Një shpresë për shërimin e kancerit të gjirit, pacientja shërohet plotësisht
Një grua e sëmurë me kancer të gjirit në fazë të avancuar është shëruar plotësisht falë terapisë me qeliza imunitare të vetë pacientes.
Limfocitet T të gruas kanë arritur të eliminojnë plotësisht tumorin dhe metastazat, duke ofruar një shans për kurim atje ku terapitë tradicionale kanë dështuar.
Terapia është ndjekur nga Steven Rosenberg i Institutit Nacinal të Shëndetit në Bethesda, Maryland, dhe rezultatet janë publikuar në revistën “Nature Medicine”.
Pacientja në fjalë nuk ka shenja të tumorit prej 2 vitesh. Kjo është hera e parë që imunoterapia e qelizave T aplikohet me sukses në kancerin e gjirit në fazë të avancuar. Janë dy strategjitë më efikase të luftimit të kancerit përmes imunoterapisë.
Njëra bazohet në përdorimin e qelizave imunitare të pacientit direkt në trupin e tij nëpërmjet ilaçeve, ndërsa tjetra në përdorimin direkt të këtyre qelizave.
Në rastin e dytë, limfocitet T të pacientit izolohen nga gjaku apo nga tumori dhe më pas onkologët seleksionojnë vetëm qelizat mbrojtëse të afta për të njohur dhe sulmuar neoplazinë.
Limfocitet T specifike për tumorin kultivohen në epruvetë dhe injektohen sërish në trupin e pacientit.
Në rastin e gruas në fjalë, qelizat T arritën të eliminojnë tumorin dhe metastazat. Ekspertët e onkologjisë janë optimiste për këtë lloj trajtimi në rastet e tumoreve të gjirit, megjithatë studime më të thelluara do të hapin dritare të reja për trajtimin e plotë të sëmundjes.(TemA TV)