Një vdekje për pranverën (vëllait tim, Rexhepit)

20 qershor 2019 | 16:00

ARIF MOLLIQI

1.
Kuptova vonë
se në pranverë paska vdekje
bash tash kur po na duhesh
me na mësu një fjalë
me na mësu këngën e stinës së luleve
me na tregu për erën
që vjen nga Gryka e Deçanit

Sa të trishtuara fjalë
që dalin nga porosia jote:
… duajeni pranverën
s’ka rëndësi shumë në jam unë
pak rëndësi ka
se pranverës i kanë hije edhe vdekjet
si kjo e imja
me peizazh gjelbëruar mbi varr

2.
Vij e vjen
e unë kërkoj sy me t’pa
se sytë e mi kanë mall
n’këtë stinë që nuk e njeh moshën
edhe kur bie shiu
edhe kur ka diell
se rruga që je nisur nuk njeh kthim

Ti breg Lumëbardhi me ujë shumë
që sjell këngë e vaj nga ushtimë e bjeshkës
ah, vetëm për ty këndojnë bjeshka dhe vërrini
në çdo pranverë

3.
Në dhomën e zbrazët e të ftohtë
e shikoj një fotografi varur në mur
sa robërues është aparati fotografik
nuk na lejon të flasim…

I shikoj sytë e tu aty
lot dhe buzëqeshje pafund
po këngën që aq shumë e deshe
nuk e dëgjoj më

Kaq mund të them sot
vetëm kaq
o im vëlla

4.
Në luftën e fundit ishe gjeneral
kërkoje vetëm fitore
ta pushtoje nëntokën doje
t’i lirosh nga robëria varret ngulje këmbë
pas mbarimit të betejës
fjalime të zymta kund s’lejove

5.
Mandej të lakmova me aq zjarr
në sytë e gjithë atyre njerëzve
kur fjalët u mbushën me mjegull
kur gjithçka më iku nga portreti që mbanin nxënësit në duar
dhe guri me ra nga zemra…

Iu falënderohem miqve
iu falënderohem
për ndjesën

(Fillimqershori, 2019)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
President i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar sërish në lidhje…