Një tërmet i fuqishëm godet Kroacinë

29 dhjetor 2020 | 14:06

Një tërmet i fuqishëm e ka goditur Kroacinë. Ai është ndjerë pas orës 12:00 në kryeqytetin Zagreb, por edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi. Qendra Sizmiologjike Euro-mesdhetare (EMSC) ka raportuar se fuqia e tij ishte 6.4 shkallë të Rihterit.

Deri më tani, nuk ka informacione mbi dëmtimet e mundshme dhe viktimat. Ende priten të dhënat për dëmet.

Sipas EMSC, epiqendra ishte 46 kilometra në juglindje të Zagrebit.

Kryqi i Kuq tha se në qytetin e Petrinjës, 58 kilometra nga Zagrebi, situata është shumë serioze dhe se ekipet e Kryqit të Kuq janë në terren.

EMSC deklaron se ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Kroacinë këtë vit dhe se tërmete të kësaj fuqie mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme pranë epiqendrës.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq është drejtuar menjëherë në zonën e tërmetit.

“Kemi mobilizuar të gjitha shërbimet për të ndihmuar njerëzit dhe për të pastruar pjesët e shkatërruara. Tani, kryesore është të shpëtojmë jetë njerëzish”, ka shkruar Plenkoviq në “Twitter”.

Ministria e Puneve të Brendshme bëri thirrje për përmbajtje dhe të respektohen masat kundër koronavirusit edhe në vendet e hapura.

Centrali bërthamor në Krsko të Sllovenisë është mbyllur si një masë paraprake, tha të martën zëdhënësja e uzinës.

“Unë mund të konfirmoj mbylljen si masë parandaluese”, i tha AFP -së, zëdhënësja Ida Novak Jerele.

Një ditë më herët (28 dhjetor)një tërmet i moderuar dridhi pjesën qendrore të Kroacisë dhe kryeqytetin e saj, Zagreb, duke shkaktuar dëme në disa ndërtesa.

Tërmeti u pasua nga një dridhje tjetër, me fuqi prej 4.9 shkallësh. Në muajin mars, një tërmet prej 5.3 shkallësh të Richterit shkaktoi dëme të konsiderueshme në Zagreb. Një person vdiq dhe së paku 27 u plagosën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Edhe sytë e mi atë ngjyrë kanë” titullohet libri i…