Një udhëtim nëpër Ukrainë: Jeta në zonat e luftës
20 shtator 2024
| 08:46
Byron Smith kaloi gjashtë muaj duke udhëtuar nëpër Ukrainën e shkatërruar nga lufta, duke takuar civilë të plagosur, prodhues amatorë të bombave dhe notarë të guximshëm. Disa nga fotot e tij të përzgjedhura nga e përditshmja “The Guardian”, Telegrafi i sjell më poshtë.
Mars 2022: “Testamenti ’22: Viti i luftës në Ukrainë” [Testament ’22: A Year of War in Ukraine] është monografia debutuese e Byron Smithit që dokumenton udhëtimin e tij nëpër Ukrainën e shkatërruar nga lufta, gjatë vitit të parë të pushtimit të Rusisë. Smithi dëshmon se si ukrainasit janë detyruar të lënë shtëpitë dhe pasuritë dhe të përballen me një të ardhme të pasigurt. Këtu shohim një grup që u largua nga Irpini, nga periferia e Kievit që ka përjetuar luftime të rënda dhe granatime.
Shkurt 2022: Duke u përgatitur për përparimin rus, qyteti perëndimor i Lvivit, i njohur si djepi i nacionalizmit ukrainas, kthehet në vitet 1940 me vullnetarë që shpenzojnë orë të tëra duke punuar në mënyrë masive pengesat antitank, rrjetat e kamuflimit dhe koktejet e molotovit.
Mars 2022: Refugjatët rreshtohen për të hipur në një tren për në Poloni, në stacionin qendror të trenit në Lviv. Më pak se një javë pas luftës, një milion refugjatë kishin lënë shtëpitë e tyre. Në raundin e dytë të bisedimeve, të dy vendet ranë dakord të krijojnë një “korridor humanitar” për të lejuar sa më shumë njerëz që të largohen.
Prill 2022: Serhiy, 56 vjeç, kalon pasditen duke ndihmuar fqinjët e moshuar që të rimarrin mjetet e groposura në rrënojat e shtëpisë së tyre, në mënyrë që të rindërtojnë shtëpitë në Çernihiv. Qyteti, me një popullsi prej 285 mijë banorësh, ishte nën rrethim për 39 ditë dhe, sipas krerëve të qytetit, 700 njerëz ishin vrarë.
Korrik 2022: Një çift kalon pasditen në lumin Desna në Çernihiv. “Njerëzit ishin duke peshkuar, duke notuar, duke pjekur në skarë”, kujton Smith. “Sirenat e sulmit ajror vinin dhe shkonin. Askush nuk nxitonte të shkonte askund”.
Korrik 2022: Në perëndim të diellit, supa borshq, buka, mish i skuqur i derrit dhe pureja me patate ndahen midis mbi 40 banorëve vendas që dolën vullnetarë për të pastruar rrënojat dhe mbeturinat nga një shtëpi e granatuar në një zonë veriore të Çernihivit. Rituali i pastrimit tani shihet në të gjithë vendin dhe ka marrë shumë forma, në disa duke përfshirë muzikën rejv.
Nëntor 2022: Një civil kalon me biçikletë pranë një automjeti të shkatërruar, jashtë qytetit të Kupianskit i cili u çlirua nga forcat ukrainase.
Nëntor 2022: Civilët mbulojnë monumentin kushtuar ushtarëve të humbur që nga fillimi i luftës më 2014, derisa ushtria ukrainase po futet më thellë në rajonin e Hersonit të pushtuar nga Rusia.
Gusht 2022: Një shëtitore në Odesë. Ka mina në ujë, kështu që noti është i ndaluar, por megjithatë njerëzit vazhdojnë të zhyten.
Gusht 2022: Një moment i hareshëm në një ditë vere në qendër të Odesës.
Korrik 2022: Një ndërtesë e braktisur e goditur nga një sulm ajror rus në qendër të Çernihivit.
Prill 2022: Një varrmihës në Buça hap varre për kufomat tjera që do të vijnë. Imazhet e Smithit dëshmojnë koston e tmerrshme njerëzore të kësaj lufte – nëna të pikëlluara, komunitete të shkatërruara – ndërkohë që dëshmojnë gjithashtu shpirtin këmbëngulës dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës kundër tragjedisë së papërshkrueshme. Nga periferitë e shkatërruara të Kievit deri te fshatrat e sapoçliruara, fotografitë e Smithit gdhendin imazhin në mendjen e shikuesit për sakrificat të cilat nuk duhet të harrohen.
Qershor 2022: Yuri, 59 vjeç, ka thënë se do të vazhdojë të shkojë në kishë, për lutjen që të gjithë njerëzit të jetonin në paqe. Por, kohët e fundit “gjithashtu lutet për vdekjen e Putinit”. Ai aktualisht jeton prapa kësaj ndërtese, në garazhin e tij me gruan e tij, Svetlana, duke u marrë veten pasi u godit në këmbë me copëza shrapneli gjatë një sulmi në fshat.