Një tjetër pamje për Ibrahim Rugovën
Dr. Albanë Mehmetaj
“Estetikë letrare” është konceptuar si zgjedhje e disa teksteve të përkthyera nga studiuesi letrar dhe esteti ynë, dr. Ibrahim Rugova, të cilat kanë për objekt parësor letërsinë si prodhim shpirtëror dhe teorinë estetike letrare. Në fakt, përzgjedhja është bërë duke pasur parasysh trajtimin e këtyre çështjeve në esetë autoriale të Rugovës, pra në esetë e fushës së estetikës dhe ato që lidhen me natyrën e letërsisë në përgjithësi. Duke pasur parasysh se dija letrare e Rugovës buron nga teoria letrare moderne dhe nga estetika, duket e rëndësishme të botohen këto përkthime, për të shpërfaqur interesime letrare të tij përkrah autorëve të huaj. Këto tekste organizohen kështu edhe për të përcjellë te ne një pamje të teorisë letrare dhe të teorisë së estetikës, të viteve ’70, në raport me studimet letrare të kohës dhe të ambientit. Konkludojmë kështu jo vetëm duke analizuar diskurset teorike dhe natyrën e problemeve, por edhe duke pasur parasysh datat e përkthimit të teksteve, si dhe datat e botimit të librave të Rugovës që kanë objekt teorinë e problemeve estetike.
Libri “Estetikë letrare” është strukturuar në katër pjesë, nga katër tekste, të cilët përfaqësojnë interesime kërkimore të kohës dhe të Rugovës në veçanti: “Arti i romanit” i Tomas Manit, botuar në “Jeta e re”, numri pesë i vitit 1973; “Rëndësia e estetikës”, Jan Mukarzhovski, botuar në “Jeta e re”, në numrin e parë të vitit 1975; “Simbolizmi dhe trashëgimia e tij”, e Sesil M. Baura, “Jeta e re”, numri dy i vitit 1974; “Kufijtë e ontologjisë së artit në hulumtimin e veprës letrare”, Ivan Foht, botuar në “Jeta e re”, në numrin e katërt të vitit 1975. Kështu, vërehet se libri nuk është organizuar tematikisht, por përbëhet nga tekste që lidhen me probleme thelbësore të estetikës së letërsisë. Rëndësia parësore qëndron te fakti se Rugova i sjell për së pari të përkthyera në shqip, në një kohë kur mendimi letrar dhe estetik në Prishtinë ishte mjaft i hapur dhe tepër i ndryshëm.
Tekti i parë, “Arti i romanit”, i romancierit të madh Tomas Man, sjell një pikëpamje për formën artistike të romanit dhe për gjinitë letrare në përgjithësi, duke u koncentruar, siç vihet re edhe në titull, tek arti i romanit. Në këtë vështrim, përkthimi i autorit tonë gjykohet si shumë i rëndësishëm për kohën, pasi që sjell një mënyrë tjetër të të menduarit për fshehtësinë e rrëfimit letrar dhe pikëpamjen se si duhet ta kërkojmë dhe ta gjejmë interesanten në roman, duke mënjanuar të mërzitshmen. E, po ashtu, mendimi i Manit se romani si vepër moderne artistike, duhet të konsiderohet si prodhim demokratik i vetëdijes krijuese, duke paraqitur kështu shkallën e kritikës, mendojmë se ka kapur majën e interesimit të Rugovës për ta përkthyer këtë tekst në gjuhën shqipe dhe për ta pasur në literaturën estetike shqiptare.
Teorizimi i fushës së estetikës nga Jan Mukarzhovski, në esenë “Rëndësia e estetikës”, është sjellë në shqip nga Rugova. Duke ditur që këto përkthime mund të bëhen vetëm duke njohur deri në fund problemet e kësaj natyre, është e rëndësishme të veçohet mendimi se “estetika e sotme jo vetëm që nuk përpiqet të japë rregulla për të bukurën, por as rregulla të shijes”. Duke shkuar më tutje e duke parë teorizimet e Mukarzhovskit për funksionin estetik dhe konceptin e estetikës në përgjithësi, mund të hetojmë edhe këtu, jo vetëm rëndësinë e përkthimit për botën kulturore shqiptare të viteve 1970, por edhe ngjashmërinë në trajtimin e disa problemeve të mëvonshme estetike te këta autorë.
“Kufinjtë e ontologjisë së artit në hulumtimin e veprës letrare”, nga esteti Ivan Foht, është teksti që më së shumti përfaqëson zgjedhjen e Rugovës dhe pikëpamjet e tij të mëvonshme për estetikën dhe ontologjinë e veprës letrare-artistike. Kërkimet e tij letrare janë shumë të lidhura me këtë pjesë (për ontologjinë e veprës letrare), çështje të cilën e ka diskutuar së pari teorikisht, si problem universal, pastaj e ka praktikuar duke shqyrtuar veprat më të mira letrare shqipe, ato vepra që kanë ontosin e vet. Kështu që për t’i hapur mendimet dhe për t’i përafruar, theksojmë se te Fohti çështja e ontologjisë së artit konsiderohet si shkallë e dytë e estetikës ose si plotësim i saj, ndërsa te Rugova estetika ontologjike konsiderohet si perspektivë e duhur për vështrimin e artit dhe për hetimin e problemeve të saj. Në këtë plan, te Fohti, ontologjia e artit bëhet ontologji e përgjithshme, respektivisht në metafizikë, ndërsa te Rugova është i njohur procesi i objektivimit artistik, në të cilin qeniet artistike, që krijohen nga qeniet njerëzore, ekzistojnë si rezultat i kohëve të ndryshme. Koncept themelor i estetikës së Rugovës është letërisa si qenësi dhe tërësi në vete, kurse te Fohti është diskutuar vazhdimisht problemi i veprës artistike si qenie në vete dhe statusi ontologjik i qenies së pavarur.
Në këtë logjikë, edhe teksti “Simbolizmi dhe trashëgimia e tij” e Sesil M. Burës që, përveçse vjen si përkthim i rëndësishëm i Rugovës, vë në pah afrinë e disa pikëpamjeve të mëvonshme të tij me Baurën. Shembull i kësaj, në radhë të parë, është konceptimi nga Baura i simbolizmit si formë mistike e estetizmit dhe mendimi që thellësia e simbolizmit qëndron në insistimin e tij për botën e të bukurës ideale dhe bindjes se ajo realizohet përmes artit.
Përfundimisht, tekstet e përfshira në këtë libër japin një tjetër faqe të rëndësishme të punës intelektuale dhe diturore të Ibrahim Rugovës, atë të përkthyesit, prandaj, qoftë edhe për këtë fakt, këto tekste meritojnë të botohen e të lexohen edhe sot.