“Një thirrje nga rajoni siç e përfytyroj”: Prej sot, flasim më lirshëm me Europën

02 tetor 2023 | 12:11

Nga Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal

Eseja e James Baldwin “Letër nga rajoni, siç unë e përfytyroj” nuk është shkruar për Ballkanin. Për më tepër që sot letrat janë zëvendësuar nga mesazhet telefonike. Megjithatë, ky titull i perifrazuar, më duket se i rri për shtat një opinioni si ky.

Në një epokë, ku pasiguria është tashmë e vetmja  konstante, rajoni – ai që përfytyroj unë, në skutat e mendjes sime- më shfaqet para syve si një kanavacë e pikturuar me gjithë nuancat e ngjyrave.

Si një vend i bukur, i paqtë, ku njerëzit, kulturat, fetë dhe historitë bashkohen krejt natyrshëm, pa asnjë sforco.

Në këtë rajon imagjinar, ndasitë që shkaktojnë konflikte e mandej shumë dhimbje, s’janë gjë tjetër veçse ngjyra, për të portretizuar një pjesë të botës, të ekuilibruar e të zhvilluar.

Por realiteti, ai jashtë momentit ku kot bredh përfytyrimi im, duket krejt ndryshe.

Ballkani Perëndimor nuk resht së paturi, tensioni, mosmarrëveshje, kërcënime për luftë, e të gjitha këto brenda peizazhit global gjithnjë e më të polarizuar.

Megjithatë, edhe në ditët më të zymta, ka gjithmonë një fije shprese. Këtë herë shpresa, është një lajm pozitiv, të cilin dëshiroj të ndaj me ju, sot.

Tetori 2023 filloi. Eshtë koha që premtuam se do të flasim më lirë me Europën. Ose më Lirshëm dhe kur cmimet  e telefonatave tona në  roaming Bashkimi Evropian(BE) -Ballkani Perendimor(BP) do të fillonin të binin, bashkë me gjethet e vjeshtës. Dhe kështu ndodhi. Në këto kohë të furishme që po jetojmë, telefonat celularë janë bërë pjesa më e pazëvendësueshme në jetën tonë. Ata na mbajnë të lidhur me njerëzit e dashur, anekënd botës, na mundësojnë qasjen ndaj informacionit dhe na ofrojnë mundësi pafund për të lundruar për punë, apo edhe kot në një telefon që mbajmë të gjithë në dorë.

Ndaj, tarifat e reduktuara të telefonisë celulare në roaming janë një lehtësim i madh, për secilin prej nesh, ndërsa, mbi të gjitha, për bizneset dhe sipërmarrësit, do të jenë një ndihmë e madhe.

Kufijtë, janë gjithmonë një barrierë e fortë që krijon vec ndasi. E njëjta logjikë është edhe në botën e telekomunikacionit.

Falë  marrëveshjes të arritur në Samitin BE-BP në Tiranë, më 6 dhjetor 2022, kjo qasje, “paguaj një mal me para ose mos fol fare”’ , nisi rrugën e ndryshimit.

Në samit, 38 operatorë telekomunikacioni si nga BE ashtu edhe nga BP morën përsipër të ndryshonin realitetin.

Deklarata e firmosur në Tiranë, i hapi rrugën uljes të ndjeshme të tarifave të roaming-ut ndërmjet BE-së dhe BP, e cila sot ka nisur zbatimin.

Ka mësë dy vjet që në rajon ne flasim si në shtëpi, me të njëjtat tarifa. Pakkush e besonte edhe atëherë se kjo do të ndodhte, por sot nga Shqipëria në Mal të Zi apo nga Kosova në Maedoninë e Veriut, askush nuk e fik më telefonin, dhe as e kap paniku se mos fatura i shkon më shtrenjë se udhëtimi.

Nuk do të ishim ketu sot, pa tarifa shtesë në rajon dhe me ulje super të ndjeshme prej sot në komunikimin tonë me Europën, nëse ky rrugëtim s’do të kishte dedikimin tonë si  Këshilli të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ,Komisionit Evropian (KE) dhe operatorëve të telekomunikacionit nga BE dhe Ballkani Perëndimor. Ky proces mund të quhet gjithcka sot, por vetëm i thjeshtë nuk ishte për asnjë nga ne. Megjithatë ia dolëm edhe këtu.

Dhe tani me fjalë të thjeshta:

Çfarë përfitojmë?

Për shembull, një shtetas boshnjak, klient i një prej operatorëve në Bosnjë Hercegovinë, që udhëton për në Kroaci paguante për  të dërguar një fotografi ose një dokument nga telefoni në internet,  (pa blerë asnjë paketë roaming gjatë udhëtimit në BE) gati 2.09 euro për Megabyte.

Kjo do të thotë se dërgimi i një videoje me cilësi mesatare prej 1 GB kushtonte më shumë se 2000 EUR. Nëse do të ishit në Greqi, do të ishte më shumë se 9.000 EUR. Por tani, pas uljes së tarifave, do të jetë vetëm 0.017 euro për 1 megabyte – një ulje prej më shumë se 99 për qind.

Lundrimi në internet në roaming do të jetë më i lirë edhe për qytetarët shqiptarë. Çmimi për 1 GB, për klientët e një operatori, nëse nuk do të blinin një paketë roaming për udhëtimin e tyre në BE, nuk do të jetë më 565 euro, por shumë herë më pak – vetëm 23 euro. E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët kosovarë, kostot në roaming të internetit janë ulur me gati 147 herë. Tanimë, dërgimi i videove kur udhëtoni diku në BE tek familja juaj nuk do t’ju kushtojë gati sa të blini një makinë të përdorur – ose 2500 euro, por 17 euro. Nuk keni më nevojë të blini ndonjë paketë ose të kërkoni ofertë speciale.

Këto janë çmime standarte dhe tarifohen për megabajt, kështu që dërgimi i mesazheve në WhatsApp ose aplikacione të ngjashme do t’ju kushtojë pak cent, sikur praktikisht po i dërgoni nga dhoma juaj.

Në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, 1 GB në paketa roaming BE, është nga 12 euro, e në disa raste edhe më e ulët se 2 euro.

Këto ishin disa shembuj, por për informacion të saktë mbi çmimet, paketat dhe ofertën e roaming gjatë qëndrimit në BE, ju lutemi kontaktoni operatorin tuaj të telekomunikacionit.

Suksesi i kësaj  arritje nuk ka të bëjë vetëm me uljen e kostove, është më shumë se kaq

Është shembulli i mirë se kur duam i japim kuptim bashkëpunimit, pret të cilit përfitojnë të gjithë qytetarët.

E në fund të ditës, ky rajon në mendjen time, mund të bëjë përpara vetëm kur qëllimet e mira dhe forca për të bashkëpunuar e për tu zhvilluar, bëhet me e fortë se ndasitë.

“Fol si n”shpi” ose “Roaming Free Western Balkans”, njohja e profesioneve dhe e diplomave, mbajtja e një Korridori të Gjelbër hapur, gjatë pandemisë së COVID-19, etj, janë thjeshtë  histori bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është i zhytur në histori dhe diversitet, nga tensionet që sjellin konfliktet, situatat ekonomike, papunësia, mossundimi i ligjit, të cilat vecse kanë nxitur zbrazjen e vendeve tona dhe largimin e trurit. Përmbytje, zjarre, tërmete, ndotje atmosferike, ​​temperatura rekord, janë vetëm disa nga sfidat që nuk ndahen me kufinj.

Të jesh i informuar për ǘka ndodh e të prek edhe ty, sot, është një e drejtë universale.

Tarifat e reduktuara të roaming BE-BP, që nga ky TETOR, është jo vetëm një hap që i jep mundësi qytetarëve nga rajoni, por edhe atyre nga Europa, përfshi diasporën, të kenë më pak kokëcarje e më pak shpënzime për tu lidhur më njëri-tjetrin, por na  jep edhe ne, të gjithëve që punojmë për të lidhur e jo ndarë njërëzit dhe ekonomitë, një mundësi më shumë për të kuptuar se fjala e dhënë mbahet, kur vendimet politike, serioziteti i marrëveshjeve të nënshkruara, në fund të ditës është përgjigja e thjeshtë që i japim pyetjes: Ka arritje konkrete apo jo?

Është pjesë e një filli të ndërlikuar në strukturën e evropianizimit të vendeve tona.

Ky është vizioni i rajonit që do të europianizohet, në përfytyrimin tim. Ai që ilustron besimin se një arritje nuk do të thotë të përpiqesh vetëm me tituj,  asi vetëm,por është  një përpjekje bashkëpunuese – një simfoni ku harmonizohen përpjekjet e të gjithëve.

Titulli “Letter from a Region in My Mind” është marrë nga esseja e James Baldwin, 1962 https://www.newyorker.com/magazine/1962/11/17/letter-from-a-region-in-my-mind

2 Për më shumë informacion mbi Deklaratën e Roaming mes BE- BP klikoni www.rcc.int.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Gruaja” e re e Kanye West, Bianca Censori, e cila…