Një tjetër luftëtar i UÇK-së i gatshëm t’i japë Thaçit çdo pjesë të trupit

21 prill 2020 | 10:15

Ditën e djeshme presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur një shqetësim shëndetësor dhe një kontroll në Klinikën e Urologjisë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës për shkak të disa dhimbjeve në veshkë. Shqetësimi i tij shëndetësor ka shqetësuar edhe qytetarët. Pas Zeqir Rexhepit, i cili ofroi veshkën e vet për presidentin Thaçi, ani pse nuk i është kërkuar nga askush dhe as nuk ka dëmtim të saj, është paraqitur për një ndihmë të tillë edhe qytetari Besim Rexhepi nga fshati Remnik i Vitisë. Ai tha se për presidentin Thaçi është i gatshëm t’i japë të gjitha pjesët e trupit.

“Dje isha shumë i shqetësuar, por shyqyr që presidenti është mirë me shëndet. Jam i gatshëm për atë që kam thënë me ia dhënë. Të gjitha pjesët e trupit. Jam i gatshëm t’ia jap veshkën nëse nuk i funksionon”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi shtoi se Thaçi është arkitekt i pavarësisë së Kosovës.

“Është njeriu më i merituar. Është arkitekt i pavarësisë. Ka bërë luftën. Ka udhëhequr në Rambuje. Ka shpallur shtetin. Ka bërë ushtrinë. Të gjitha të mirat ia ka sjell këtij vendi”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai tregoi se me kreun e shtetit ka edhe njohje personale. “E njoh. E njoh përmes fushatave. Përmes studimeve. Jemi një moshë, 52 vjeç. S’ka lidhje që është bastion i LDK-së. Unë jam kryetar i fshatit i 3 mijë banorëve. Unë nuk e jap për parti. Jo për Albinin e Ramushin, por për një njeri që kontribuon si duhet për vendin”, ka thënë Rexhepi.

Qytetari që vjen nga bastioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se është dashur 600 vjet të presim që të kemi një njeri si Hashim Thaçi. “Por, nuk ka si presidenti. Ai është rast sui generis. 600 vjet kemi bërë luftë ne. Kemi qenë të okupuar, i vetmi ky që ka ditë ta nxjerrë vendin dhe ta shpallë shtetin”, ka shprehur mendimin Rexhepi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse ekspertët e shëndetësisë këmbëngulin se pandemia është ende…