Ky veteran i arsimit ka këtë sugjerim për MAShT-in dhe SBAShK-un
Një veteran i arsimit shqip, në këtë kohë kur nuk ka një ide pajtuese në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT-it) me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK-ut), për ditët e humbur të procesit mësimor pas grevës së përgjithshme një muaj e sa kohë më parë, ka dhënë disa sugjerime për këto dy institucione.
Veterani i arsimit, Xhemë Binaku, ka prezantuar tri ide për MAShT-in dhe SBAShK-un. Më poshtë teksti i tij:
“Në kohën kur nxënësit po vuajnë nga mosmarrëveshjet MAShT – SBASHK lidhur me orët e humbura të mësimit në kohën e grevave të arsimit në janar, çudit fakti se askush nuk gjendet në mesin e këtyre inateve për të gjetur një rrugë për zgjidhje të këtij problemi.
Personalisht po jap një pikë kontributi në rrugëtimin e një zgjidhjeje për hir të atyre që humbin më së shumti në një situatë të këtillë. Së këndejmi, edhe SBAShK-ut i propozoj ta mbështetë kompensimin e orëve gjatë kohës së pushimit pranveror të planifikuar, që d. t. Th. se një javë pune, pra 5 ditë mësimi, të mbahen në vend të pushimit pranveror.
Së dyti, orët e tjera të kompensohen në fund të vitit mësimor, së paku një javë, me alternativë të rishikimit edhe të ndonjë zgjatje jo të madhe të mësimit, por vetëm nëse fondi i orëve të planifikuara në program të ketë ngecje të theksuar nëse ato nuk kompensohen.
Por, nuk jam për mbajtjen e mësimit për kompensim të orëve të shtunave, sepse këto ditë janë shumë të lidhura dhe domethënëse midis fëmijëve – nxënës dhe prindërve në ditë fundjavësh.
Së fundi, u bëj thirrje të dyja palëve në këtë kontekst, pra SBAShK-ut dhe MAShT-it, që të veprojnë në drejtim të zgjidhjes praktike, duke mos këmbëngulur vetëm në mendimin e njërës palë, sepse koha po kalon e zgjidhja pajtuese nuk shihet askund.
Sinqerisht, besoj se një marrëveshje e tillë do të kontribuojë dhe të ndikojë në stabilizimin e rrjedhave të arsimit drejt një përfundimi të suksesshëm të vitit shkollor në çastet e fundit, duke kompensuar pjesën më të madhe të orëve të humbura gjatë grevës.
Xhemë Binaku, veteran i arsimit.