Një vështrim për Pavarësinë e Kosovës
Festimet e sotme në Kosovë me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë, në mënyrë të pashmangshme na sjellin në mend përpjekjet e mëdha që çuan deri te kjo ngjarje. Në këto përpjekje, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë luajtën një rol vendimtar.
Më 24 mars 1999, aleanca ushtarake e Perëndimit, NATO, filloi një fushatë sulmesh ajrore, për të ndalur ofensivën masive të Serbisë kundër popullsisë së pambrojtur të Kosovës.
Presidenti i Serbisë ishte Sllobodan Millosheviç, forcat e të cilit vetëm dy muaj më parë kishin masakruar 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak.
Mbrëmjen e 24 marsit 1999, në televizionet amerikane u shfaq Presidenti Bill Clinton me një fjalim drejtuar vendit nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti Clinton dhe sekretarja e tij e shtetit Madeleine Albreight kishin muaj që vazhdonin përpjekjet për t’i ndalur dorën Millosheviçit. Përfundimisht diplomacia kishte dështuar dhe përdorimi i forcës ishte bërë zgjidhja e vetme:
“Ne po veprojmë për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake në rritje. Duke vepruar tani, ne mbrojmë vlerat tona, mbrojmë interesat tona dhe çojmë përpara çështjen e paqes”, tha Presidenti Clinton.
Bombardimet e NATO-së u pritën me reagimin e ashpër, tipik për Millosheviçin. Shqiptarë të panumërt u masakruan dhe u hodhën nëpër varre masive. Ndërkaq, grupet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sulmonin forcat serbe në terren dhe të ndihmonin NATO-n. Atyre u ishin bashkuar edhe vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara.
Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës vazhduan të linin shtëpitë e të zhvendoseshin drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera fqinje, pamje që të kujtonin Luftën e Dytë Botërore.
Përballë asaj që po ndodhte, Amerika dhe aleatët e saj nuk u tërhoqën.
Pas një fushate ajrore të NATO-s që zgjati 78 ditë, forcat serbe kapitulluan. Më 12 qershor 1999, një forcë masive e NATO-së filloi të hyjë në Kosovë, e pritur me gëzim nga popullata.
Ardhja e 50 mijë paqeruajtësve shënoi një kthesë vendimtare për fatet e popullit të Kosovës.
Por sundimi i gjatë serb dhe lufta e kishin lënë Kosovën të shkatërruar. Tensionet në disa pjesë të vendit, sidomos në Mitrovicë ishin ende të larta.
Disa qindra mijëra njerëz ishin të pastrehë. Të tjerë vazhdonin të dergjeshin në burgjet serbe. Shumë shqiptarë rezultonin të zhdukur.
Në fillim, vendi administrohej nga një mision i Kombeve të Bashkuara, UNMIK. Vetëm pak muaj pas mbarimit të luftës popullata shqiptare ishte kthyer thuajse e gjitha dhe kishte nisur përpjekjet e rindërtimit. Shtetet e Bashkuara ishin të parat që ndihmuan këto përpjekje.
Në fillim të vitit 2001, në Uashington kishte ardhur një administratë e re dhe më 24 korrik të atij viti Presidenti George W. Bush vizitoi Kosovën.
Ai shprehu mbështetje për idenë që kosovarëve t’u jepeshin më shumë përgjegjësi për t’i marrë vetë në dorë punët e tyre.
Çështja e statusit të Kosovës ndonëse ishte objekt diskutimesh dukej ende e largët. ‘Standardet përpara statusit’ ishte formula me të cilën doli UNMIK-u në vitin 2002, por këto standarde nuk ishin të formuluara qartë dhe u pritën me reagime negative në Kosovë.
Përpjekjet e vërteta për zgjidhjen përfundimtare të statusit u ndërmorën nga administrata Bush në vitin 2005.
Në pranverë të vitit 2005, Presidenti Bush dhe Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice vendosën që Shtetet e Bashkuara të merrnin rolin drejtues për të çuar deri në fund punën e bërë nga administrata e mëparshme Clinton për vendosjen e paqes në Ballkan.
Nëpërmjet disa personaliteteve me rëndësi, administrata ndërmori përpjekje për të bindur Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit për të filluar procesin e statusit të Kosovës.
Ndërkaq, në Kongresin amerikan, me nxitjen e ish-Kongresmenit Joe DioGuardi, qysh më parë kishin filluar përpjekjet për të paraqitur një rezolutë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Rezoluta u paraqit në vjeshtë 2004 nga ligjvënësi Tom Lantosh dhe u paraqit përsëri në janar 2005.
Në Kongresin amerikan, për Kosovën kishte gjithnjë konsensus megjithë mosmarrëveshjet mes dy partive politike për çështje të tjera.
Më 18 maj, 2005, Nënsekretari i shtetit Nicholas Burns paraqiti përpara Kongresit një nismë të re politike amerikane për Kosovën në bashkërendim me Kombet e Bashkuara dhe Grupin e Kontaktit të fuqive botërore. Ai deklaroi se viti 2005 ishte viti i vendimit për Kosovën, pra se SHBA synonin fillimin e një procesi që do të përcaktonte statusin e Kosovës.
Ndonëse në atë kohë ishte ende e paqartë se cili do të ishte statusi përfundimtar, SHBA dhe Grupi i Kontaktit kishin deklaruar se e përjashtonin një kthim të Kosovës nën kontrollin serb. Ato përjashtonin gjithashtu çdo ndryshim kufijsh dhe çdo ndarje të Kosovës.
Edhe udhëheqësit e Kosovës kishin deklaruar se për ta pavarësia ishte e panegociueshme.
Qeveria serbe, nga ana e saj, ngulte këmbë se Kosova nuk duhej të bëhej kurrë e pavarur.
Partnerët kryesorë të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për përcaktimin e statusit të Kosovës ishin Britania, Franca dhe Gjermania. Vështirësia më e madhe ishin qëndrimet penguese të qeverisë ruse.
Në 26 janar 2007, kur i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari, paraqiti propozimin për statusin përfundimtar të Kosovës, u bë e qartë se pavarësia ishte tashmë e pashmangshme.
Rekomandimet e Ahtissarit e linin në dorë të Kosovës të shpallte pavarësinë nga Serbia. Por ato kërkonin gjithashtu mbikqyrje ndërkombëtare mbi Kosovën.
Plani Ahtisaari për pavarësinë iu nënshtrua shqyrtimit në Këshillin e Sigurimit. Por Rusia ishte kundër.
Më 10 qershor 2007, Presidenti George W. Bush vizitoi Shqipërinë, ku iu bë një pritje prej heroi.
Dhe jo më kot. Vizita zgjati vetëm 8 orë, por deklarata që ai bëri në Shqipëri do të mbahej mend dhe ndikimi i saj nuk do të vononte të dukej.
“Në një moment në kohë, më mirë herët sesa vonë, detyrohesh të thuash: durimi arriti aty ku nuk mban më. Kosova është e pavarur,” deklaroi Presidenti amerikan. Ai tha se çdo plan për t’i zgjatur më tej bisedimet duhet të përfundonte me pavarësinë e sigurtë.
Rreth nëntë muaj pas kësaj deklarate, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, duke u bërë shteti më i ri në botë.
Dhjetra mijëra njerëz në Kosovë mbushën rrugët për të festuar ditën që e kishin dëshiruar prej dekadash.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kryesorë perëndimorë e njohën menjëherë pavarësinë e Kosovës.
Shpallja e Pavarësisë erdhi pas një konflikti të përgjakshëm që la pas 10 mijë të vrarë dhe pas një periudhe mbikqyrjeje nga Kombet e Bashkuara që e la Kosovën me një status të papërcaktuar dhe pa drejtim.
Më në fund, Kosova mund të shpresonte të konsolidonte shtetin dhe institucionet me një siguri për të ardhmen.
Duke folur përpara parlamentit, Kryeministri Hashim Thaçi tha:
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.
Atë ditë, njerëzit shprehnin nderimin për SHBA, arkitekte e fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe. Prishtina dhe qytetet e tjera ishin të mbushura me flamurë amerikanë dhe njerëzit thërrisnin: “Faleminderit USA” dhe “Zoti e bekoftë Amerikën”.
Që nga 17 shkurti 2008 kur u shpall e pavarur, Kosova ka kaluar nëpër sfida të brendshme dhe të jashtme. Shtetet e Bashkuara janë treguar të gatshme për të ndihmuar.
Në nëntor 2009, gjatë një vizite në Kosovë, ku përuroi një statujë të ngritur për nder të tij, ish-Presidenti Bill Clinton u bëri thirrje qytetarëve për të ndërtuar një shoqëri shumetnike me pakicën serbe dhe pakicat e tjera. “Shtetet e Bashkuara gjithnjë do ta ndihmojnë Kosovën,” tha ai.
Në fushën diplomatike, Kosovës iu desh të ndeshej me kundërshtimet e Serbisë.
Serbia protestoi ndaj pavarësisë dhe përmes Këshillit të Sigurimit kërkoi opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Më 22 korrik 2010, Gjykata shpalli vlefshmërinë e deklaratës së pavarësisë, duke thënë se ajo nuk binte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Gjatë administratës së Presidentit Obama, mbështetja amerikane për Kosovën vazhdoi.
Megjithë fushatën e gjerë të Serbisë për të bindur vendet e ndryshme të mos e njohin shtetin e ri, Kosova ka siguruar deri tani rreth 115 njohje dhe është pranuar në dhjetra organizata ndërkombëtare.
Administrata e Presidentit Trump ka shprehur mbështetje të fortë për Kosovën.
Me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë, ndihmësi kryesor i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, H.R. McMaster, e bëri të qartë këtë mbështetje:
“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ju ndërsa ju forconi institucionet demokratike, mbroni të drejtat e njeriut, përballeni me korrupsionin dhe krijoni një shoqëri të përgjegjshme ndaj sundimit të ligjit.”
Sot, 10 vjet pas pavarësisë, Kosova i ka hedhur sytë drejt një të ardhmeje që synon anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Një objektiv më i afërt është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, në dialogun që vazhdon prej disa vitesh.
Funksionimi i Gjykatës së Posaçme do të jetë një tjetër sfidë. Kosovës do t’i duhet gjithashtu të zhvillojë ekonominë dhe të ulë papunësinë, sidomos mes të rinjve.
Ka qenë një dekadë përpjekjesh dhe arritjesh mes shumë vështirësish, por Kosova ka sot një perspektivë zhvillimi dhe begatimi në horizont dhe bashkë me këtë, ka mbështetjen e aleatëve të rëndësishëm. /VOA/