Një tjetër person me koronavirus në Durrës

22 mars 2020 | 14:01

Një 51-vjeçar ka rezultuar pozitiv ndaj testit për Covid-19, duke e çuar në 6 numrin e të infektuarve në Durrës, përfshirë dhe viktimën e parë të këtij virusi.

I diagnostikuari është dërguar mbrëmjen e kaluar në spitalin infektiv të Tiranës për trajtim të specializuar.

Dy netë më parë pacienti ishte paraqitur me simptoma pneumonie në urgjencën e spitalit të Durrësit dhe nuk ka treguar datën reale të hyrjes në Shqipëri.

Përmes sistemit TIMS është konstatuar se 51-vjeçari ka gënjyer duke dhënë një datë më të hershme, ndërsa rezulton se ka më pak se dy javë që është kthyer nga Gjermania dhe e shoqja nga Milano. Pasi i është nënshtruar testit të tamponit, përgjigjja e të cilit ka rezultuar pozitive, ai është dërguar në spitalin e infektivit në Tiranë.

Ndërkohë burime spitalore bëjnë të ditur se edhe një tjetër pacient mashkull që ndodhet në urgjencë me simptoma të ngjashme me Covid-19 është në pritje të përgjigjes së testit. Mjekët e urgjencës së Durrësit apelojnë për më shumë përgjegjshmëri nga ana e pacientëve dhe familjarëve të tyre mbi lëvizjet jashtë vendit dhe kontaktet e pacientëve, si dhe të mos paraqiten direkt në spital./TCh/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe këtë vit, Dita Botërore e Ujit po e gjen…