Një shqiptim artistik në shumë pamje i luftës së UÇK-së
Prof. ass. dr. Ragip Gjoshi
Recension
Që në kohën e Rilindjes sonë Kombëtare thënia e njohur “Me pushkë e penë për lirinë e atdheut” ka qenë motiv për shumë lëvizje për çlirimin e vendit. Me penë dhe pushkë çështja shqiptare u trajtua edhe në tryezat e kancelarive të Evropës. Edhe krijimtaria e shkrimtarëve në atë epokë qe shndërruar në program kombëtar. Dhe, derisa koha po ecte përpara, jashtë truallit shtet londinez, me pak më shumë se 28 mijë metra katrorë, krajlitë i lanë shqiptarët të shpërndarë në pesë shtete, me pesë qeveri, pushtete, kufij, pasaporta dhe ideologji të ndryshme. Por, më në fund (1999) erdh koha të dridhet fort diplomacia ndërkombëtare dhe aleanca e NATO-s, duke i dalë në mbrojtje Kosovës, komandant Adem Jasharit, e duke shkuar pas tij një ushtri e tërë – UÇK-ja.
Në vitet 1998-1999 dikush ngjeshi armët e lirisë, dikush shtroi sofrën e bukën për trimat, e dikush mprehu penën e publicistikës dhe shkri vepra letrare (prozë, dramë, poezi, operë etj). Kësaj plejade shkrimtarësh i takon edhe krijuesi letrar i pasionuar Metë Nimani, që para lexuesve vjen me dramën prej 436 faqesh, me titull “Mallkimi i epsheve të gjakut”. Kjo dramë sjell motive nga periudha e qëndresës, e sakrificës, e trimërisë, e heroizmit dhe e lavdisë. Baca Metë dokumenton në vepër rrethanat politike të vështira të diktaturës që ka përjetuar ky autor (tash veteran i arsimit dhe veteran i UÇK-së) si dhe shumë intelektualë bashkëmoshatarë të autorit në Kosovë, nga “rojet e mjegullës”, nga UDB-a.
Në veprimtarinë e vet letrare autori vokacion e ka historinë dhe të kaluarën tonë. Nimani deri më tani ka botuar romanin historik “Ai e vrau vdekjen time”, me tematikë nga lufta e UÇK-së, pastaj tragjedinë nga lufta e Kosovës “Dy lule në bankën e tretë”. Ndërkaq, ka në dorëshkrim edhe një vistër veprash letrare, ditar lufte, si dhe dorëshkrimin e pjesës së tretë të dramës me të njëjtin titull.
Dramë me motive nga lufta e UÇK-së
Drama “Mallkimi i epsheve të gjakut” sjell motive nga lufta e UÇK-së, motive të heroizmit e të trimërisë së luftëtarëve gjer në sakrificën e flijimin e tyre për liri. Në të dyja pjesët e në tetë pamjet e kësaj drame janë dhënë ngjarje reale brenda një familjeje, një treve, sidomos në regjionin që ishte nën kontrollin e Brigadës 132 të ZOD, ku tërë jeta e tyre bëhet sinonim i luftës. Duke përshkruar aktivitetet e luftëtarëve të UÇK-së në një anë dhe dëmet që sillnin disa nga bashkëpunëtorët shqipfolës në anën tjetër, që përbëjnë boshtin kryesor të dramës, autori të gjitha ngjarjet i këndvështron në mënyrë konvencionale, duke rrëfyer karakterin e luftës, qenësinë e luftëtarëve brenda të cilëve mbretëron një atmosferë e denjë njerëzore dhe atdhetare.
Kështu, dramaciteti i ngjarjeve bëhet ekuivalent me zhvillimet në të gjitha subjektet e kohës së luftës. Në dramë ngjarjet kundrohen nga shumë pamje e skena që t’i përkujtojë tatëpjetat apo ngritjet, kudo me frymën heroike, frymën kombëtare dhe sfidën e familjeve shqiptare të anës së Dushkajës së Gjakovës për sakrificë deri në çlirim. Pra, çështje themelore në këtë dramë është gatishmëria e djemve të lirisë në përballje me armikun pa marrë parasysh çmimin.
Në mesin e galerisë së personazheve do të shquheshin ata negativë: Dula, që këtu është prototip i bashkëpunëtorit të armikut, Bani na del si një prej vetave të kësaj drame që paraqet fytyrën e një shqiptari që përkrah Dulen, por që, sadopak, ruan një konsideratë morale për luftëtarët, Komandiri i milicisë, milicët. Përballë tyre janë personazhet pozitivë, si: Plaku, Bardhja, Doktori, Gimi, Nëna Piku, Arta, fshatarët të cilët ishin në rrugën e nderit.
Edhe pse emrat janë të trilluar, pothuaj çdo personazh i veprës duket real, që ka vepruar në Kosovë. Disa prej tyre ishin me vlera të larta morale të traditës shqiptare, që pasqyrohen përmes dialogëve të luftëtarëve me popullatën civile.
Në dramë dominojnë portretet e luftëtarëve në fushëbetejat e UÇK-së.
Drama fund e krye është e përshkuar me atmosferën e ditëve të lavdisë dhe të heroizmit të rrallë e të pakrahasueshëm ndër epokat e historisë sonë.
Ky libër, me UÇK-në në ballë të udhës së lirisë, është një dramë origjinale, sepse ngjarjet që përjetohen në të janë ngjarje pa ndonjë ngarkesë dhe s’kanë të bëjnë me paradokse si në disa drama të tjera. Tërë dramën e përshkon një skenë e hapur, ku autori vë përballë personazhet pa konflikt me njëri-tjetrin, edhe pse janë të kategorive të ndryshme.
Lufta në linjën nga vdekja – e emërtuar “pavdekësi” – merr konotacion sa tronditës, po aq edhe krenar. Armiku ua djeg shtëpitë, por popullata nuk i lëshon vatrat. Pra, akti i qëndresës së tyre në këtë dramë jepet si një trup unik, me personazhe që s’mendojnë për ndonjë alternativë tjetër, përveç të drejtës madhore – fitores dhe lirisë së Kosovës.
Drama e Nimanit shquhet për një gjuhë dhe stil të rrjedhshëm, për ruajtjen e të folmes dhe nëndialektit gegërisht të trevës prej nga vjen autori dhe, mbi të gjitha, imazhin e luftëtarit dhe të njeriut të thjeshtë, që veprojnë bashkërisht për të luftuar dhe ndryshuar jetën. Gjithashtu, gjatë leximit do ta hetojmë thurjen e komikes apo elementeve komike së bashku, si dhe mënyrën e rrëfimit nëpërmjet metaforës, krahasimit, alegorisë.
Struktura dramatike dhe përbërësit e saj kompozicionalë
Në librin “Mallkimi i epsheve të gjakut” të autorit Metë Nimanit janë zbrazur shfryrjet letrare dhe një mallkim artistik, të cilin autori është i bindur se një ditë do t’i zë të mallkuarit. Kjo vepër e re sjell një pasuri të thuktë leksikore, figurshmëri të bollshme dhe të kompletuar.
Sa i përket strukturës dramatike dhe përbërësve të saj kompozicionalë, fabula dhe subjekti, thurja e intrigave, ndërtimi i karaktereve, duket se mbështetet në të dhënat e autorit që i mbante me kujdes, por edhe të ngjarjeve të luftës të para me sy vetë dhe nga të urtit, si dhe të vërtetat e UÇK-së në Kosovë, por të thëna artistikisht.
Të gjitha ngjarjet e kësaj drame janë të përjetuara nga njerëzit. Sepse janë shumë reale. Por, të gjitha zhvillimet e ngjarjeve të luftës së Kosovës, të ndodhura në një pjesë të Dushkajës së Dukagjinit në vitet 1998/’99, autori i ka thënë artistikisht në këtë vepër. Në brendinë e kësaj vepre shikohen gjëra të pakëndshme të komunitetit mes ndasive, të cilat e zbehnin paksa vullnetin serioz të brezave të rinj të cilët edhe ishin përcaktuar për të gjitha sfidat.
Në brendinë e tekstit dalin në pah zënkat e kundërshtimet, por edhe shkurtpamësitë e tipave si Dula me pak shokë, si personazhe negative që i ruanin me xhelozi idealet e komunizmit, por edhe të regjimit okupues që ishte kapur qëmoti me kumbarët, si meshkuj shtëpie dhe pa havale fare.
Personazhi i emërtuar Vajzë, emër ky i përbërë nga kompozita Vaj+zë, që ishte pagëzuar nga gjyshi i saj, atë e zëvendësoi me emrin Fitore, sepse familja e saj tërë jetën e kishte kaluar vetëm me vaje dhe tmerre. Kështu kishte ndodhur jo vetëm me këtë familje, por edhe me shumicën e familjeve të liridashësve dhe liribërësve në mbarë vendin. Pagëzimi kishte ardhur si një ide për të dokumentuar se një popull i tërë është rritur dhe ka mbijetuar në vaje dhe se vaji është këngë e burrit.
Autori përmes gojës së Gjyshit rikujton kujtesën historike se “duhej ta pyesnim regjimin edhe për emrat e fëmijëve”. Kështu që Vajza, kur e kupton etimologjinë e emrit të vet, e ndërron atë, duke e pagëzuar vetveten Fitore. Kurse personazhi, Bardhi, i plagosur, duke hequr plumbin nga trupi dhe duke e nxjerrë në dritë, lexon letrën e të panjohurit, i cili kishte rënë në amshim me fjalët “që mos ta harronim amanetin për bashkimin e kombit tonë sepse ashtu edhe jemi përcaktuar dhe betuar kur dhamë edhe kushtrimin!”
Autori Metë Nimani i kishte zgjedhur si personazhe kryesore Vajzën, Bardhin, por edhe komandant “Tigrin!” Autori komandant “Tigrin” e personifikon me një legjendë që fliste edhe me shkëmbinj e lisa. Ai fliste edhe me Sukën e Shenjtë, por vetëm Gimi me Bardhin mund ta dëgjonin, askush tjetër. Nimani duket se kishte arsye të fuqishme që fliste për mitet e Sukës, e cila ishte mbrojtur nga engjëjt tanë. Prandaj Gimi dhe Bardhi nuk e ndienin fuqinë e “Tigrit” si diçka mistike sepse vërtet Suka e Shenjtë ishte mbrojtje për katër ditë e net me radhë nga bijtë e saj, uniformat me ngjyrë mali, nga ushtarët me emblemën e UÇK-së.
Për herë të parë, sipas autorit, këto troje përballen dy ushtri në këtë pjesë të Ballkanit: UÇK-në dhe AJ-në. Autori përshkruan dinjitetshëm luftën çlirimtare dhe qëndresën e UÇK-së. Zëri i kushtrimit të komandant “Tigrit” përdridhet në brendi të dramës së Nimanit “Kemi nis një dasmë të madhe!” As aeroplanët MIG që përdori ushtria serbe mbi popullatën shqiptare nuk bënë punë që të pushtohet Suka e Shenjtë.