Një tjetër përpjekje për anëtarësim në INTERPOL
Autoritetet në Prishtinë besojnë se Kosova këtë vit do të bëhet anëtare e organizatës policore ndërkombëtare, INTERPOL.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha për “Radion Evropa e Lirë” se institucionet e Kosovës, janë duke punuar dhe duke bërë të gjitha përpjekjet për anëtarësimin e vendit në INTERPOL.
“Është bërë një lobim i mjaftueshëm. Besojmë fuqishme se institucionet e Kosovës do të kyçen në institucionin më të rëndësishme të sigurisë në Evropa, në INTERPOL. Do të thotë se nuk kemi dilema se ketë vit kjo çështje po përmbyllet”, ka thënë Zeka.
“Ne edhe vitin e kaluar kemi pasur mundësi të mira, por duke parë se një numër i shteteve kanë lëvizur në qëndrime, andaj e kemi shtyrë për një vit dhe kështu pra, besojmë që çështja e INTERPOL-it do të përmbyllet”, është shprehur Zeka.
Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Kosovës kanë njoftuar se Këshilli Ekzekutiv i Interpolit në Lion të Francës, tashmë e ka vendosur Kosovën në agjendë për t’u anëtarësuar këtë vit në këtë organizatë.
Zëvendësministri, Zeka tha se pas aplikimit për të qenë pjesë e agjendës, procedurat e tjera janë të thjeshta dhe teknike. Megjithatë, shtoi ai, deri në ditën kur pritet të votohet për anëtarësim, institucionet dhe mekanizmat e ndryshme bashkë me aleatët do të lobojnë që Kosova të ketë vota e mjaftueshëm për anëtarsim.
“Kemi biseduar me akteret kryesor, dhe ata janë të gatshme që ta përkrahin Kosovën. Ne jemi fuqishëm afër me mekanizmat ndërkombëtar, me fuqitë që janë të vendosura duke u nisur nga SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe shtetet tjera që kanë ndikim, por ne nuk kemi ndalur lobimin”, ka deklaruar Zeka.
Sipas tij, Serbia e cila është munduar ta ndal inkuadrimin e Kosovës në mekanizma e institucione të ndryshme ndërkombëtare, tashmë nuk e ka ndikimin që mund ta ketë pasur, pasi që shumë shtete janë në anën e Kosovës për ketë çështje.