershor 1999 janë të burgosur politikë shqiptarë mbi 345 mijë vetë, çka do të thotë se në të gjitha vitet burgjet serbosllave kanë qenë të mbushur me shqiptarë.
Ata nuk e kuptojnë dot se si një shtet , i cili duhet ta quante veten liberator, edhe nj masakër të njohur si ajo e Tivarit, e pranuar nga vetë forcat serbe si akt i tyre hakmarrës ndaj “ballistëve shqiptarë”, bëhet shkak i ngritjes së një grupi hetimor parlamentar, që akuzon shtetin shqiptar, në të njëjtën linjë me politikën e sotme serbe, duke i hequr atij shteti pelerinën e një faji tragjik dhe duke e vendosur mbi shtetin amë.
Dëshmitarë, ende të gjallë edhe sot e kësaj dite, nëse pyeten qetësisht, pasi bëjnë be “pasha atë kohë kur kemi qenë Shqypni”, të tregojnë se vetëm ardhja e brigadave shqiptare ndaloi krimet e planifikuara serbe në vitin 1945; ndërsa tani, për hir të një politike, haptas mbështetëse të politikës serbe, krijohet alibia e rreme për serbët dhe fajësohet qeveria shqiptare e pas luftës.
Kam pasur fatin e pashoq që në një moment të jetës sime të jem mik e shok i shumë të burgosurve politikë, shqiptarë të Kosovës, të cilët, edhe pas burgimeve të rënda, nuk e ndaluan aktin e tyre çlirimtar. Përjetimet e atyre që kanë qenë të burgosur në Goli Otok, në Stara Gradishkë, veçanërisht në burgjet serbe, torturat e hequra me ditë, me javë e me muaj, rrahjet vandale, sidomos nga ish-policë dhe sigurimsa shqiptarë, janë të llahtarshme. Shumë kanë vdekur në tortura.
Klasorja rëndonte edhe mbi familjet e tyre. Kishte fise të tëra të lëçitura, të mbyllur në kullat e tyre si në burgjet e vetvetes; largimet nga puna ishin të zakonshme. Xheva Krasniqi, për shembull, njëra ndër figurat më mitike të Kosovës së sotme, megjithëse e diplomuar dy herë, si mësuese e gjuhës shqipe dhe si juriste, do të flakej nga puna, sapo i fejuari i saj, Fehmi Lladrovci do të burgosej si drejtues politik i lëvizjes çlirimtare. Kjo ndodhte me të gjithë.
Në fakt, ata ishin të lëçitur brenda lëçitjes së tyre.
Në këtë lëçitje, e cila ishte herë-herë dërmuese, i vetmi zë, që mund të ishte real apo edhe mund t’u dukej, vinte nga shteti shqiptar. Në mes dy zgjedhjeve; mes shtetit titist apo shtetit komunist të Hoxhës, ata, pa asnjë ngurrim, zgjodhën shtetin shqiptar.
(Vijon / marrë nga gazeta “Dita”)