NJË STUDIM NDRYSHE PËR NOLIN
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
(Dr. Entela Komnino, “E vërteta për Nolin”, “GLPrint”, Tiranë, 2017)
Ditë më parë në Tiranë e Tetovë u promovua libri studimor për jetën dhe veprën e Nolit “E vërteta për Nolin”, nga studiuesja tani më veç e njohur, dr. Entela Komnino. Autorja Komnino për komunitetin shkencor edhe në Kosovë nuk është e panjohur. Ajo edhe më parë është prezantuar me shkrime publicistike, shkencore e hulumtime të ndryshme.
Që në fillim duhet theksuar se Fan Noli pa dyshim është një nga figurat më të shquara të popullit shqiptar, i cili, si i tillë, ka zgjuar kërshërinë e shumë studiuesve të historisë, të huaj e shqiptarë, për ta trajtuar në suaza shkencore këtë figurë poliedrike.
I lindur më 6 janar 1882, në Ibriktepe të Trakisë, Theofan Stilian Noli, i njohur si Fan Noli ishte: shkrimtar, dijetar, diplomat, politikan, historian, orator dhe themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare. Po ashtu, shërbeu si kryeministër dhe regjent i Shqipërisë më 1924, gjatë revolucionit të qershorit. Ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja si: i greqishtes, latinishtes, turqishtes, anglishtes, frëngjishtes, e në moshë të shtyrë, ai mësonte edhe gjuhën ebreike. Shikuar në prizmin e historiografisë shqiptare, figura e Nolit, na del të jetë njëra nga figurat më komplekse të historisë tonë. Duhet thënë edhe këtë se, Noli si politikan dhe Noli si patriot, ishin si dy anë të një medaljeje.
Librin “E vërteta për Nolin”, duke e shfletuar e lexuar, erdhëm në përfundim se është fryt i një hulumtimi të gjatë shkencore, që përfshin periudhat më të rëndësishme të jetës dhe veprës së Nolit.
Autorja Komnino, që në parathënie të librit, shprehet me të drejtë kështu, citoj: “Në fakt, Fan Noli, e ka filluar vetë pandehmën, duke i shkuar pas një kodi shkrimi dhe kuptimi të botës si prift, gazetar, shkrimtar, politikan, kritik letrar, diplomat, historian, përkthyes, madje dhe si muzikant. Të gjitha këto janë shfaqur për së jashtmi nën kuptimin gati organik që një prift është orator, një gazetar është orator, një politikan po ashtu”, mbyllet citati.
Vërtet, libri i dr. Entela Komninos, përfshin një periudhë mjaft të gjatë kohore të jetës e veprës së Nolit, por megjithatë, ajo, me përkushtimin dhe durimin që e ka manifestuar si shkencëtare, del se, me një sukses të madh, ia ka arritur qëllimit, dhe, ia ka dalë mbanë, që figurën e Nolit, të na sjell në një shkrim, dhe studim krejt ndryshe, nga ato që jemi mësuar t’i lexojmë gjerë tani. Ajo, me sukses ka arritur që të rivalorizojë të dhënat e bollshme, që ndoshta deri dje kanë qenë temë tabu për hulumtuesit.
Librin në fjalë, autorja paraprakisht e ndan në 26 tituj duke përfshirë këtu Hyrjen dhe literaturën. Komnino, me një kujdes të veçantë u qaset proceseve historike në jetën e Nolit, të cilat gjithashtu patën, edhe ndikimin më të madh në veprimtarin e tij, të cilat u paraprinë ngjarjeve të rëndësishme që sollën ndryshime rrënjësore në shtetin shqiptar.
Rëndësi të veçantë Komnino i kushton pjesës “Koha me atdhe të përmbajtur” duke mos lënë anash as pjesët tjera te librit, duke na prezantuar shkaqet dhe pasojat e statusit të shkrimeve të Nolit dhe kufijve të tij.
Në librin “E vërteta për Nolin”, autorja, në mënyrë të strukturuar na ofron një materie shumë komplekse dhe ndryshe, ngase këtë e bënë të mundur literatura e shumëllojshme të cilën e ka përdorë në tërë librin. Nga shkrimi, vërejmë se Komnino është njohëse e mirë e literaturës angleze e gjermane, çka të bënë të mendosh se një vepër e tillë gati-gati unikale është pritur. Të dhënat dhe fjalori me të cilën është hartuar libri është i papërsëritshëm.
Në qoftë se fjala, në një vepër të një shkrimtari, është pasqyra e vërtete, forma e mendësisë dhe e shpirtit, atëherë, është e drejtë, se veprat, shkrimet, vjershat dhe veprat e shqipëruara që shkroi Noli, përfaqësojnë në kuptimin e tyre simbolik, që nga fillimi e gjer në fund, një konfesion të vetëm, kredon e një njeriu e të një jete në shërbim të vendit të tij.
Dhe nga libri, vije mesazhi se, Noli është pa dyshim, një ndër personalitetet më të shquara të historisë kombëtare shqiptare. Dhe si i tillë, jo pakë, tërhoqi vëmendjen e historiografisë shqiptare dhe jo vetëm. E tërë veprimtaria e tij si, publicist demokrat, orator, njohës i mirë i fjalës së shkruar e të folur shqipe, politikan me një potencial të fuqishëm, iu kushtua jo vetëm mbrojtjes së interesave kombëtare por ashtu edhe luftës për ndërtimin e demokracisë së shtetin të ri shqiptar, gjë të cilën e vlerëson historiografia.
Duhet thënë se libri është i shkruar me një përkushtim të madh shkencor që në një mënyrë synon të rindërtojë shkencërisht një imazh të saktë e bindës dhe më ndryshe për Nolin dhe të vërtetën e tij. Autorja, pas përfundimit të librit, vë në pah se të gjitha çështjet që lidhen me historinë e Nolit, nuk mund të shtjellohen që të gjitha në mënyrë shteruese, por shpreson se në të ardhmen do të vazhdojë me të njëjtin intensitet për studime të tjera.
Ndërsa të dhënat e grumbulluara autorja i ka sintetizuar në mënyrë analitike, studimore dhe ka përdorur metodën krahasuese të shkrimit.
Dhe krejt në fund, të nderuar të pranishëm, përgëzojmë autoren Komnino, duke i uruar që në të ardhmen të na ofrojë edhe shumë shkrime të tjera për Nolin dhe jo vetëm për të.