Një shpresë për arkitekturën në Kosovë
Shkruan: Arianit Bytyçi, Arkitekt
Para më shumë se tetë vitesh në disa nga mediat e Kosovës e pata publikuar një shkrim me titull të ngjashëm, por në formë dileme: A ka shpresë për arkitekturën në Kosovë? Duke shprehur shqetësimet e mia dhe të kolegëve të mi për injorimin e rolit të Arkitekturës nga shoqëria dhe institucionet e vendit, pata bërë thirrje për vetëdijesim të lidershipit institucional, por edhe të investitorëve dhe profesionistëve për ta vlerësuar në mënyrë të drejtë rolin e arkitekturës në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.
Ndërsa, arsyeja që sot këtë qasje timen për arkitekturën e titulloj jo në formë dileme, por në formë vërtetë shprese, është fakti se tashmë po lindë një fije shprese për arkitekturën ne Kosovë!
Sot më 25 janar 2025 jemi mbledhur këtu në Prishtinë, në kryeqytetin tonë, arkitektë nga mbarë Kosova për të themeluar institucionin tonë që na mungonte prej dekadash – Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës.
Roli thelbësor i Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës në krijimin e një mjedisi kualitativ jetësor
Themelimi i Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës është një nga obligimet e kahmotshme të institucioneve të vendit tonë. Rëndësia e themelimit të këtij institucioni të rëndësishëm konsiston me rolin që kanë arkitektët parasëgjithash në krijimin e mjedisit kualitativ jetësor, si një nga obligimet bazë të shtetit tonë, që është i sanksionuar me aktin më të lartë juridik të Kosovës – Kushtetutën e Republikës së Kosovës (Neni 52 – Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor).
Ky obligim jetik është shfaqur edhe në Strategjinë e zhvillimit hapësinor të Kosovës, – Planin Hapësinor të Kosovës 2010-2020+, ku si një nga sfidat kryesore të zhvillimit hapësinor përmendet mjedisi jokualitativ jetësor, e që ndërlidhet kryesisht me arkitekturën dhe qasjen shoqërore dhe institucionale ndaj kësaj veprimtarie të rëndësishme. Në këtë pjesë të këtij dokumenti të planifikimit hapësinor trajtohet edhe aspekti kualitativ i hapësirave për banim, punë, tregti dhe afarizëm, si dhe transporti dhe shërbimet, dhe potencohet se duhet të merret parasysh posaçërisht ‘aspekti kualitativ i tyre, me qëllim që hapësira ku jetojmë dhe punojmë të ketë vlerat e veta kulturore estetike’. Në këtë frymë, edhe në kuadër të Vizionit për zhvillimin hapësinor të Kosovës si një nga parimet kryesore është përcaktuar Promovimi i kualitetit të përmirësuar të jetës. Prandaj, duke u nisur nga ky mision e vizion fisnik, Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës duhet të luajë rolin e vet thelbësor në krijimin e një mjedisi kualitativ jetësor.
Duke pasur parasysh se realiteti objektiv shoqëror dhe institucional, që ka mbizotëruar me dekada të tëra nuk është shumë i favorshëm, dua të vë në pah se në këtë drejtim ka kontribuar edhe fryma e legjislacioni aktual të ndërtimit në Kosovë. Ligji i Ndërtimit në fuqi tërësisht e sheh procesin e ndërtimit si proces teknik dhe teknologjik, e jo si proces të krijimit të vlerave arkitektonike. Për ta argumentuar këtë qasje ligjore institucionale dua të rikujtoj se në Ligjin e Ndërtimit në Kosovë fjala arkitekturë apo arkitekt përmendet vetëm 2 herë: një herë në nenin 3, pika 1.5.2. ku përcaktohet se çka nënkuptohet me rindërtim, ku mes tjerash përmenden në mënyrë të përgjithësuar elementet arkitekturore, si dhe përmendet në nenin 38 tek Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare, ku potencohet Udhëzimi administrativ për provimin profesional dhe licencimin e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit. Fjala kualitet në këtë ligj përdoret vetëm 1 herë, në nenin 26, dhe atëherë jo në kontekst të kualitetit arkitektonik, por në kontekst të kualitetit të përcaktuar për produkte ndërtimore të përdorura. Ligji i Ndërtimit, përveç se nuk e trajton kualitetin arkitektonik të projekteve, nuk e definon fare as kualitetin vizual, estetik dhe të projekteve, dhe si rezultat fjala kualitet vizual, estetik dhe bukuri nuk përmenden fare në këtë ligj.
Në krahasim me legjislacionin kosovar të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, në legjislacionin e Norvegjisë, përkatësisht në Aktin ligjor të Planifikimit dhe të Ndërtimit janë të përcaktuara qartë udhëzimet për kualitetin arkitektonik, duke shfrytëzuar këtë terminologji: dizajni estetik i rrethinës, kualitetet vizuale, dizajni i mirë arkitektonik dhe praktika e mirë ndërtimit. Në këtë akt ligjor, këto kualitete arkitektonike definohen edhe në mënyrë më të zgjeruar në kuadër të këtyre katër pikave kryesore të lartpërmendura.
Duke pasur po ashtu parasysh se Arkitektura dhe Planifikimi Hapësinor ende nuk janë të përfshira as në dokumentin strategjik më të lartë të Kosovës – Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit (gjë që e pata potencuar edhe në vitin 2016), konsideroj se roli i Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës duhet të jetë përtej rolit rregullues dhe etik të arkitektëve. Pra, duhet të jetë rol shumë më i madh dhe më thelbësor, në funksion të krijimit të një mjedisi kualitativ jetësor për qytetarët e Kosovës.
“Një Politikë e Arkitekturës për Kosovën” si zgjidhje
Një ide politike që e pata prezantuar qysh në vitin 2016 përmes një adresimi publik, mendoj se tani më shumë se kurrë është aktuale dhe e realizueshme përmes vizionit që do ta shtyjë përpara Oda e Arkitektëve. “Politika e Arkitekturës e Kosovës” e ka emrin ideja. Nuk është zbulim i ri, por është një praktikë e suksesshme ndërkombëtare e dokumenteve strategjike shtetërore për zhvillimin e arkitekturës, si dëshmi e shprehjes së vullnetit politik institucional.
Praktika evropiane e hartimit dhe zbatimit të politikave arkitekturore, e shprehur përmes Forumit Evropian të Politikave të Arkitekturës, dëshmon se kjo çështje duhet trajtuar bazuar në respektimin e parimeve të Rezolutës mbi kualitetin arkitektonik në mjediset urbane dhe rurale (2001/C 73/04) dhe Konkluzioneve lidhur me arkitekturën: kontributi i kulturës në zhvillimin e qëndrueshëm (2008/C 319/05). Brenda kësaj kornize janë identifikuar rreth 30 nisma apo veprime të cilat mund të përfshihen në kuadër të 3 dimensioneve të politikave: 1) Promovimi i dijes dhe vetëdijes (ndërgjegjësimit); 2. Përmirësimi i politikave publike të ndërtimit; dhe 3) Inkurajimi i zhvillimit të qëndrueshëm.
Në Bashkimin Evropian ka praktika të shumta të mira që do të mund t’i adaptonte Kosova sipas nevojave dhe kërkesave të veta autentike. Disa nga këto praktika janë praktika kroate e Politikës të Arkitekturës 2013-2020, Plani i veprimit për Arkitekturën dhe Dizajnin Hapësinor i Holandës, modeli norvegjez – Politika Qeveritare e Arkitekturës, si dhe Politika Arkitekturore e Danimarkës.
Bazuar në praktikën e suksesshme të hartimit të politikave arkitekturore të vendeve të Bashkimit Evropian, fushat e fokusimit të Strategjisë Kombëtare të Arkitekturës, – Politikës së Arkitekturës së Kosovës mund të jenë:
1) Arkitektura duhet të jetë/shquhet me zgjidhje miqësore ekologjike dhe energjetike;
2) Qytetet duhet të zhvillohen përmes arkitekturës së kualitetit të lartë;
3) Qeveria duhet të mbrojë mjedisin kulturor dhe trashëgiminë arkitektonike;
4) Arkitektura duhet të promovohet përmes përhapjes së dijes dhe kompetencës;
5) Qeveria duhet të jetë model udhëheqës (role model);
6) Arkitektura kosovare duhet të promovohet ndërkombëtarisht;
Në disa praktika tjera rajonale, të cilat mund të aplikohen edhe në Kosovë, politikat e arkitekturës janë të orientuara në këto objektiva themelore: 1. Kulturën e ndërtimit, si parakusht për kualitetin e hapësirës së ndërtuar; 2. Kualitetin e mjedisit të ndërtuar, si bazë për jetë të mirë për secilin individ; dhe 3. Arkitektura e kualitetit të lartë, si një nxitje për zhvillimin dhe progresin kombëtar.
Politika e Arkitekturës duhet të definojë mes tjerash ndërmarrjen e masave për kryerjen e këtyre veprimeve:
– reformën e kornizës ligjore të arkitekturës dhe planifikimit hapësinor;
– përcaktimin e veprimeve për ngritjen e vetëdijes qytetare dhe institucionale për rëndësinë e kualitetit arkitektonik të mjedisit të ndërtuar në procesin e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik, kulturor dhe social;
– përfshirjen e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor në kuadër të reformave në arsimin fillor, të mesëm dhe universitar;
– promovimin e konkurseve vendore dhe ndërkombëtare të arkitekturës përmes miratimit të udhëzimit administrativ për organizimin e konkurseve të projektimit dhe hartimin e detyrave projektuese;
– zhvillimin e konferencave shkencore ndërkombëtare dhe përkrahjen e hulumtimeve shkencore për arkitekturën dhe planifikimin hapësinor;
– mbrojtjen e profesionit të arkitektit, planifikuesit hapësinor dhe inxhinierëve përmes fuqizimit të odave përkatëse dhe përmes vendimmarrjes për përcaktimin e rregullores apo manualit të çmimeve të shërbimeve të arkitekturës, inxhinierisë dhe planifikimit hapësinor;
– reformat në sektorin e banimit;
– promovimin e kualitetit të lartë të projektimit arkitektonik dhe urbanistik përmes themelimit të disa shpërblimeve për arkitekturë;
– përcaktimin e standardeve arkitektonike dhe të dizajnit hapësinor dhe manualeve të tyre;
– përfshirjen e arkitekturës kosovare në programet evropiane të arkitekturës dhe planifikimit hapësinor; si dhe aktivitete dhe veprime tjera të rëndësishme.
Për arritjen e këtyre, si dhe qëllimeve tjera strategjike të Politikës Arkitekturore të Kosovës, duhet që për secilin veprim të mbahen përgjegjës institucione të caktuara dhe të japin llogari për implementimin e këtyre veprimeve para një trupe të ngritur nga Qeveria e Kosovës. Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës duhet të jetë prijëse e këtij procesi, në koordinim me Qeverinë e Kosovës, me Kuvendin dhe të gjitha institucionet tjera relevantë të Republikës së Kosovës.
Sot në këtë ditë të madhe për Arkitekturën e Kosovës, si njëri prej jush, njëri nga anëtarët themelues të Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës, dua të them se ky duhet të jetë misioni dhe vizioni strategjik i udhëheqjes së institucionit tonë. Përmes hartimit, zbatimit dhe monitorimit të zbatimit të dokumentit strategjik – POLITIKËS SË ARKITEKTURËS SË KOSOVËS, Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës, me mbështetje të gjerë institucionale, e ka shansin historik të bëjë reforma të thella, të cilat nuk kanë kosto të papërballueshme financiare, por mbi të gjitha gjenerojnë rezultate substanciale në ngritjen e kualitetit të mjedisit jetësor, si mision dhe vizion jo vetëm kushtetues, por edhe shoqëror në Kosovë.
Realizimit të këtyre reformave të rëndësishme, udhëheqja e Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës, që do ta zgjedhim sot, duhet t’i qaset me dije, me guxim dhe vizion të qartë, që shpresojmë se do ta ketë.
(Autori është njëri nga anëtarët themelues të Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës)