Një vepër e jashtëzakonshme artistike për tragjedinë njerëzore në Ballkan!

10 shkurt 2025 | 14:17

Bardhyl Mahmuti

Sapo përfundova leximin e veprës së mrekullueshme të Besnik Mustafajt, “Një roman i pamundur”.
Duke ju kthyer vazhdimisht “sinopsisit të një novele” që dëshironte të shkruante për tragjedinë që kishte ndodhur në fillim të shekullit XX, në fshatin Vuthaj, në “qoshen malore midis kufirit të sotëm të Malit të Zi me Shqipërinë dhe Kosovën”, kur forcat serbe dhe malaziase i detyruan paraprakisht burrat shqiptarët që kishin gjetur në shtëpitë e tyre, të hapnin varrezën kolektive ku u varrosën, së bashku me fëmijën-këngëtar, Shog Sokolin, në një narracion të jashtëzakonshëm, autori shtron dilemën intelektuale të qëndrimit të shkrimtarëve ndaj temave që mund të hyjnë në funksion të nxitjes së urrejtjes ndaj kombeve të tjera dhe sidomos qëndrimin që duhet pasur ndaj rrezikut që vepra “të ngacmojë kallot kancerizuese në kujtesën kolektive”. Grackat e jashtme apo të interiorizuara në kontekste të ndryshme historike, shoqërore dhe politike përbëjnë sfida të mëdhe për shkrimtarët, prandaj Besnik Mustafaj shpreh kritika ndaj autorëve që ishin vënë në shërbim të politikave gjenocidale që synonin shkatërrimin e çdo gjëje që nuk ishte serbe, siç ishte rasti i nobelistit “Ivo Andriç, diplomat i lartë i mbretërisë serbo-kroate dhe i komunizmit serbo-kroat”.
Mirëpo ambiciet fisnike që konflikti serbo-shqiptar të mbetet në kujtesën kolektive si mitologjia rreth Luftës së Trojës, apo himnizimi i paqes, me arsyetimet e lloji të poetit dhe filozofit gjerman Friedrich Hölderlin se “ne, njerëzit kemi mësuar t’u vëmë emër fuqive të fshehta”, përballen me kontekste ku narratori Besnik Mustafaj është i gatshëm të marrë “fenerin e Diogjenit dhe të endet në mes të ditës përmbi relievin-skenë të tragjedisë, në kërkim të ‘njerëzve’”.
Realiteti tragjik që përjetuan shqiptarët gjatë zbatimit të planit gjenocidal “Patkoi”, në përfundim të shekullit XX, bëjnë që Besnik Mustafaj të relativizojë çështjen nëse një vepër letrare mund të përdoret për qëllime jashtëletrare dhe të përqëndrojë vëmendjen në vështirësitë për të emëruar fuqitë e fshehta të gjithësisë sonë ballkanike, si parakusht për ndërtmin e paqes!
Përkundër asaj se autori është tejet kategorik kundër formave “patetike”, prezantimit “heroik” apo nxitjes së “hakmarrjes”, ai e bën të qartë se nuk mund të shkruhet si thriller për masakrat serbe mbi shqiptarët, sepse “nuk i jep vetes të drejtë të paraqet një hetim të rrejshëm një gjë të njohur botërisht dhe të njohur mirë nga bashkatdhetarët e tij: identiteti i kriminelit”.
Në këtë kuptim, është e pamundur të zhveshet nga konteksti real historik rrëfimi për Shog Sokolin dhe Dren Cekën, si rrëfim për dy harqe të patkoit të farkuar për tragjedinë shekullore të shqiptarëve në këtë pjesë të Europës Juglindore! Në “Një roman i pamundur”, Besnik Mustafaj mundi t’u ofrojë lexuesit një vepër artistike të jashtëzakonshme, ku nuk harrohet gjenocidi që kemi përjetuar, por pa ngacmuar dregëzat kancerizuese që do të mund të destilonin urrejtje etnike.
Prandaj leximi i kësaj vepre shndërrohet në domosdoshmëri për të gjithë të mbijetuarit e një kombi që ka përjetuar gjenocid, që të ruajnë të keqen në kujtesën kolektive, pa rënë në grackë të urrejtjes.
Romanin e botuar në Kosovë nga Bard Books mund ta gjeni te libraria “Artini” dhe Dukagjini”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arangjel Milanoviç me numër personal: 1502140732, pronar i biznesit "Arangjes…