Një stuhi i fuqishme godet Spanjën
Stuhia e fuqishme “Gloria”, që ka përfshirë të hënën pjesën më të madhe të Spanjës lindore, ka shkaktuar vdekjen e së paku katër personave.
Rajonet përreth Valencias dhe Ishujve Balearik janë goditur më së keqi, me përmbytje të mëdha dhe erëra të forta.
Mbi 30 provinca në Spanjë janë vënë në gjendje të gatishmërisë.
Autoritetet spanjolle kanë thënë se një person humbi jetën në provincën Avila, pasi është goditur nga tjegullat që “fluturonin”.
Një grua e pastrehë është ngrirë për vdekje pranë Valencias, një viktimë tjetër është regjistruar në rajonin Asturias dhe një në qytetin Moiksent.
Stuhia më vonë ka lëvizur në jug të Francës, ku mediet lokale kanë cituar parashikues të motit duke thënë se ajo është më e keqja në rajon që nga viti 1982.
Spanja dhe Franca janë goditur nga përmbytje të mëdha edhe në tetor të vitit të kaluar. /Rel/