Një vepër e rëndësishme biografiko-historike për atdhetarin Asim Luzha
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
(Hanëmshahe Ilazi, “Asim Luzha, Misionar i paqes, diturisë dhe martir i Kosovës (1889 – 1945)”, Prishtinë, 2024)
Autorja, Prof. Hanëmshahe Ilazi, tashmë emër i njohur për lexuesit, si hulumtuese dhe gjurmuese e mirëfilltë e ngjarjeve dhe e personaliteteve atdhetare të kombit tonë, ajo sot, edhe njëherë na vjen me monografinë biografike të intelektualit, trimit e atdhetarit të devotshëm Asim Efendi Luzhës nga Gjakova.
Libri biografik “Asim Efendi Luzha- Misionar i paqes, diturisë dhe martir i Kosovës (1889-1945)”, është një sihariq i këndshëm jo vetëm për ne, që merremi me këtë problematikë, por edhe për të gjithë ata që duan të dinë dhe të mësojnë se për të ardhur deri te kjo ditë, që po e gëzojmë ne sot, duhet t’u jemi mirënjohës gjeneratave të tëra, që u angazhuan dhe që luftuan deri në vetësakrificë, vetëm e vetëm për të realizuar amanetin e të parëve, për liri.
Monografia e Prof. Hanëmshahe Ilazit “Asim Efendi Luzha- Misionar i paqes, diturisë dhe martir i Kosovës (1889-1945)” që i kushtohet patriotit të madh Asim Luzhës, është një kontribut i çmuar për të gjithë ne, në përgjithësi, e veçmas për periudhën më të rëndë që kaluan shqiptarët, për kohën kur ishte vështirë të qëndroje vertikalisht dhe kur ngjarjet me plot nebuloza kishin mbuluar Kosovën. Hartimi dhe shtjellimi i kësaj biografie, me argumente dhe me shumë të dhëna të verifikuara mirë dhe saktë, këtë libër e bëjnë edhe më sublime dhe më shkencore, edhe më të afërt dhe më reale për rrethanat e kushtet kur veproi, u angazhua dhe u likuidua Asim Efendi Luzha.
Asim Efendi Luzha, në këtë luftë dhe në këto përpjekje nuk ishte i vetëm. Bashkë me shokë kishin bërë angazhim e rezistencë titanike, vetëm e vetëm që një ditë Kosova të jetë e lirë dhe të jetë aty ku i kishte hije. Siç dihet, gjatë LANÇ-it, shqiptarëve iu premtua shumëçka, por ata që ishin më vizionarë, siç ishte rasti i Asim Efendi Luzhës e i Shaban Palluzhës e shumë të tjerëve, e kishin hetuar se Kosovës liridashëse po i pritej qefini në Beograd. Andaj edhe nuk qëndruan duarkryq. U mobilizuan dhe reaguan si të ishin një trup. Më vonë, më 1945, me vendimet e Kuvendit të Prizrenit (1945), u dëshmua ajo për të cilën frikoheshin atdhetarët. Duhet thënë edhe këtë se reagimi dhe rezistenca e shumë atdhetarëve ishte produkt i një periudhe të errët e të tradhtuar të Kosovës.
Me këtë rast, më gjerësisht do të ndalesha në monografinë biografike që po e promovojmë sot, e cila me të dhënat që na i ofron në mbi 300 faqe, autorja, na bind se edhe një margaritar i lirisë i shtohet vargut të gjatë të heronjve tanë, që këtë histori e bëjnë më të begatë dhe më krenare dhe e pasurojnë me vlera e virtyte liridashëse historinë e këtij populli, të cilën e bëjnë edhe më të lavdishme, edhe më të drejtë, ngase luftuan për tokën, lirinë, popullin, nderin dhe moralin e këtij vendi.
Duke e lexuar këtë monografi biografike, herë-herë të përshkon një entuziazëm i pa përshkruar, por herë-herë të kaplon edhe një trishtim i paparë, kur sheh se me çka janë përballur shqiptarët në rrugën e gjatë të lirisë. Autorja, Hanëmshahe Ilazi, duke qenë njohëse e mirë e situatës politike në Kosovë gjatë luftës dhe pas saj, na ofron një libër me të dhëna të bollshme biografike, por edhe të aktivitetit politik e luftarak të heroi shqiptarë Asim Efendi Luzhës.
Ajo ka grumbullua me përkushtim çdo gjë, e për ato që i mungojnë, do të befasohet lexuesi se si ajo nuk përton fare, merr rrugën dhe shkon e takohet me të gjithë ata që kanë sadopak ndonjë informatë për të bëmat e atdhetarit. Hulumton të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me Asim Efendi Luzhën, të gjitha librat e gazetat e kohës, bisedon me çdo kënd që ka ndonjë njohuri, shfleton dokumente të shumta arkivore, lexon , konsultohet me literaturën që është në biblioteka, e shumëçka tjetër, vetëm e vetëm për të ardhur deri te e vërteta shkencore.
Prof. Hanumshahja, shpeshherë kalon edhe nëpër kohë dhe rrjedha historike, të cilat të dhëna e bëjnë edhe më të plotë veprën e saj. Është për t’u lavdëruar qasja që u bëhet viteve gjatë Luftës së Dytë Botërore; Periudhës pas Konferencës së Bujanit; Administrimit Ushtarak në Kosovë; Luftës së Shaban Palluzhës me shokë, e shumë ngjarjeve historike që lënë mbresa të pashlyera në memorien e njerëzve dhe të historisë.
Biografisë së Asim Efendi Luzhës i kushton vëmendje të posaçme, duke filluar që nga shkollimi dhe diplomimi në shkollën e mesme në Shkup, e që ai nuk u ndal me kaq. Në Gjakovë regjistroi Medresenë e Madhe. Pas kësaj do të emërohet Imam në disa fshatra të Gjakovës, si në Skivjan, Cërmjan e Rastavicë. Pastaj caktohej imam edhe në fshatrat e Drenicës. Me përfitimin e përvojës do të kthehet në Gjakovë, ku do të emërohet imam i xhamisë se Islam Begut, në qendër të Gjakovës, ku do të shërbejë deri në fund të jetës. Gjatë tërë këtyre viteve ai iu përkushtua bamirësisë, arsimimit, humanitetit dhe atdhetarisë. Me të drejt popullata kudo që punonte e quanin babai i fukarenjve. Edhe lekun e fundit e jepte për ti ndihmua të varfëritë. Ishte i martuar me Qazime Roka – Luzha (1902 – 1970) –me të cilën pati 7 fëmijë: Qemajlin, Serveten, Murtezan, Zijanë, Sadeten, Besën dhe Nezafeten.
Sipas të dhënave që na prezantohen në monografi, duket qartë se Asim Efendi Luzha, bashkë me shokët ishte i vetëdijshëm se periudha në të cilën po kalonte Kosova, ishte e mbarsur me plot rreziqe. Ajo ishte në rrezik që të gllabërohej nga Jugosllavia, siç ndodhi më vonë. Dhe mu për këtë, nuk u pajtua kurrë Asim Efendi Luzha me shokët e tij, andaj autorja në këtë monografi e provon bindshëm këtë. Pushtetarët, duke e par zgjuarsinë dhe aktivitetin atdhetar të Asimit dhe duke i parë qëllimet dhe idealet e përbashkëta me luftëtarët e Drenicës dhe miqësinë e ngushtë me Shaban Palluzhën, ata e hetojnë rrezikun dhe plani bëhet. Asim Efendi Luzha duhet likuiduar.
Forcat partizano-çetnike duke parë zemërimin e madh të popullit të Drenicës, dhe luftën në krye me Shaban Polluzhën, përmes Fadil Hoxhës, kërkuan bisedime. Ati filluan, me Ymer Pulën e Ismet Shaqirin, por dështuan ! Sërish, kërkuan bisedime, që ishin vetëm kamuflime, mashtrime e kurthe djallëzore. E kërkuan me telegram urgjent nga Prishtina ish-deputetin e Drenicës, Asim Efendi Luzhën.
Ai me të marrë telegramin vendos të shkojë pa hezitim.
Para se të nisej për në Prishtinë, takohet me disa hoxhallarë gjakovarë (shokë të tij të ngushtë), që ishin anti-komunistë e atdhetarë, si Hafiz Ymer Guta e Hasan Efendi Dashi, të cilët e këshillojnë atdhetarin Asim Efendi Lizhën, të mos shkojë në Prishtinë, sidomos në Drenicë, por ai, meqë e donte Drenicën, dhe popullin e saj, nuk i përfilli dhe as që i dëgjoi… shkoi.
Në Prishtinë, në Shtabin Operativ, i thanë se bisedimet me përfaqësuesit e Drenicës do të mbahen në katundin Tërstenik. Ai i shoqëruar nga miku i tij Rifat Berisha, mbërrin në Drenas. Këtu edhe Rifati e këshillon që mos të shkoi në Tërstnik se atje është shumë rrezik, megjithatë, Asimin me ushtarët përcjellës vazhdon rrugën.
Në Tërstenik, hoxhën e priti një gjendje kaotike. Ishte i shqetësuar dhe tepër i pakënaqur me trajtimin e popullatës që bënin partizanët ndaj tyre. Ai kishte shkuar atje që të arrinte marrëveshje dhe të shpëtonte popullatën nga masakrat e sigurta. Asim ishte njeri i fjalës dhe i besës dhe do të ishte shumë i lumtur t’i shpëtonte ata. I bindi shumicën që të dorëzoheshin dhe të dorëzonin armët, dhe më vonë nuk do të ndodhte asgjë e keqe. Por nuk ishin të kënaqur çetniket e konvertuar në partizan. Ata kishin tjera plane dhe gjithsesi donin të shfarosnin popullatën shqiptare në atë zonë. Ardhja e hoxhës në Drenicë po iu prishte planet monstruoze të tyre. Shumë dëshmitar të këtij takimi dëshmojnë se hoxha kishte kundërshtua qëndrimet e tyre dhe ishte tejet nervoz. Nuk donte të humbëte asnjë fshatar që kishin ardhur aty vetëm e vetëm se kishin besim te deputeti i tyre, te hoxha i tyre, i cili i kishte dashur e vizituar edhe gjatë luftës, ishte kujdesur për hallet e tyre, i kishte ndihmuar dhe si gjithherë i kishte këshilluar të rinjtë se si duhet vatani- atdheu.
Partizano-çetnikët ishin të vetëdijshëm se prezenca e hoxhës po ua prishte planet. Sidomos kjo e pengonte tej mase Petar Brajeviqin e Zyfer Musiqin, proçetnik të përbetuar.
Këta pushtetar, duke e parë qëndrimin e tij burrëror, këmbënguljen në mbrojtjen e tij me çdo kusht të të dorëzuarve si dhe miqësinë e ngushtë me Shaban Polluzhën- tribunin kombëtar dhe idealet e përbashkëta me luftëtarët. Ata hetojnë rrezikun prej tij dhe plani kurdiset.
“Asim Efendi Luzha duhet likuiduar!”
Mulla Efendi Luzha, pas krejt çka pa e gjeti në Tërstenik, i shkruajti një letër Fadil Hoxhës, në janar të vitit 1945, në të cilën thuhej se: “Nëse nuk merren masa të ngutshme, shumë fshatarëve të ngujuar në kullën e Halil Mulajt në Terstenik, mund t’u ndodhë një plojë e tmerrshme. Për këtë janë ngarkuar dy komandantë të korpusit të KNOJ-it, Pejoviç e Tabakoviç, nga një brigadë malazeze”. (Këtë letër Asim Luzha ja jep korrierit Sheremet Koci, me qëllim që t’ia dorëzojë në dorë vetëm Fadil Hoxhës – Komandant i UNÇ-së të Kosovës, sepse Ai e kishte dërguar me mision pajtimi në Drenicë. Por ajo letër kurrë nuk arriti në duart e Fadil Hoxhës).
Pas kësaj hoxha do të zbresë shkallëve të kullës teposhtë, diku pas orës 21:00, për t’i parë fshataret e ngujuar, e që pas shpine do ta qëllojnë me plumba automatiku, kriminelët partizano-çetnikë.
Për vrasjen e Asim Efendi Luzhës, pati tri versione të cilat i lansoi OZNA. Versioni i Shtabit të UNÇL, ishte se “Hoxha deshi ta hedhë bombën në shtab dhe i eksplodoi në xhep dhe e vrau”.
Tjetri version ishte: ushtari që e përcillte gjoja se truproja ia futi bombën në xhep.
Por , versioni i vetëm dhe i vërtet është se ai nuk u vetëvra, por u vra pas shpine me plumba automatiku që u vërtetua pas obduksionit që bëhet nga komisioni kur e zhvarrosin nga varrezat e Tërstenikut.
Mulla Asim Efendi Luzha u zhvarros edhe një herë, për tu varrosur me nderime të mëdha nga qytetarët e Gjakovës në vendlindje. Ku në varrim erdhën posaçërisht edhe nga qendrat tjera të Kosovës, që ti bënin nderimet e fundit heroi të tyre. Ai u varros afër Urës së Tabakëve, në varrezat e Tyrbes së Tahir Efendisë.
Atdhetari Asim Luzha ishte i vetëdijshëm se çfarë i përgatitej dhe se çka e priste nga organet e OZN-ës, se edhe më herët, por edhe më vonë, në këtë mënyrë e kishin pësuar shumë atdhetarë nga ana e “Pushtetit të ri popullor”. Një fat të tillë e kishte pasur edhe Xheladin Hana, Omer Çerkezi, Ramiz Cernica, Faik Pruthi, Ali Boletini, Qamil Hoxha e shumë të tjerë. Të gjithë këta me vetëdije të lartë atdhetare ua falën jetën idealeve të larta kombëtare dhe asgjë nuk kërkuan si shpërblim, veçse realizimin e ëndrrës së madhe të aq brezave për ta parë Kosovën të pavarur e të lirë, nga i cili gjakim nuk mund ta shkulnin askurrë tekat e historisë.
Familja vonë mori vesh për vrasjen e Mulla Asim Efendi Luzhës. Lajmin e trishtë e kishte dhënë në besim atdhetari, majori Banush Sedllari, i cili pas një viti edhe ai likuidohet nga forcat komuniste.
Pas këtij atentati ushtria pushkaton 60 burrat e dorëzuar dhe 18 të rinj nga Gjilani që kishin ardhur t’i bashkohen aradhes së Shaban Polluzhës. Kjo ishte ndër tragjeditë më të mëdha të vitit 1945. Vetëm në Drenicë u torturuan, u masakruan dhe u vranë 30.000:burra, gra dhe fëmijë.
Monografia e Prof. Hanëmshahe Ilazit “Asim Efendi Luzha- Misionar i paqes, diturisë dhe martir i Kosovës (1889-1945)” është një sihariq, që na ofron të dhëna të bollshme historiografike e biografike, që gjer më tani kanë qenë të panjohura për opinionin e gjerë. Ky libër e vlen të lexohet dhe të studiohet me kujdes, ngase mesazhi që rrezaton nga ai na bën të jemi krenarë dhe të jemi të gatshëm për ballafaqim me sfida të reja.
Dhe krejt në fund autoren zonjën e dashur prof.. Hanëmshahe Ilazin e përgëzojmë dhe i urojmë jetë të gjatë e të shëndetshme duke pritur nga penda e saj edhe shumë vepra të tjera.
Lavdi atdhetarit të madh Asim Efendi Luzhës!