Një stadium me 115 mijë ulëse, me vlerë 459 milionë euro, do të ndërtohet për Kupën e Botës 2030
Maroku do të ndërtojë një stadium me një kapacitet prej 115 mijë vendesh pranë qytetit të Kazablankës, ku do të presë ndeshjet e Kupës së Botës në vitin 2030, garë që do ta organizojë së bashku me Spanjën dhe Portugalinë.
Arena e re do të ndërtohet në 100 hektarë tokë dhe do të ketë një pistë atletike, një pishinë të brendshme, një qendër tregtare dhe një hotel.
Këto janë disa nga detajet e stadiumit të ardhshëm, i cili do të jetë në afërsi të Casablanca dhe do të kushtojë 5 miliardë dirhemë (459 milionë euro) sipas specifikimeve të konkursit arkitektonik të shpallur nga Sonarges dhe ANEP, kompani publike marokene dedikuar investimeve sportive dhe objekteve publike.
Stadiumi i ri do të jetë më i madhi i këtij lloji në Afrikën e Veriut dhe do të projektohet për të pritur ngjarje masive sportive dhe kulturore në përputhje me kërkesat më të fundit të futbollit ndërkombëtar.
Ndërtimi i këtij stadiumi bëhet në kuadër të përgatitjeve të nisura për organizimin e Kupës së Botës në vitin 2030 dhe është më i madhi nga gjashtë lokacionet e propozuara nga Maroku, së bashku me Tangierin, Rabatin, Agadirin, Marrakeshin dhe Fesin.
Kompleksi “Marelui Stadium” do të përfshijë gjithashtu katër fusha stërvitore të miratuara nga FIFA, zona komerciale dhe objekte të tjera.
Në një sipërfaqe prej 100 hektarësh që do të mbulojë të gjithë kompleksin sportiv, do të ndërtohet një stadium atletik me kapacitet 25 mijë spektatorë, një sallë sportive, një pishinë olimpike, një qendër kongresesh, një qendër tregtare dhe një hotel.
Financimi i “Stadiumit të Madh” vjen nga marrëveshja që qeveria marokene nënshkroi më 20 tetor me kompaninë e investimeve publike CDG. Me këtë marrëveshje u ra dakord për një buxhet prej 14.5 miliardë dirhemë (rreth 1.3 miliardë euro), i cili do të përdoret për rinovimin e gjashtë stadiumeve të tjera, në Tangier, Casablanca, Rabat, Agadir, Marrakesh dhe Fez, ku do të organizohet Kupa e Afrikës.
Kupa e Botës 2030 do të jetë turneu i parë që do të mbahet në tre kontinente. Ndeshjet e para do të zhvillohen në Argjentinë, Uruguaj dhe Paraguaj, me rastin e festimit të njëqindvjetorit të Kupës së Botës. Më pas ndeshjet do të luhen në tre shtete pritëse – Spanjë, Portugali dhe Marok.