Një vështrim mbi demokracinë dhe vullnetin e popullit
Shkruan: Burim Breznica
Në këtë fillimshekull llogaritet se rreth 50 për qind e popullsisë botërore kishte zgjedhur institucione politike që kanë siguruar qeverisje demokratike në ato vende (Ben Dupre, 50 political ideas, 2010). Kjo do të thotë se gjysma tjetër e popullsisë botërore ende jeton në sisteme që nuk sigurojnë qeverisje demokratike. Si shembuj janë Kina, Koreja e Veriut, Bjellorusia etj. Në një demokraci është populli ai që vendos se kush do ta qeverisë vendin. Dihet se kjo vendoset përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe në ditën e zgjedhjeve heshtin partitë politike, politikanët dhe të tjerët sepse atë ditë qytetarët e vendosin përmes vullnetit dhe votës së tyre të lirë se kujt do t’ia japin besimin për mandatin e ardhshëm në qeverisjen e një vendi.
Filozofi romak Cicëroni kishte thënë një herë se “udhëheqja e një republike është art/mision i vështirë”. Ish-kryeministri britanik W. Churchill kishte deklaruar më 1947 se “demokracia është mënyra më e keqe e qeverisjes, por më e mirë nga format e qeverisjes që janë provuar deri më tani” (referenca e njëjtë si më lart, f. 27) dmth. prapë mbetet më e mirë sesa sistemet komuniste, autokratike dhe sistemet tjera eksperimentale.
Në historinë e demokracisë mund të thuhet se kanë ekzistuar dy teori dhe tradita kryesore demokratike. E para është ideja dhe tradita liberale që angazhohej më shumë për lirinë më të madhe individuale në raport me shtetin. Pastaj kjo traditë u përqendrua edhe në atë sesi qytetarët do të mund të ushtronin ndikim demokratik në veprimtarinë dhe fushëveprimin e shtetit. Për liberalët, demokracia është një mjet i mirë për ta siguruar lirinë e njerëzve, për të mundësuar zhvillim dhe konkurrencë të lirë, shtyp të lirë, shoqëri civile të pavarur, tregje konkurruese etj. Roli më i rëndësishëm i qytetarëve ishte që t’i zgjidhnin përfaqësuesit e tyre në mënyrë të lirë ose edhe vetë të zgjidheshin nëse shprehnin interesim.
Tradita tjetër në historinë e zhvillimit të demokracisë ishte pikëpamja demokratike radikale që ndryshe quhej edhe si demokraci pjesëmarrëse, demokraci populliste, demokraci e fortë etj. Kjo lloj demokracie kishte prejardhjen qysh në kohën e Greqisë antike, afërsisht para 2500 vjetësh. Ajo demokraci ishte sigurisht e kufizuar dhe nxiste qytetarët të dilnin të votonin e të kryenin shërbime ndaj shtetit, por në atë kohë vajzat/gratë dhe skllevërit nuk kishin të drejtë vote. Dhe një demokraci moderne është zhvilluar dhe ka evoluar e dihet se këto gjëra kanë ndryshuar, fatmirësisht njerëzit janë të lirë në vendet demokratike dhe mund ta shprehin vullnetin e tyre politik përmes zgjedhjeve, përveç të tjerash.
Por ekziston edhe një traditë dhe model i tretë demokratik që është një kombinim i dy traditave më lart dhe mund të identifikohet me socialdemokracinë, p. sh., në Suedi, në shtetet e tjera Nordike, por elemente të tilla ka edhe në sistemin politik në Gjermani dhe vende të tjera evropiane, në Zelandë të Re, në Kanada etj. (Demokrati och Byrakrati, R. Premfors, E. Halden, 2009). Socialdemokratët, p. sh., angazhohen për demokraci dhe zgjedhje të lira, favorizojnë pronën publike, janë për ekonomi tregu, por edhe për pronë private dhe angazhohen për tatime progresive, ata janë për kujdes dhe përkrahje të familjeve (këtë pikë e kanë edhe partitë e djathta si, p. sh., kristianodemokratët etj.) dhe sigurime shoqërore, mirëqenie sociale dhe kjo e fundit dallon deri-diku edhe nga partitë e djathta ose të qendrës së djathtë. Në anën tjetër, politika të tilla të mbrojtjes sociale kanë edhe Anglia (politikat e mirëqenies dhe benefitet për papunësi – welfare policies and unemployment benefits), edhe pse ata njihen si “shpikës të kapitalizmit dhe industrializimit”, por edhe vende të tjera evropiane. Pastaj ato dallohen se sa i kanë prioritet etj. Këto politika dhe ide programore i përmenda vetëm si shembuj konkretë dhe nuk do të thellohem më shumë.
Sot mund të thuhet se janë dy pikëpamje parimore që bashkojnë të gjithë ata që vlerësojnë demokracinë dhe ato janë: barazia politike për të gjithë, që do të thotë që të gjithë qytetarët kanë të drejtë të ushtrojnë ndikim në çështjet e përbashkëta apo shtetërore në një vend. Dhe, së dyti, që të gjithë qytetarët duhet të gëzojnë liri politike duke përfshirë të drejtat njerëzore, lirinë e shtypit dhe organizimit, shtet ligjor dhe trajtim i drejtë e i pavarur nga gjykatat, të drejta në informacion, në arsimim dhe qasje në shërbimet shtetërore etj. Model dominues në Evropë, ShBA dhe në vende demokratike ka qenë demokracia liberale perëndimore që është edhe aktualisht, por në disa raste ka përshtatje sipas specifikave nacionale në ndonjë vend si, p. sh., në Zvicër etj. Në një shtet demokratik të vërtetë, udhëheqësit e atij vendi respektojnë dhe dëgjojnë vullnetin dhe dëshirat e shumicës së popullsisë për qeverisje të mirë, janë në shërbim të qytetarëve dhe kujdesen edhe për të drejtat e minoriteteve në atë vend. Kjo do të thotë se të drejtat individuale janë të garantuara me Kushtetutë dhe duhen mbrojtur dhe ky është një standard i njohur ndërkombëtar.
Demokracia dhe vullneti i popullit në Kosovë
Kosova ka një histori relativisht të re si shtet dhe si një demokraci e re për arsye edhe të okupimit nga pushtuesit serbë, një regjim diktatorial dhe racist që shtypte të drejtat elementare njerëzore të shqiptarëve në Kosovë. Falë rezistencës paqësore, ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, falë luftës së UÇK-së dhe intervenimit të NATO-s, dihet që Kosova fitoi lirinë e shumëpritur më 1999. Që atëherë, Kosova ka zgjedhur modelin e demokracisë liberale perëndimore për ta qeverisur vendin. Mund të thuhet se janë arritur shumë suksese si, p. sh., pavarësia e vendit, ndërtimi i institucioneve, njohjet ndërkombëtare etj., në anën tjetër edhe disa gjëra nuk kanë shkuar ashtu siç është pritur. Sigurisht përgjegjësia për këtë gjë është në rend të parë e atyre që kanë qeverisur vendin, por edhe e mentorëve të tyre në faza të ndryshme.
Ajo çfarë mund të konstatohet me siguri për Kosovën dhe qytetarët e saj është se janë një shembull në Ballkan dhe më gjerë, për mbajtje demokratike të zgjedhjeve, për shprehjen e vullnetit në mënyrë të lirë, për pranim dinjitoz të rezultatit të zgjedhjeve dhe për mbarëvajtje të procesit në mënyrë demokratike. Por për t’u krahasuar me vende perëndimore, besoj se standardi duhet të ngritët edhe më tej, sidomos kur është fjala për proceset e “rinumërimit të votave”, pastaj rasti me votat e diasporës ku duhet të ketë vlerësim objektiv, të paanshëm dhe në bazë të ligjit, komunikim më të mirë dhe më transparent etj.
Duhet komplimentuar qytetarët e Kosovës dhe diasporën që, përkundër situatës së vështirë me pandeminë, dolën për ta shprehur vullnetin e tyre për t’iu dhënë një legjitimitet të fuqishëm politik të përfaqësimit atyre partive dhe individëve që ata menduan se janë më të mirët dhe që ata i shohin si shpresë për zhvillim dhe qeverisje të mirë të vendit. Këto zgjedhje kanë edhe një aspekt tjetër pozitiv për Kosovën sepse krijojnë debat dhe mundësi për reformim të atyre partive që kanë qeverisur deri sot Kosovën dhe një gjë e tillë do të ishte e shëndetshme së pari për ato parti si dhe për demokracinë e re të Kosovës. Në fund duhet theksuar se mbarëvajtja e procesit zgjedhor në Kosovë si më 14 shkurt, e ngrit imazhin ndërkombëtar të Kosovës si një vend demokratik në ngritje dhe me kulturë të lartë qytetare e demokratike.
Autori ka specializuar në administratë publike në Universitetin e Stokholmit. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin suedez ku ai është i angazhuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Administrata Tatimore e Suedisë)