Një shtatore për Ukshin Hotin në Prishtinë
Ilir Muharremi, kritik i artit
Prej krejt arteve, skulptura është më e madhja, më ambiciozja, më frytdhënësja, sepse shpirtërisht dhe emocionalisht ngulmon të fiksojë drejt parajsës së pasqyrimit në tre dimensione figurën e pakapshme të njeriut, t’i rilindë gjestet, stilin e artistit dhe skulptura nuk përfaqëson vetveten sepse ajo jeton për figura që tashmë nuk janë në mesin tonë.
Sheshet tona vuajnë nga ngarkesa e monumenteve të cilat qëndrojnë nën hijen e skulpturës së Rodenit pra te ana e iluzionit teksturor, drapëri, plastikë të vjetruar e cila po pranohet nga logjika e njeriut, sepse linjat, muskujt, thyerjet, hijet, drita e diellit, valëvitin tërë këtë kompozicion alla Roden me një plastikë shumë sipërfaqësore.
Skulptura e sotme po jeton në kohërat më të mira të saja duke vuajtur për gjestin, shprehjen e fytyrës ose shikimin e zbrazët që e gjejmë pothuajse në shumicën e heronjve të punuar, dhe shikimet e njerëzve përreth, ose sytë e botës rezymojnë vakët.
Figurën e Ukshin Hotit, filozofit, aktivistit politik shqiptar, profesorit të së drejtës ndërkombëtare nuk e gjejmë të përjetësuar në skulpturë. Gjestet, fytyrën, stilizimin, shprehjen e ngushtë një shprehje domethënëse të këtij patrioti. Vetëm skulptura përpin të gjitha sytë e botës dhe vërtitjen e pafund të qëndrimeve. Ky patriot i cili u dergj në burg padrejtësisht nga sistemi serb, asnjëherë në ndonjë shesh në kryeqytet nuk u punua skulptura e tij ose nëse do të punohej hapësira e tij e merituar do të ishte në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, figura të shprehë zhurmimin, rënkimin, ulërimën e vuajtjeve brenda një vetmie vrastare, figura e tij e jetësuar në shtatore, duhej ta shprehë atë perfeksionin e palëvizshëm të tij, qëndrimin, ballafaqimin dhe emocionin e brendshëm të përmbajtur dhe ethja e njerëzve pasi parakalon pranë shtatores ta rikujtoj sakrificën për lirinë e secilit që tashmë është dhe po lind i ri.
Skulptura duhet ta ketë këtë kompozicion pra ngjashmërinë, gjestin, lëvizjen, anën intelektuale, ideologjinë, pra dhe ngritës i zërit të protestës me karakter të fortë i cili kurrë nuk u josh pas posteve. Një i burgosur politik që kurrë nuk u thye. Një i vuajtur për të gjithë, që mori përsipër çdo dhimbje dhe ndëshkim.