Një takim rasti në vitin 1984 me Metush Krasniqin
Metush Krasniqi (19.08.1927- 15.10.1986)
Shkruan: Skender Haliti
Rasti, thonë, është mbret i botës. Këtë gjë, nga përvoja personale, mund ta them edhe unë. Kanë kaluar më tepër se 40 vjet që kur përjetova një ngjarje të pazakontë, diçka që më është thadruar në kujtesë përgjithmonë. Njeriun që e takova, në atë moment nuk e njihja me emër dhe mbiemër, por këto të dhëna personale nuk ishin fare të rëndësishme, sepse intuitivisht e dija se takova një njeri të rrallë, një njeri të mbërrimë, siç thonin shqiptarët e vjetër dikur. Në mjedisin tonë kam dëgjuar në rrjedhën e kohës vlerësime të ndryshme për këtë njeri. E dija që ato vlerësime bazoheshin në shtytje të brendshme. Përballë atij njeriu askush nuk mund të qëndronte mospërfillës. Njerëzit janë të ndryshëm, nuk është çudi prandaj që kanë dhe kritere e vlerësime të ndryshme. Vlerësimi im ka qenë që në krye të herës: ai njeri ishte krejt ndryshe nga të tjerët që kisha takuar deri atëherë dhe më vonë: ai ishte një njeri me shenjë, një njeri i shenjtë. Ishte janar i ftohtë e me dëborë, mesi i dimërit. Atëbotë dimrat ishin të vështirë dhe me shumë borë. Ishte viti 1984, pikërisht si një vit i George Orwell-it. Romanin e tij me titullin “1984“ e njihja dhe atmosferën e tij represive e kisha provuar qysh në vitin 1979. Shteti represiv që përgjonte e terrorizonte në forma të ndryshme në mënyrë masive qytetarët e tij, për mua nuk ishte thjesht një gjë teorike. Isha në stacionin e autobusave në Ferizaj. Po e prisja një autobus që do të shkonte në Prishtinë. Në ato momente erdhi një i tillë nga Gjilani, i cili destinacionin e kishte pikërisht atje për ku isha nisur unë. Pa vonuar, hypa në të dhe shkova e u ula kah fundi i autobusit, ku gjeta një vend të lirë. Për krah kisha një burrë në moshë të mesme. E kisha blerë gazetën studentore “Bota e Re“ në një kiosk në stacion. Sapo u ula në karrike, e hapa gazetën dhe e fillova ta shfletojë dhe lexova sipërfaqësisht gjërat që më interesonin. Pasi e përfundova leximin, bashkudhëtari që kisha në krah, pranë dritares, ma kërkoi gazetën në serbisht. Ia dhashë pa asnjë ngurrim, mirëpo gjuha që përdori ai më irritoi një qikë, sidomos kur pashë që ai po e lexonte gazetën me shumë vëmendje, pra kur u binda që ai nuk ishte serb. Edhe nga pamja nuk prisja që ai t‘i përkiste atyre që na sundonin e shtypnin. Në atë kohë, megjithatë, njeriut i binte jo rrallë të takonte serb, por kurrë prej tyre nuk kisha përjetuar deri atëherë, por edhe më vonë që të interesoheshin për një gazetë a libër në gjuhën shqipe. Këto produkte të një shoqërie me kulturë serbët nuk i shihnin dot në duart e shqiptarëve. Prej shumë kohësh, ata këtë pamje s‘e prisnin në mjedisin tonë. Për ta ishte gjëja më e panatyrshme në mjedisin tonë. Në Jugosllavinë mbretërore gjuha shqipe kishte qenë gjuhë e ndaluar dhe shkolla në gjuhën shqipe nuk kishte pasur. Edhe në Jugosllavinë e vëllazërim-bashkimit shkolla nuk shihej si diçka që i ahkonte shqiptarit. Brezi im kishte kaluar nga shkolla fillore dhe e mesme në gjuhën shqipe dhe gëzonte të drejtën e arsimimit universitar. Në fakt, shteti jugosllav punonte hapur dhe, më shumë, fshehtas që një kombinim i tillë të mos ndeshej në shoqërinë tonë primitive. Takova rastësisht në autobus një atdhetar, të cilin nuk e njihja, por emrin dhe mbiemrin e të cilit do ta mësoja shumë më vonë, rreth dy vjet e gjysmë pas takimit, në kohën kur filloi sezoni i gjykimeve të njëpasnjëshme, në maj dhe qershor të vitit 1986. Në vjeshtën e vitit 1985 qenë bërë arrestime masive dhe këtë gjë unë nuk kisha sesi të mos e regjistroja, duke qenë se shumë miq , shokë e të njohur të mi bënin pjesë në këtë grup të rinjësh. Por unë atëherë nuk dija se në mesin e të arrestuarëve kishte qenë dhe njeriu me të cilin udhëtova së bashku në autobus nga Ferizaj në Prishtinë. Në qershor të vitit 1986 e mora vesh emrin e tij kur gjykata e liroi në mungesë të fakteve. Nga gazeta kuptova se ai i përkiste grupit të parë të atyre që ishin burgosur me 4 nëntor 1985. E marrë me mend se UDB-ja dhe mekanizmat e tjerë të shtetit të Jugosllavisë e kanë pasur gjatë në vëzhgim të rreptë dhe me burgosjen e tij kanë menduar se kanë shtënë në dorë kreun e organizatës të madhe ilegale ku bënin pjesë qindra të rinjë nga gjithë hapësira shqiptare, nga Ulqini në Strugë, nga qindra e dhjetra vendbanime e qytete që sot u përkasin: shteteve ballkanike, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Njëri nga të parët që qenë arrestuar ishte pikërisht njeriu me të cilin unë kisha udhëtur pothuajse dy vjet më parë. Këtë gjë e mësova shumë më vonë. Gjatë udhëtimit tim me të në një autobus të Gjilanit kisha përshtypjen se kisha të bëja me një njeri jashtëzakonisht të përgatitur dhe atdhetar. Këto përshtypje i fitova gjatë bisedës time me të, sidomos gjatë kohës që ecëm në këmbë në një ditë që po errësohej dhe po binte borë. Nga Rrethi në Prishtinë deri te hoteli i atëhershëm “Bozhur“ që tanimë nuk ekziston. Ky hotel ishte pikërisht aty ku tani ndodhet hoteli “Diamond“, pra në afërsi direkte me Teatrin Kombëtar që atëherë quhej Teatri Krahinor. Në janarin e ftohtë e me dëborë të vitit të largët 1984 po e prisja autobusin e Prishtinës në stacionin e autobusëve në Ferizaj. Kisha mbërritur aty nga katundi im Komogllava. Isha student në Fakultetin Ekonomik, kisha qenë në shtëpi.