Sot më 17 shkurt 2023, në 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përveç homazheve që u bënë në “Kullën e Gllogjanit” për të nderuar heronjtë dhe dëshmorët e kombit, luftëtarë të UÇK-së të Zonës së Dukagjinit, që dhanë jetën për lirinë e vendit, ndodhi edhe një ngjarje që vlen të shënohet!
Vëlla e motër nga Isniqi, Ylli Gazmend Zukaj dhe Andrra Gazmend Zukaj, nxënës të klasës së pestë dhe të dytë në Shkollën “Jusuf Gërvalla” në Prapaqan, vendosën pikturën e lulëkuqes me katër petale, të cilën e kishin pikturuar së bashku me të ëmën e tyre, Edona Zukaj që është mësuese në këtë shkollë.
Piktura e lulëkuqes me katër petale është shoqëruar me moton “Rno për me tregue” që dëshmon për vendosmërinë për të mos harruar sakrificat e mëdha që ka bërë populli shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Ylli dhe Andrra janë nipi dhe mbesa e Sadik Isuf Zukajt, viktimë e torturave çnjerëzore që pushtuesit serbë kanë ushtruar ndaj tij.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” falënderon Andrrën, Yllin, Edonën dhe Gazmend Zukajn për këtë gjest tepër domethënës.