
NJË SQARIM PAS 40 VJETËSH
Sali Bytyçi
Sot, 30 mars 2025, bëhen 40 vjet prej kohës që është botuar shkrimi “Një përshtatje me pak lëshime”, në pjesën e kulturës që botohej ditëve të shtuna, në gazetën “Rilindja”. Siç shihet në faksimile, në fund të këtij shkrimi nuk figuron emri im dhe, ashtu si edhe disa prej shkrimeve të mia – në vargje, kritike apo edhe polemike, edhe ky shkrim e ka një histori, të cilën do ta zbuloj më poshtë.
Kur kthehem në retrospektivë, më duhet të them se ky shkrim i përket një konteksti krejt tjetër kohor prej këtij të sotmit: ne në atë kohë kishim iluzionin se, me anë të shkrimit, do të ndryshonim botën. Dhe njëri prej atyre që kishte këtë iluzion isha edhe unë.
Po çfarë të fshehte, për ta sqaruar sot pas 40 vjetësh, ka ky shkrim?
Para se të tregoj arsyen e rikujtimit tani të këtij shkrimi, më duhet të them se në këtë shkrim trajtohet përshtatja në gjuhën e sotme shqipe e librit të Jeronim De Radës, “Rapsodi të një poemi shqiptar”, nga Anton Çetta dhe Anton Berisha (tani Anton Nikë Berisha). Pra, për një punë të kryer nga dy doktorë të shkencave, ndërsa vlerësuesi i kësaj pune një student i vitit të dytë të fakultetit!
Po cilat janë ato që duhet të sqarohen rreth këtij shkrimi? Sipas mendimit tim, janë disa:
1. Në fund të këtij shkrimi, siç shihet, është vënë emri: Isuf Bytyçi, pra emri i vëllait tim që tani jeton e punon në Munih të Gjermanisë, ndërsa e vërteta është seautori i këtij shkrimi jam unë.
2. Këtë shkrim, e kam shkruar në Burgun e Smrekonicës, në muajt tetor-nëntor 1984, në kohën që po vuaja dënimin aty, ndërsa e kam përgatitur për shtyp pasi kam dalë nga burgu.
Pse jam marrë pikërisht me këtë vepër e jo me ndonjë tjetër? Arsyeja është se, duke e ditur që në vitin e dytë të fakultetit njëra nga lëndët është edhe letërsia e romantizmit shqiptar, ndër librat që i kam lexuar në burg, në këtë kohë, ishte edhe ky libër i Jeronim de Radës. Gjatë leximit, duke e krahasuar tekstin e përshtatur me tekstin e origjinalit, kam parë pasaktësi, dhe këtu qëndron edhe arsyeja që e kam shkruar këtë shkrim.
Një çështje që duhet sqaruar është edhe ajo përse nuk e kam botuar në emrin tim këtë shkrim, ashtu siç kam vepruar me ato pak shkrime të tjera të botuara para këtij, por e kam botuar në emrin e vëllait tim, Isufit, që ishte dy gjenerata para meje, po në Fakultetin Filologjik (atëherë: Fakulteti Filozofik)?
Për të botuar këtë shkrim në emrin e vëllait, në atë kohë, kisha më shumë se një arsye: e para, Isufi më kishte regjistruar në vitin e dytë student të rregullt, pasi unë në vitin e parë kisha studiuar me korrespodencë; pasi isha dembel në çështje zyrtare, ndodhte që jo rrallë Isufi të m’i paraqiste edhe provimet, po kryesorja ishte se, gjatë semestrit të parë të vitit të dytë, 1984/1985, gjatë gjithë kohës kam qenë në burg, ndërsa Isufit i është dashur të gjejë studentë apo studente të gjeneratës time, të cilët do të nënshkruanin për mua, që kur të dilja prej burgut të kisha të drejtë të hyja në provime! Dhe kësaj Isufi ia ka arritur me sukses. Dhe unë në shenjë falënderimi, këtë shkrim e kam botuar në emrin e tij.
Po cili është qëllimi kryesor që e zbuloj tani publikimin e shkrimit tim me emrin e dikujt tjetër, në këtë rast të vëllait, 40 vjet më parë? Për të kthyer autorësinë? Jo, assesi, sepse autorësia ime e këtij shkrimi nuk ka ndonjë rëndësi, po për të treguar se unë, në jetën time krijuese, gjë që më kanë akuzuar kuluareve, kurrë nuk kam publikuar ndonjë shkrim të dikujt tjetër në emrin tim, por se unë kam botuar shkrim timin në emrin e dikujt tjetër, në këtë rast të vëllait. Dhe se, që nga shkrimet e para polemike e deri te të fundit, si një fill i kuq shkrimet e mia i shquan i njëjti stil, e njëjta thurje. Kjo e fundit nuk është për t’u lavdëruar, por që në të njëjtën kohë tregon një veçanti të karakterit të njeriut: atë të reaguesit në rastet kur lexon diçka që, sipas tij, nuk është në nivelin që duhet të jetë, veprim të cilit shumë të tjerë i ikin, sepse nuk duan të prishen me askënd, duan ta kenë me të gjithë mirë dhe nga kjo jo vetëm të bëjnë një jetë të qetë, po edhe të përfitojnë kur u vjen rasti. Unë nuk isha i tillë.
Krejt në fund duhet të shtoj se, në polemikën e zhvilluar një vit më parë me profesor Engjëll Sedajn, për përshtatjen e poezive të Pjetër Bogdanit, pasi kjo polemikë kishte zgjatur në disa vazhdime (tri shkrime unë, ai dy), kisha qenë paksa i ashpër, në këtë shkrim jam treguar më i butë. Ndoshta kjo ka ndikuar që autorët e përshtatjes të veprës së De Radës nuk reaguan fare dhe, si rrjedhojë, nuk pati ndonjë polemikë si në rastin e sipërpërmendur.
Dhe krejt në fund. Kur kam shkruar ndonjë kritikë për ndonjë libër, sidomos pas luftës, në kuluare është pëshpëritur se unë kam qenë i shtyrë nga të tjerët, dikush ka shtuar se ato shkrime i ka shkruar dikush tjetër dhe unë vetëm i kam nënshkruar, dhe pyetja që do të doja të më përgjigjeshin ata të kuluareve është: kush më shtyri të shkruaja në qelinë e burgut të Smrekonicës për këtë libër, në vitin 1984, kur unë ende nuk kisha arritur të ulem në auditorët e fakultetit si student i rregullt?