NJË SFIDË E GUXIMSHME E DALË MBANË

07 dhjetor 2023 | 18:09

Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë përbën një kontribut tjetër mjaft të rëndësishëm të autores Elife Luzha. Libri përplotëson studimet në një fushë çuditërisht të lënë paksa në harresë, atë të kulturës politike, si në rrafshin individual, ashtu edhe në atë shoqëror. Ai vetëdijeson dhe ndërgjegjëson çdo politikan, pushtetar e lexues, për faktin e pamohueshëm, se kultura politike është forca e padukshme shtytëse prapa politikës së dukshme, duke qenë kështu një armë e fuqishme në politikëbërje. Prandaj ky libër meriton të lexohet gjerësisht dhe të nxitë diskutime për kulturën e duhur politike, që do të na printe në rrugëtimin drejt vendosjes dhe konsolidimit të demokracisë liberale në Kosovë.

Autorja godet mu në zemër të problemit: mangësitë e kulturës së sotme politike, të sintetizuara shumë bukur në shprehjen ecje në ngecje, gjenden, mes të tjerash, në paaftësinë e politikanëve për të shfrytëzuar traditën kombëtare dhe botërore, dhe për t’u ngritur mbi mendësitë arkaike. Ajo e vë theksin edhe në mosdashjen e politikanëve dhe të pushtetarëve për t’i dhënë fund njëherë e mirë pandëshkueshmërisë dhe për të vendosur standardet e llogaridhënies dhe transparencës. Kultura brendapartiake nuk mund të përdoret për ushqyer kulturën e armiqësisë ndërpartiake. E kundërta nuk luftohet duke u shndërruar në po atë të kundërt. Lidershipi modern nuk ushtrohet përmes bajraktarizmit anakronik, njëmendësisë narcisiste të liderit dhe servilizmit të anëtarësisë.

No description available.

Autorja hedh dritë guximshëm edhe mbi vizionin e saj se si mund të përçohet kultura politike demokratike në mbarë jetën politike të vendit. Ky vizion shpaloset përmes tematikës së pasur lidhur me kulturën politike në kontekstin e sistemit politik, partive politike, zgjedhjeve parlamentare, gjuhës politike, shoqërizimit politik, familjes, arsimit dhe institucioneve arsimore, medieve, shtetit të së drejtës, rolit të lidershipit e liderëve, duke i sintetizuar të gjitha këto si sfida që duhen kapërcyer drejt demokratizimit të kulturës politike në Kosovë. Për të qenë sa më bindëse, autorja ka qëmtuar e hulumtuar një literaturë të bollshme të studiuesve perëndimorë, por edhe të rajonit dhe shqiptarë. Gjuha e rrjedhshme, e thukët dhe lakonike e bën këtë vizion të qasshëm, të prekshëm e magjepsës.

Në fund, libri na lë ndjesinë e të qenit më të plotësuar në njohuritë tona rreth kësaj fushe. Ai na bën të kuptojmë se, kur ndërthurim artin e politikëbërjes me kulturën demokratike të politikëbërjes, realizimet shkojnë përtej pritshmërive. Libri është thirrje për ndryshim evolucionar, jo në mënyrë të vetvetishme, por të vetëdijshme, me dije, frymë dhe inteligjencë. Për këto arsye, autorja Elife Luzha ka dhënë një ndihmesë të paçmueshme në lartësimin e vlerave të kulturës politike demokratike dhe demokracisë liberale në Kosovë.

Kastriot Myftiu

Përkthyes

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, “më siguroi” se…