Një vit nga marshi për drejtësi në mbështetje të çlirimtarëve, Krasniqi përcjell një mesazh
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sot një vit, dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës, nga të gjitha qytetet e fshatrat, zbarkuan në sheshin e Prishtinës për të marrë pjesë në Marshin për Drejtësi në mbështetje të heronjve tanë të luftës dhe paqes.
“Ballafaqimi i dinjitetshëm i çlirimtarëve tanë me drejtësinë, për pastërinë e luftës tonë për liri, po vazhdon edhe sot. Tashmë po bëhen rreth tri vite e gjysmë nga fillimi i këtij procesi. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, po bëjnë atë që kanë bërë më së miri gjatë gjithë jetës – mbrojtjen e Kosovës, pavarësisht rrethanave dhe çmimit personal”.
“Besa, nuk ka se si të jetë ndryshe për këta burra, të cilët, përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç çlirimit e pavarësisë, s’kanë pasur tjetër projekt rezervë. Një herë patriot – gjithmonë patriot. Deri në ditën e madhe të lirisë së tyre – jemi me ta dhe krah tyre në çdo hap. Drejtësia do të triumfojë – ashtu siç edhe dielli do të lind përsëri!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.