Një suferinë pranvere që freskon mendjen e lexuesve të vegjël

22 dhjetor 2021 | 11:51

Izet Abdyli

Xheladin Mjeku, “Dashuri diellore”, poezi për fëmijë, Art Club “Rifat Kukaj”, Drenas 2021

Poeti Xheladin Mjeku, tashmë i dëshmuar me përvojë të gjatë në krijimtarinë letrare për të rritur e fëmijë, si dhe në eseistikë, vjen në këtë fundvit me një dhuratë, buqetë-vargjesh për fëmijë, si përkushtim për mbesën e tij të dashur Dorelën dhe Stërgjyshen e saj, Dinoren. Libri ,,Dashuri Diellore” është strukturuar në katër cikle si: Dashuri qiellore, Pentagram me tri nota, Ikën kukullat nga loja, dhe Kopshti i përqafimeve. Janë dy njerëzit më të dashur në jetë që poetit i sjellin dashurinë diellore, e që ai e ka përzgjedhur me të drejtë edhe si titull të librit ngaqë, siç shprehet në vargjet: Mbesa ime Dorela, /Dhe Nënlokja Dinore, /Më dhurojnë pa-ndalur, /Dashuri diellore!. Libri hapet me një përkushtim për dy breza dhe, këta dy emra pothuaj na shfaqen në shumicën e faqeve të librit me tërë ndjesinë e dashurisë së poetit, i cili përmes komunikimit, herë në formë dialogu, e herë në formë monologu shpërfaq botën shpirtërore të tyre.

Dhe kush më mirë se mbesa e frymëzon gjyshin për të shkruar një libër si në poezinë ,,Bashkë ndërtojmë një vepër”:

Ajo më tregon dëshirat,

Unë i hedh në letër,

Si dy bashkautorë,

Po ndërtojmë një vepër.

Në këtë libër, jo rrallë poeti shprushë edhe në kujtimet e fëmijërisë, që nga lojërat e tij fëmijërore, pastaj prek edhe fenomene e dukuri të ndryshme me përplot të panjohura, për të cilat kur ishte fëmijë kërkonte shpjegim nga të rriturit, ashtu siç ngjanë tani me kureshtjen e mbesës së tij, Dorelës. Poeti shpesh e ëndërron veten në krahët e ninullave, ku dashuria për nënën është diçka e veçantë që merr përmasat madhështore, ndaj përdor edhe krahasimet:

NANA-NANË s’është emër

Që e gjejmë në fjalor,

Është Nënëlokja e dashur,

Shkëlqen si meteor.

Një krahasim edhe më të bukur e gjejmë te poezia përmbyllëse e ciklit të parë:

Toka dhe nëna,

Si dielli e hëna.

Edhe cikli i dytë ,,Pentagram me tri nota” ka për fillesë një gjetje artistike të tri notave në pentagram: Do, Re, La, që në zbërthimin që u bën poeti del emri DORELA, e cila vazhdimisht bëhet frymëzim për vargje të reja, që stisen me plotë dashuri nga gjyshi. Lojërat fëmijërore nuk mungojnë në këtë libër, si pjesë e argëtimit të tyre, ku ndikim të madh ka edhe teknologjia e re. Këtu e takojmë telefonin, si njërin prej mjeteve më të pranishme në përditshmërinë tonë, që është trajtuar edhe në vargjet, si:

Dorela kurreshtare,

Asnjëherë nuk harron,

Të gjithëve me radhë,

Na thërret në telefon.

Po dashuria për mbesën nuk pushon as kur shtrohet tryeza, apo kur del të shëtis me gjyshen përdore.

,,Ikin kukullat nga loja” është cikli i tretë, ku poeti bënë një dyzim mes realitetit dhe fantazisë së Dorelës, e cila është përherë e pranishme, qoftë kur luan me kukulla, edhe kur e rrëmben gjumi, duke shëtitur si diell mbi lule, për të kapërcyer pastaj shtatë ditët e javës, të cilat marrin bukurinë e mollës, qershisë, këngës, shtëpisë, etj. ,,Pranvera me lule”, ,,Përralla në vesh, bora në Golesh”, ,,Pika pika pika, shkrimet e para i nisa”, ,,Dimri shet akullore”, janë vjersha që sjellin peizazhe të bukura të natyrës, por sjellin edhe mesazhe kuptimplote për fëmijët e pasionuar pas natyrës.

Xheladin Mjeku me përkushtim të madh ka punuar në sajimin e cikleve, madje jo pa qëllim librin e përmbyll me ciklin ,,Kopshti i përqa-fimeve”, ku i fton në lojë të gjithë, ta shijojnë akëcili në mënyrën e vetë. Herë e gjejmë shteg-timin në mesin e librave, e herë në natyrën me plotë hijeshi, herë me lojën e balonave, herën tjetër me dajën në shtëpi, e ndonjëherë dritarja e sjell botën në shtëpi, por në fund nuk pushon duke ngarendur rreth botës për një përrallë.

Rreth botës për një përrallë,

Të gjithë sillemi vërdallë.

Si përfundim, përmbledhja poetike ,,Dashuri Diellore”, është libër me shumë larushi tematike, që zgjon kërshërinë e lexuesit për motivet, mesazhet, figurat e bukura stilistike, dhe vjen si suferinë pranvere që freskon mendjen e lexuesve të vegjël. Poeti është përkujdesur që vargjet të kenë edhe qershinë mbi tortë, e ato janë fotot dhe skicat që i shoqërojnë disa nga vjershat e këtij libri, të cilin e bënë më të këndshëm për lexim.

Pra, Xheladin Mjeku është i vetëdijshëm se vetëm vlera është ajo që u qëndron viteve, prandaj duke lexuar me vëmendje këtë libër konstatoj se kemi të bëjmë me një libër me vlera të qëndrueshme poetike, që i siguron jetëgjatësinë e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Realizimi i detyrave dhe autorizimeve policore në mënyre profesionale ka…