Një vit nga agresioni rus në Ukrainë, ambasadori Reka: Paqja e drejtë
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, ambasadori Blerim Reka, ka shkruar në “Facebook” për përvjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë.
“Paqja e drejtë”, është titulli të cilin ambasadori Reka e ka vendosur me rastin e njëvjetorit të agresionit rus në Ukrainë.
“Një vit nga agresioni rus në Ukrainë, ‘njerëzimi është afër orës së tij më të errët’, alarmoi javën e kaluar SP i OKB-së, Guterres, në raportin e tij vjetor. Dje, Asambleja e Përgjithshme, kërkoi tërheqjen e Rusisë nga Ukraina, në mbledhjen e jashtëzakonshme të 11-të me radhë brenda një viti. Rezoluta e ‘parlamentit botëror’, apelon për vendosjen e paqes, pasi që Këshilli i Sigurimit mbetet i bllokuar nga vetoja ruse. Në vitin kur pritet të shpaloset, ‘New Agenda for Peace’, objektivat multilaterale vështirë do të arrihen nga imponimi i interesave unilaterale”, ka shkruar Reka.
Ai ka thekura se përderisa argumenti i forcës, të mbisundojë forcën e argumentit, paqja nuk duket afër.
“Aq më pak, një paqe e drejtë. Vetëm paqja e drejtë e ndalë luftën. E padrejta, siç na mëson historia, vetëm e riciklon luftën”, ka shkruar ambasadori Reka.